Po na vrasin!

Politika

Po na vrasin!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 1 gusht 2019 Në ora: 13:38

“Vrasje për së gjalli” – kështu mund të quhet kjo që po ndodhë në Kosovë.

Kosova po vuan aq shumë sa nuk e ka menduar askush që 20 vjet pas luftë do të ndodhë një gjë e tillë.

Kosova është shndërruar në një vend të kriminelëve! Po, po. Kjo është e vërtetë tashmë. Ndërkaq, qytetarët të cilët janë të mbyllur brenda “katër mureve” të Kosovës, po trajtohen si skllevër të kësaj politike monstruoze e cila e shkatërroi me rrënjë shtetin e Republikës së Kosovës.

Pas shumë shekujsh, në qershorin e vitit 1999 filloi një frymë e re për shqiptarët e në veçanti për qytetarët e Kosovës.

Shumë lot gëzimi i derdhën në këtë muaj, pas mijëra litrave lot të derdhur gjatë kohës së luftës, kur popullata e pafajshme, civilët, pleqtë, gratë, fëmijët... të gjithë përjetuan tmerrin e ushtrisë dhe policisë serbe me kryekriminelin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Shumë pleq u dogjën për së gjalli, shumë gra – motra tona u dhunuan e u maltretuan nga Serbia fashiste. Shumë fëmijë u masakruan. Serbia kreu gjenocidin më të madh të mundshëm ndaj shqiptarëve.

Mijëra lot u derdhën nga përjetimet e tmerrshme përgjatë viteve në Kosovë.

Shumë nëna panë tmerrin me sy, duke ua vrarë, masakruar apo dhunuara më të dashurit të tyre. Njëjtë ka ndodhë në çdo cep të Kosovës. Nga ky gjenocid i paparë më herët shqiptarët filluan largimin nga Kosova – njëjtë siç po largohen sot nga “vrasja” kolektive që po na u bëhet.

Përveç atyre shqiptarëve që u larguan nga Kosova edhe Serbia fashiste filloi të spastroj Kosovën. Ata larguan mbi një milion shqiptarë dhe në këtë mënyrë filluan planin e tyre që Kosova të mbetet pa shqiptarë dhe të marrin nën kthetrat e tyre këtë tokë dardane.

Mirëpo, edhe pse kaluan 20 vjet nga lufta, plani i tyre për marrjen e tokës shqiptare nuk ka të ndalur. Ata në bashkëpunim me shqiptarët, dhe jo çfarëdo, por me Presidentin e vendit, dhe me kryeministrin shqiptar e të përkrahur nga veglat e tyre, disa të shoqërisë civile – gazetarë e publicistë duan që ta çojnë deri në fund.

Përveç ndarjes së Kosovës, kjo politikë dhe këta politikanë matrapaz po kontribuojnë në realizimin e ëndrrës serbe.

Ëndrra e Serbisë është që Kosova të mbetet e zbrazët, dhe kjo po ndodhë. Mijëra qytetarë po e lëshojnë Kosovën. Mijëra qytetarë të pakënaqur, të hidhëruar, të dëshpëruar me këtë sistem të politikës dhe me këta “komandantë” të luftës, të cilët në vend që të jenë “hero të paqes” u shndërruan në gangsterë, u shndërruan në armik të popullit dhe filluan të punojnë kundër popullit e çështjes shqiptare.

Edhe këta pak shqiptarë që kanë mbetur brenda Kosovës, përveç atyre që janë në përkrahje të krimit dhe të këtyre politikanëve, pjesa tjetër po “vritet” prej tyre.

As një milion shqiptarë s’kanë mbetur brenda Kosovës, kjo për faktin se ka humb shpresa në këta politikanë. Këta shkatërruan çdo gjë që iu doli përpara.

Shkatërrimi e uzurpimi ka nis qysh në ditët e para të çlirimit, kur shumë prej komandantëve të luftës filluan me parullat “UÇK – e nxane”, që dëshmon qartë se qëllimi i tyre ishte uzurpimi me pasurimi në mënyrë të paligjshme, ashtu siç u pasuruan me miliona marka të dy fondeve të luftës. Njëri i Qeverisë së Bujar Bukoshit e tjetri që përfituan “komandantët e Rgonerit” me në krye Xhavit Halitin.

Pra, Kosova u çlirua por kriminaliteti filloi të rritet. Edhe gjatë luftës “ideali” i tyre ishte pasurimi dhe arritja në maje të çdo gjëje në këtë vend.

Ata me miliona marka dolën nga lufta, për të filluar pastaj bizneset e paligjshme të tyre, haraçet, vrasjet e shantazhet karshi kundërshtarëve të tyre.

Por nuk ishte e tëra kjo, këta arritën majat e larta në politikë. Tashmë kanë kapur çdo institucion të Kosovës dhe kanë lëshuar rrënjët thellë e më thellë në nëntokën e Kosovës.

Rrënjët e tyre tashmë kanë lënë shumë gjurmë, por gjurmëve të tyre nuk ka “bir nane që guxon të shkoj” ngase dihet se çfarë i pret!

Krejt në fund, pas gjithë këtyre gjërave që po ndodhin në Kosovën tonë të dashur, në tokën tonë dardane, në tokën e përgjakur të ushtarëve të denjë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pikërisht nga “njerëzit e luftës” filloi shkatërrimi dhe rreziku i zhbërjes së Kosovës.

“Po na vrasin për së gjalli”, kështu do të thoshte një familje skamnore në Kosovë, e cila ka mbetur përshkak të kësaj politike, kur kryefamiljari i saj ishte duke punuar në një fabrikë më moderne në Ballkan, mirëpo politika e kriminalizuar e mbylli dhe la mijëra familje rrugëve duke kërkuar lëmoshë.

Por, kush do të jap lëmoshë në Kosovë?

Politikanët jo se jo, ngase vet e krijuan këtë sistem që qytetarët të kërkojnë lëmoshë dhe në kohë zgjedhje me 25 kg miell, të përfitojnë dhjetëra vota, dhe në këtë mënyrë të thellojnë rrënjët e tyre në kapjen e shtetit të Kosovës!?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat