E ardhmja e Kosovës në dorën e LDK-së, Vetëvendosje nuk tërhiqet nga kërkesa për koalicion

Politika

E ardhmja e Kosovës në dorën e LDK-së, Vetëvendosje nuk tërhiqet nga kërkesa për koalicion

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 6 gusht 2019 Në ora: 11:45
Foto ilustrim

Duket se përfundimisht vendi do të shkojë në zgjedhje. Kështu është vendosur nga Kryesia e Kuvendit, e cila ka marrë vendim që me 22 gusht ta shpërndajë Kuvendin dhe kështu t’i hapë rrugën mbajtjes së zgjedhjeve, të cilat do të mbahen në fund të muajit shtator apo në javën e parë të muajit tetor.

Mundësi të shumta për koalicione janë përmendur, por që nuk ka asgjë zyrtare nga partitë, përpos LDK-së e cila ka vendosur që të shkojë e vetme në zgjedhje.

E tani në prag të zgjedhjeve, se janë të gatshëm politikanët që të gjejnë konsensus mes vete për të ardhmen e vendit, më konkretisht për dialogun me Serbinë?

Rugova: Preferoj që opozita aktuale ta vazhdojnë partneritetin në qeverinë e re

Image
Naser Rugova

Lidhur me këtë, deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, ka thënë për gazetën “Bota sot” se LDK shkon e vetme në zgjedhje dhe kryeministri i ri dhe qeveria e re do të gjejnë mënyrën e duhur për të ndërtuar konsensus për temat e rëndësishme.

“Është vlerësim i LDK-së që ne do shkojmë të vetëm në zgjedhje. Kryeministri i ri dhe qeveria e re do të gjejnë mënyrën e duhur që të ndërtojnë konsensus për temat e rëndësishme nacionale”, është shprehur ai.

Sa i përket dialogut, ai thotë se do të duhej ta bashkonte spektrin politik, duke shtuar se preferon që opozita aktuale të vazhdojë partneritetin në qeverinë e re.

“Dialogu me Serbinë dhe proceset e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike do duhej ta bashkonin spektrin politik që Kosova të flas me një zë. Preferoj që opozita aktuale ta vazhdojnë partneritetin në qeverinë e re të vendit dhe partnerët e koalicionit aktual të jenë në opozitë, kështu po duket edhe disponimi qytetar”, ka deklaruar deputeti Rugova për “Bota sot”.

Millaku: Koalicioni i duhur mendoj se duhet të jetë LVV-LDK

Image
Drita Millaku

Ndërsa, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, vlerëson se koalicioni i duhur dhe i shpresës është LVV-LDK, që ta largojë nga pushteti PDK-në.

“Koalicioni i duhur mendoj se duhet të jetë LVV-LDK, pra ndryshe koalicioni i shpresës dhe atë për arsye të thjeshtë të shporrjes së PDK-së nga pushteti kësaj të keqeje që e ka pllakosur Kosovën dhe ia ka mbytur shpresën. Tani dialogu me Serbinë,zhvillimi ekonomik,reforma në sistemin gjyqësor dhe të sigurisë janë tema të ngutshme dhe të nevojshme që i ngarkohen qeverisjes së re”, është shprehur ajo.

Sipas Millakut, temat që e presin qeverinë janë të shumta për të cilat nevojitet dije, mund, guxim dhe punë e palodhshme.

“Temat janë të shumta e sfidat janë reale për të vënë dorë në drejtimin e vendit që ishte skandaloz dhe që nevojitet dije, mund, guxim e edhe punë të palodhshme të mbarësuar nga ideja e interesit shtetëror e kombëtar e jo individual”, ka deklaruar deputetja Millaku për “Bota sot”.

Zogaj: LDK-ja është dhe duhet të vazhdojë të jetë parti e hapur për të gjitha të tjerat

Image
Skënder Zogaj

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, mendon se partitë duhet të garojnë të vetme, pasi është mënyra më e mirë për ta njohur forcën reale që kanë dhe pas zgjedhjeve ta shohin se ku mund ta gjejnë më mirë veten.

“Tani që po afrohen zgjedhjet mendoj partitë politike serioze duhet të garojnë të vetme, sepse kjo është mënyra më e mirë që të njohur forcën reale që kanë! Kjo do t'ua ofronte mundësinë që pastaj të realizojnë edhe programe zhvillimore shtetërore e jo programe politike që nuk e kanë asnjë efekt konkret, pos mashtrimit gjatë fushatave elektorale, në të cilat deklarohen premtime boshe! Pra LDK-ja, PDK-ja, VV, AAK dhe PS duhet të garojnë vetëm dhe pas zgjedhjeve të shohin se ku mund ta gjejnë më së miri vetveten”, ka vlerësuar Zogaj.

Ai mendon se LDK duhet të jetë parti e hapur të gjitha të tjerat, duke shtuar se për probleme të mëdha si dialogu, luftimi i krimit dhe korrupsionit, do të duhej të kishin konsensus të gjitha partitë.

“Për bindjen time LDK-ja është dhe duhet të vazhdojë të jetë parti e hapur për të gjitha të tjerat, duke ju dhënë përparësi partive me orientime djathtiste, e duke u qëndruar sa më larg majtistëve, që edhe në rrethanat më të mira e dëmtojnë identiteti e traditës demokratike shqiptare! Për problemet e mëdha siç është dialogu me Serbinë, luftimi i krimit të organizuar, "krehja" e institucioneve nga nepotizmi dhe finalizimi i pavarësisë së shtetësisë së Kosovës do të duhej të kishin konsensusin e gjithë spektrit partiak, pavarësisht a janë në pozitë apo në opozitë”, ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”.

Lepaja: Mundësia për të dalë nga kjo situatë është në dorë të LDK-së

Image
Fadil Lepaja

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, ka thënë se shpërndarja e kuvendit po vonohet për shkak të pushimeve të deputetëve, duke shtuar se kjo periudhë do të shfrytëzohet për negociata e koalicione të mundshme parazgjedhore.

“Zhagitja e votimit për shpërndarjen e parlamentit duhet shpjeguar me pushimin vjetor të deputetëve dhe me nevojën që të ketë kuorum për votim, pasi parlamenti sipas kushtetutës shpërndahet me votën e 2/3 të deputetëve.Gjithashtu, kjo kohë do të shfrytëzohet për negociata për koalicionet eventuale parazgjedhore, por edhe për mundësitë që të gjendet një kompromis për qeveri brenda këtij mandati. Nëse votimi del i pasuksesshëm atëherë topi prapë kalohet te presidenti i vendit, i cili vështirë se ka interes për zgjedhje të reja, pa një marrëveshje kumbarë i së cilës do të ishte ai vet”, ka thënë Lepaja.

Sipas tij, përpos Thaçit, as ndërkombëtarët nuk ishin për zgjedhje, andaj thotë se situata e krijuar nga dorëheqja nga Haradinaj mund të përfundojë në kushtetuese sërish.

“Edhe faktori ndërkombëtar nuk ishte shumë entuziast me zgjedhjet e jashtëzakonshme, prandaj, gjithë situata e krijuar nga dorëheqja e Haradinaj, mund të përfundojë sërish në kushtetuese dhe me një kompromis të domosdoshëm si rezultat i presionit ndërkombëtar”, ka vlerësuar ai.

Lepaja vlerëson se mundësia për të dalë nga kjo situatë është në dorë të LDK-së dhe ajo e pret ofertën që nuk mund ta refuzojë.

“Unë mendoj se mundësia për të dalë nga kjo situatë është në dorë të LDK-së dhe ajo pret ofertë të cilën e ka vështirë ta refuzojë. Mustafa, si zakonisht, mbetet mjeshtër i krijimit të situatave të pamundura dhe të faktorizohet përmes daljes sërish në krye të lojës, sikur me mandatin e kaluar kur e mori mandatin qeverisës edhe pse ishte përbetuar se asnjëherë nuk do bënte koalicion me "SHIK"-un””, ka theksuar ai.

Sipas Lepajës, situata mund të komplikohet sa të gjitha partitë përpos VV-së dhe AAK-së që të ketë një qeveri kompromisi, e që nga një situatë e tillë do të përfitonin LDK dhe PDK, e kështu kjo garniturë do ta suspendonte taksën dhe do të fillonte sërish dialogun.

“Pra, situata mund të komplikohet asisoj, sa që të gjitha palët me përjashtim të Vetëvendosjes dhe AAK, do të pajtohen për një qeveri kompromisi. Sidoqoftë, nga një situatë e tillë do të përfitonin kryesisht LDK dhe PDK, por edhe të tjerët do të ishin pjesë e kulaçit. Kjo garniturë do të suspendonte taksën, me kushte, dhe do të hapte sërish dialogun me ndoshta me mundësi një zgjidhjeje para përfundimit të mandatit të Vuçiç në Serbi dhe Thaçi në Kosovë”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat