Një mijë arsye pse Dhurata Hoxha gaboi kur e ndërlidhi liberalizimin e vizave me zgjedhjet e jashtëzakonshme

Politika

Një mijë arsye pse Dhurata Hoxha gaboi kur e ndërlidhi liberalizimin e vizave me zgjedhjet e jashtëzakonshme

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 1 gusht 2019 Në ora: 19:49
Dhurata Hoxha

Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, ka konsideruar se procesi i liberalizimit të vizave do të zvarritet edhe më tej, nëse në Kosovë do të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme. Hoxha ka thënë se ndërrimet në qeverisje nuk i bëjnë mirë procesit integrues të vendit. “Ndërrimet në qeverisje nuk i bëjnë mirë procesit integrues, pavarësisht se detyrat, punët dhe funksionet janë të institucioneve ekzekutive dhe të stafit civil. Nuk ma merr mendja se do të shkaktohet dëm, megjithatë procesi zgjedhor në rrafshin ndërkombëtar shkakton ngecje. Proceset me interes për vendin të konfirmuara me konsensualitet në rrafshin ndërkombëtar janë më të rëndësishme se proceset e brendshme politike”, ka thënë ajo.

Mirëpo pavarësisht kësaj Hoxha, ka theksuar se ende shpreson se mund të ketë një moment për heqjen e vizave, çka do të ishte sinjal i qartë i përkushtimit të Ministrisë që ajo ka udhëhequr për dy vjet.

“Po, kemi pasur dhe shpresojmë të kemi momentumin e vendimit pozitiv për liberalizim, i cili do të ishte rikonfirmim i angazhimit tonë gjithëpërfshirës dhe konsekuent për t’i zbatuar 95 kushtet për liberalizim, duke qenë interes madhor, interes i konfirmuar nga të gjitha forcat politike në të gjitha përbërjet e deritashme qeverisëse”, ka shtuar Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha.

Por, njohës të Integrimeve Evropiane dhe njohës të çështjeve politike në vend, vlerësojnë se deklaratat e Ministres Hoxha, por edhe të shumë vartësve të tjerë institucional,nuk meritojnë të trajtohen fare më seriozisht. Sipas tyre, sikur këto deklarata të merreshin seriozisht, qytetarët e Kosovës sot veçse do të ishim duke lëvizur lirshëm, nëpër vendet e ndryshme të BE-së.

Blakaj: Liberalizimi i vizave nuk dëmtohet nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, por nga aferat korruptive që fatkeqësisht janë bërë të zakonshme

Image
Sami Blakaj

Njohësi i integrimeve Evropiane Sami Blakaj ka thënë se Liberalizimi i vizave nuk dëmtohet nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, por nga aferat korruptive që fatkeqësisht janë bërë të zakonshme.

Ai konsideron se deklaratat e Ministres Hoxha, por edhe të shumë bartësve të tjerë institucional nuk meritojnë të trajtohen më seriozisht, meqë sikur t'i merrnim seriozisht deklaratat e tyre, qytetarët e Kosovës sot veçse do të ishim duke lëvizur lirshëm nëpër vendet e ndryshme të BE-së.

“Mendoj se në këtë kuptim, edhe deklarata e fundit e ministres Hoxha nuk përbën përjashtim nga deklaratat e saj të mëhershme dhe si e tillë përbën pasaktësinë e radhës kur bëhet fjalë për vizat. Me sa duket Hoxha, paska "harruar" që zgjedhjet e lira dhe të ndershme, (qofshin ato të zakonshme apo të jashtëzakonshme), janë gjithmonë shëndet i demokracisë, dhe si të tilla asnjëherë nuk paraqesin pengesë për proceset shtet formuese. Ministrja e di shumë mirë që ndër pengesat kryesore për Kosovën dhe proceset e saj integruese është pikërisht mungesa e sundimit të ligjit, përkatësisht mungesa e rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Blakaj.

Sipas tij, ky është një fakt tashmë i ditur për BE-në dhe pikërisht për këtë arsye Këshilli i BE-së, që nga muaji shtator 2018, nuk ka ndërmarr asnjë hap konkret drejt marrjes së vendimit pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Tre vite pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Kosova ende s’ka asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë për korrupsion. Kjo situatë e brishtë e drejtësisë në Kosovë po ndikon gjithnjë e më shumë negativisht tek BE-ja, dhe për rrjedhojë, vendet anëtare të BE-së sot nuk e ndajnë mendimin se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave”, ka thënë njohësi i Integrimeve Evropiane Sami Blakaj.

Voca: Deklarata e Ministres Hoxha është deklaratë boshe dhe non-sens

Image
Mirsad Voca

Edhe njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca deklaratën e Ministres Hoxha e ka quajtur deklaratë boshe, kjo për faktin se këtu kemi të bëjmë më përgjegjësi politike.

“Deklarata boshe dhe non-sens nga një papërgjegjësi politike e përgjithshme në Kosovë nuk rreshtin, madje mund të konsiderohen thjeshtë pjesë e fatkeqësisë politike që po i ndodhë vendit tashmë që prej dekadash. Ata janë pikërisht të njëjtët politikanë që e mbajnë peng pushtetin që nga paslufta. Sidomos, ndërrimet në qeverisje duhet të bëhen sa më shpejt dhe sa më shpesh derisa të arrihet të ndahet jo vetëm Drejtësia por edhe Administrata publike e Shtetit prej Politikës. Përndryshe, Shteti nuk do të funksionojë në favor të Popullit por vetëm në interes të disa grupeve të ashtuquajtura parti politike të cilët e keqpërdorin edhe fjalën demokraci për emërtim të Partisë vetëm sa për sy e faqe”, është shprehur Voca.

Sipas tij, shteti ka pasur, ka dhe vazhdon të ketë ngecje vetëm me qëndrimin e së njëjtës garniturë politike që nga paslufta, dhe kjo nuk do fort koment.

“Kosova ka nevojë urgjente të konsolidohet përbrenda saj sepse kjo është e vetmja mënyrë për t’i konfirmuar si dhe përshpejtuar edhe proceset në rrafshin ndërkombëtar. Assesi, nuk mund të qëndroj e kundërta e kësaj pikëpamje. Proceset në rrafshin ndërkombëtar janë të rëndësishme mirëpo pa konsolidim të brendshëm e sidomos pa depolitizim të Drejtësisë dhe të Administratës publike të Shtetit, çështje e cila po e bllokon edhe liberalizimin e vizave, edhe ato procese të jashtme do të ngecin siç kanë ngecur deri më tani. Politika e jashtme e vendit është kaotike, nuk është arritur asnjë proces që prej shumë viteve, përkundrazi ka pasur regres si në tërheqje dhe ngririje të njohjeve. Ministrat për politikë të jashtme dhe të integrimit duhet të kenë sado pak turp dhe të paktën të mos deklarohen fare”, ka thënë Voca.

Mehmeti: Dhurata Hoxha është shndërruar në zëdhënëse të PDK-së brenda qeverisë

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se Dhurata Hoxha është shndërruar në zëdhënëse të PDK-së brenda qeverise, duke përhapur propaganda çdo herë që ka nevojë kreu i saj.

“ Është skandaloze që Dhurata të vazhdojë të jetë ende Ministre e Integrimeve pas skandaleve të shumta që ka bërë në këtë ministri duke e mbi punësuar atë me militantë të PDK-së. Si dhe deklaratat e saja kontrakidtore sa i përket liberalizimit të vizave, që herë do të bëhen këtë muaj dhe herë që s’do të bëhen i mjaftojnë çdo personi për të humbur kredibilitetin e saj përballë publikut. Deklarata e saj e fundit është skandaloze, pasi pikërisht një Qeveri e dobët siç është kjo në dorëheqje ka shkaktuar shtyrje pa kufi të këtij procesi, dhe largimi i kësaj qeverie vetëm sa i ndihmon afrimit të liberalizmit të vizave. Në këtë sens e vlerësoj skandaloze deklaratën e saj, dhe si e tillë duhet mos të merret seriozisht. Dhurata është ministra më e dobët që Kosova ka pasur ndonjëherë”, ka thënë Mehmeti.

Kadriu: Nëse e don liberalizimin Dhurata Hoxha, atëherë lë ti bëjë një ‘dhuratë’ Kosovës

Image
Kushtrim Kadriu

Kurse analisti politik Kushtrim Kadriu ka thënë se Ministrja Hoxha nuk është e zonja për të drejtuar një piknik të fëmijëve që është një proces i lehtë, e lere më procesin e liberalizimit.

Sipas tij, kjo grua është ajo zëdhënësja e gënjeshtrave të politikanëve në Kosovë që gënjejnë popullin tash e nëntë vite me datat e liberalizimit.

“Kjo deklaratë është deklaratë fëmijërie ku gjithnjë kërkon të gjej një arsyeje si të arsyetoj dështimin e saj dhe të tërë spektrit politik në këtë drejtim. Liberalizim nuk ka sa janë në krye të shtetit ata që vjedhin, ata që keqpërdorin edhe tenderët e lapsave. Liberalizim nuk do të ketë me këtë skenë politike, Kosova nuk ka plotësuar asnjë nga kriteret. Po të ndodh liberalizimi kemi një dyndje të popullatës dhe si rrjedhojë e saj nuk ka dhe nuk do ketë liberalizim. Nëse e don liberalizimin Dhurata, atëherë lë ti bëjë një dhuratë Kosovës dhe të dorë hiqet bashkë me tërë shokët e sajë në qeveri, opozite etj”, ka thënë analisti politik Kushtrim Kadriu.

Mehazi: Deklarata e Ministres Hoxha është e turpshme, e palogjikshme dhe skadaloze

Image
Sulejman Mehazi

Kurse njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi ka pohuar se Ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha, nuk ka të drejtë të arsyetohet se nëse mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme do të prolongohet liberalizimi i vizave.

“Jo vetëm që s'u bë liberalizimi i vizave, por Dhurata me punën e saj hedoniste shfuqizoi njohjet e Kosovës nga njëmbëdhjetë shtete. Para se të thotë se s'është për zgjedhje të jashtëzakonshme, le të na tregonte Dhurata se ç ‘bëri gjatë këtyre dy viteve Ministria e saj? Asgjë, bile dhe një guralec të vogël nuk ka mundur të integronte në rrafshin ndërkombëtar. Si është e mundur të thotë se proceset politike të brendshme s'janë kurrgjë karshi proceseve ndërkombëtare, kur është pikërisht e kundërta, sepse nëse proceset politike të brendshme shkojnë ashtu si kërkojnë, atëherë e duan ndërkombëtarët dhe ja integrimi i Kosovës në Evropë. Nuk mund të bëhet integrimi me një qeveri plaçkitëse, të korruptuar, të skandalizuar e pasive, por me detyrat strikte që kërkojnë ndërkombëtarët. Normale, Dhurata Hoxha s'do ndryshimin e qeverisë për shkak pozicionit të saj ministror, asaj më shumë i intereson karriera e lartë politike se sa integrimi i Republikës së Kosovës në instancat më të larta evropiane”, ka thënë njohësi i çështjeve politik profesor Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat