Deputeti i LDK-së tregon pse nuk bëjnë koalicion parazgjedhor me VV-në dhe vijat e kuqe për partitë tjera

Politika

Deputeti i LDK-së tregon pse nuk bëjnë koalicion parazgjedhor me VV-në dhe vijat e kuqe për partitë tjera

Nga: Gresa Bajraktari Më: 6 gusht 2019 Në ora: 22:57
Naser Rugova

LDK do të shkojë e vetme në zgjedhje, më unike se kurrë dhe e bindur se do të fitojë e vetme, pa koalicion. Kështu është shprehur deputeti i kësaj partie, Naser Rugova, në një intervistë për gazetën “Bota sot”. Sa i përket Kuvendit Zgjedhor, ai thotë se procesi është përmbyllur me sukses, derisa shton se kryetari i LDK-së do të duhej të zgjidhej me votë të fshehtë dhe të ketë më shumë se dy kandidatë. Sa i përket mos shpalljes së zgjedhjeve nga ana e presidentit, deputeti Rugova thotë se nuk e kupton pse ai dëshiron një mandatar tjetër, duke shtuar se ai ka mbetur i vetëm dhe është në panik, sa që nuk po mbështet as nga ish partia e tij. Ai po ashtu ka treguar dhe si do të veprojë LDK për çështjen e dialogut, taksës dhe liberalizimit të vizave.

“Bota sot”: Së fundmi keni pasur zgjedhjet brenda partisë. Sa jeni të kënaqur me procesin dhe kryetarin e zgjedhur?

Naser Rugova: Lidhja Demokratike e Kosovës si partia më e vjetër në Evropën Juglindore, më e madhja dhe me shtrirjen më të madhe në Republikën e Kosovës, ka përmbyllur me sukses një cikël zgjedhor, që ka përfshirë diku 936 nëndegë, 36 degë dhe një mori të madhe të njerëzve të përfshirë në këtë proces. Konsideroj se procesi është përmbyllur mirë dhe konform statutit të LDK-së, është organizuar Kuvendi i Nëntë Zgjedhor i LDK-së, në të cilin janë respektuar të gjitha normat statutare dhe është zgjedhur kryetari i LDK-së, me një shumicë absolute të mbështetjes së delegatëve të Kuvendit Qendror.

“Bota sot”: U përfol për një koalicion LDK-VV, por vendosët të shkoni të vetme në zgjedhje. Pse ndodhi kështu?

Naser Rugova:Them të drejtën me VV-në kemi pasur një bashkëpunim si dy grupe të mëdha opozitare shumë përmbajtjesor dhe shumë korrekt. Kemi ndërmarrë iniciativa të caktuara në Kuvendin e Kosovës, debate parlamentar, seanca të jashtëzakonshme, kemi organizuar tryeza në fusha të caktuara dhe konferenca të përbashkëta për medie me deputetë të fushave të caktuara në Vetëvendosje dhe kemi një bashkëpunim shumë korrekt. Sa i përket koalicioneve parazgjedhore, mendoj se do të duhej ta instalojmë në demokracinë në Kosovë që partitë e mëdha, që pretendojmë të udhëheqin me qeverinë, do të ishte fer dhe korrekte që të dalin vet të maten në barometrin e popullit dhe ajo që fiton garën tëudhëheq me qeverinë dhe proceset dhe sfidat që i ka Kosova aktualisht para vetes. Prandaj, është duke u artikuluar gjithnjë e më shumë një mendim që LDK të shkojë e vetme në këto zgjedhje, i kemi mbaruar zgjedhjet tani së fundmi, së shpejti do ta kemi dhe kryesinë e LDK-së dhe konsideroj se jemi mjaft të përgatitur, por edhe matjet, mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë na nxjerrin si partinë me mbështetjen më të madhe qytetare. Por, për të gjitha këto, vendos në fund Këshilli i përgjithshëm i LDK-së.

“Bota sot”: Po pas zgjedhjeve, me kë do të bënit koalicion dhe a keni vija të kuqe për ndonjë parti?

Naser Rugova: Unë personalisht si deputet dhe si delegat i atij kuvendi, kam vijë të kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës, e them një  JO të madhe për PDK-në, duke e ditur logjikën e tyre, mentalitetin qeverisës dhe që i kanë bërë shumë dëm Kosovës. Prandaj, koalicionet e ardhshme i shoh opozita e tashme të qeverisë me vendin, ndërsa partitë që tani në pushtet, të shkojnë në opozitë. Kjo është për të mirën e Kosovës.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni të mërkurën në gazetën kombëtare "Bota sot")

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat