Lajm i mirë për Kosovën: SHBA-ja do të involvohet drejtpërdrejt në dialogun me Serbinë

Politika

Lajm i mirë për Kosovën: SHBA-ja do të involvohet drejtpërdrejt në dialogun me Serbinë

Më: 7 gusht 2019 Në ora: 14:52
Ilustrim

Me 22 gusht pritet të shpërndahet Kuvendi, pasi kështu ka vendosur Kryesia. Ndërsa, zgjedhjet pritet të mbahen në fund të shtatorit apo në fillim të muajit tetor.

Se sa do të jenë partitë të gatshme të gjejnë konsensus për temat e rëndësishme për Kosovën, posaçërisht dialogun me Serbinë, njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Abdullahu, ka thënë se dialogu me Serbinë për një kohë jo të shkurtër do t’i eklipsojë shumë tema tjera vitale për qytetarët e Kosovës.

“Kosovën e presin sfida të mëdha. E keqja më e madhe është se dialogu me Serbinë për kohë jo të shkurtër pashmangshëm do t’i eklipsojë shumë tema të tjera vitale për jetën e qytetarëve të Kosovës, siç janë lufta kundër korrupsionit, pavarësimi i gjyqësorit, punësimi, zhvillimi ekonomik, e të tjera”, është shprehur ai.

Image
Faton Abdullahu

Sipas tij, sa i përket koalicioneve, ajo çfarë thuhet para zgjedhjeve dhe ajo çfarë thuhet se do të ndodhë pas tyre, do të jetë befasi për shumë kënd.

“Për më shumë, është ky realitet politik që do të sqarohet vetëm pas zgjedhjeve, që në thelb do t’i përcaktojë koalicionet e mundshme. Ajo çfarë thuhet para zgjedhjeve dhe ajo çfarë do të ndodhë pas tyre, sa i përket koalicioneve partiake do të jetë befasi për shumë kënd”, ka vlerësuar Abdullahu.

Po ashtu, ai vlerëson se dialogu me Serbinë do ta dizajnojë skenën politike të Kosovës dhe do të ketë dhe përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-së.

“Dialogu me Serbinë do ta dizajnojë skenën politike të Kosovës kah fundi i këtij viti. Me këtë rast do të kemi involvim të drejtpërdrejtë të partnerëve tanë ndërkombëtar, sidomos SHBA-së. Qytetarët e Kosovës në cilësinë e votuesit duhet t’i detektojnë politikanët konformistë, të korruptuar dhe jo atdhetar, sepse të tillët duhet të ndëshkohen me votat e tyre”, ka deklaruar Faton Abdullahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat