Tri javët e ankthit nga skenari i Thaçit për qeverinë e re

Politika

Tri javët e ankthit nga skenari i Thaçit për qeverinë e re

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 6 gusht 2019 Në ora: 08:59
Hashim Thaçi

Dje u mbajt mbledhje e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës me të gjitha partitë politike e nga aty u mor vendimi që shpërndarja e parlamentit të bëhet më 22 gusht. Nga kjo datë, pas 30-45 ditëve, vendin e presin zgjedhjet e jashtëzakonshme që duhet t’i shpall presidenti i vendit.

Mirëpo, për datën 22 gusht që të shpërndahet Kuvendi, nuk janë pajtuar disa figura politike, e njëra ndër to është deputetja aktive e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se data e shpërndarjes së parlamentit është dashur të caktohet më herët, e jo më 22 gusht, pasi sipas saj, ka hapësirë për ndonjë marrëveshje për qeveri teknike.

“Caktimi i seancës për shpërbërjen e Kuvendit me datë 22 duket shumë i largët për dy arsye të paktën. Së pari për shkak të nevojave që ka vendi për shkuarjen sa më parë në zgjedhje dhe së dyti për shkak mundësisë që subjektet tjera të futen në pazare për qeveri teknike ose mandatar të ri pa zgjedhje. Propozimi jonë në mbledhje të Kryesisë ishte që seanca për shpërbërjen e Kuvendit të mbahet me datë 8 ose 14 gusht”, ka shkruar Haxhiu.

LDK: Nuk ka pasur nevojë të vonohet shpallja e zgjedhjeve

Image
Imet Rrahmani

E me këtë datë të shpërndarjes së Kuvendit, nuk po pajtohet as LDK-ja.

Deputeti i kësaj partie, Imet Rrahmani, ka thënë për “Bota sot” se nuk ka pasur nevojë të vonohet shpallja e ditës së zgjedhjeve.

Ai është shprehur se krejt këto situata duhet të reflektojnë në qeverinë e ardhshme dhe të përmirësohen.

“Sa i përket LDK-së, largimi i kësaj qeverisje është i nevojshëm një ditë e më parë. Nga dita e dorëheqjes të z. Haradinaj nuk ka pasur nevojë të vonohet shpallja e datës së zgjedhjeve, sikur që asnjë arsye nuk ekziston që deputetët të mos e votojnë shpërndarjen e Parlamentit pas vetdorëzimit të Qeverisë. Krejt këto situata aspak të lakmueshme për vendin duhet të na shërbejnë si bazë e mirë që legjislatura e re të reflektoj në kuptimin e reformimit të sistemit zgjedhor dhe në evitimin e dilemave ligjore”, është shprehur Rrahmani.

Skenari i Thaçit

Image
Profesori Enver Bytyçi

Profesori Enver Bytyçi, ka folur për “Bota sot” lidhur me këtë temë, ku ka thënë se dikush llogarit të manipulojë me kohën, ta shfrytëzojë këtë periudhë për të realizuar një koalicion tjetër qeverisës.

“Sipas vendimit të Kryesisë, Kuvendi i Kosovës do të shpërbëhet me datën 22 gusht. Njoftohet së paku se kështu është rënë dakord midis grupeve parlamentare në Prishtinë. Mund të mblidhej kuvendi edhe me datën 8 ose me datën 14 e të shpallte shpërndarjen e tij. Derisa të gjitha grupet parlamentare janë shprehur publikisht se duan të shkojnë në zgjedhjet e përgjithshme, atëherë nuk ka pas ndonjë arsye madhore për ta shtyrë shpërndarjen e kuvendit për dy javë tjera. Mesa duket dikush llogarit të manipulojë me kohën, ta shfrytëzojë këtë periudhë për të realizuar një koalicion tjetër qeverisës. Për këtë ka shfaqur interes presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, të cilit i konvenon një qeveri e re e kontrolluar prej tij”, tha ai.

Bytyçi mendon se presidenti Thaçi po tenton që ta bind LDK-në që të hyjnë në qeveri teknike, teksa ka kujtuar koalicionin LDK-PDK.

 “Dhe përveç Haradinajt, Kurtin e deri diku Kadri Veselin, ai i kontrollon gjithë liderët e tjerë politikë të Kosovës. Nuk ka politikan në Kosovë që të ketë punuar në qeveritë e drejtuara prej Hashim Thaçit e të mos jetë bërë shërbëtor i tij. Ai ka ditur si t’i manipulojë dhe t’i kapë vartësit e vet. Kjo kategori vasalësh të Hashim Thaçit gjendet kryesisht në Lidhjen Demokratike të Kosovës, sepse fatkeqësisht politikanët e kësaj partie kanë qeverisur në disa mandate me Partinë Demokratike. Sipas rregullit të treshit i bie që Hashimi llogarit më së shumti te lidershipi i LDK-së. Ky lidership sapo është rikonfirmuar në krye të partisë dhe e ka të vështirë që brenda natës të shpallë aleancën e hapur me Hashim Thaçin. Por disa shenja i ka dhënë. Ka prej tyre që ditë për ditë thonë se ‘Lidhja Demokratike është parti e interesit shtetëror’ . Teorikisht të jesh për interesin shtetëror është vlerë dhe politika këtë funksion ka e duhet të ketë. Por praktikisht kjo simbolikë përdoret atëherë kur synohet të përgatitet një kompromis në qeverisje. Krerët e Lidhjes Demokratike shihet qartë se praktikisht duan të shkojnë në qeveri me Partinë Demokratike. Por edhe kanë frikë se i ndëshkon elektorati rëndë. Duke e ditur këtë dilemë, Thaçi mesa duket ka urdhëruar shtyrjen e datës për shpërndarjen e parlamentit. Së paku ai dëshiron të tentojë në këto dy javë, mos ndoshta e bind Isa Mustafën për ta çuar dhe njëherë në karrigen e kryeministrit e pastaj për ta rruar, siç ndodhi para dy vitesh”, u shpreh ai.

Ai tutje ka thënë se Thaçi mund ta bëjë qeverinë e re me deputetë të blerë nga partitë e tjera, e si kryeministër të jetë Behgjet Pacolli. Bytyçi thotë se me këtë ai mund ta përfundoj procesin për ndarjen e Kosovës.

“Nëse nuk bindet Lidhja Demokratike, presidenti politik i Kosovës mund të tentojë të blejë deputetë nga të gjitha partitë politike, si dhe me ndihmën e Listës Srpska të krijojë një mazhorancë tjetër, me kryeministër, p.sh Behgjet Pacollin. Thaçit nuk i intereson se cilët deputetë votojnë një qeveri të re. Ai ka një objektiv – të vazhdojë i qetë dhe pa telashe bisedimet me Vuçiçin dhe të përmbyllë atë marrëveshjen e konflikteve të reja në Kosovë, në Serbi e në rajon për shkëmbimin e territoreve midis dy vendeve. Prandaj punon ditë e natë për një qeveri, të cilën e kontrollon vetë ai. Një qeveri që do të vinte nga zgjedhjet e ardhshme është gjithnjë disfavor i presidentit dhe partisë që ai ka themeluar, PDK-së. Zgjedhjet e ardhshme do të sjellin daljen në opozitë të Partisë Demokratike, sepse për shkak të rezultatit të ulët të saj, si dhe për arsye të dështimeve e reputacionit të keq që ia ka faturuar asaj Thaçi, askush nuk do të donte të bashkohej me të. Mendoj se kjo është arsyeja e vetme pse kryesia e Kuvendit e ka shtyrë shpërndarjen e parlamentit. Por nuk besoj se kjo skemë do të funksionojë. Tashmë deputetët e Kosovës nuk janë aq naivë sa të gënjehen nga një ofertë disa mujore në vend të një oferte katërvjeçare. Ndërkohë që unë besoj se shumica e deputetëve janë të vetëdijshëm se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë e vetmja alternativë për zgjidhjen e krizës dhe ardhmërinë e Kosovës”, theksoi Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat