Mësoni rrezikun e ri që i kanoset Kosovës nga Serbia

Politika

Mësoni rrezikun e ri që i kanoset Kosovës nga Serbia

Nga: D. B. Më: 7 gusht 2019 Në ora: 15:23
Harta e Kosovës

Këshilltari i Presidentit Trump, John Bolton, i njohur tashmë për qëndrimet e tij nga fusha e sigurisë dhe i hapur për bashkëpunim më shumë sesa për konfrontim, sigurisht se vjen në Beograd për ta bindur Serbinë për një marrëveshje me Kosovën.

Qëndrimi i Presidencës së Trumpit me në krye J. Bolton nuk duhet neglizhuar sa i përket idesë së shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke i patur parasysh opinionet e këtij të fundit mirëpo as nuk duhet hiperbolizuar duke e ditur se ShBA nuk do të zhbënte një projekt të saj afatgjatë krahas strategjisë së saj gjeopolitike.

Kështu ka vlerësuar njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca, i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Departamenti aktual i Shtetit, nuk do të merret me “detaje” apo nuk do të ndalet tek çështja se sa është vitale apo jo për Kosovën dhe rajonin dhënia e veriut të Kosovës në këmbim të një pjese të Kosovës Lindore, më shumë sesa me peshën e raporteve të saj me Rusinë.

Sipas tij, për idenë e shkëmbimit dhe përfitimet apo përshkallëzimet madje në nivel rajonal që mund të rezultojnë nga kjo, përgjegjësia politike i takon ekskluzivisht lidershipit të Kosovës.

“Lidhur me këtë çështje dhe në rrethanat aktuale të politikave ndërkombëtare, besoj se lidershipi i Kosovës nuk duhet të anashkaloj BE-në e veçanërisht qëndrimin gjerman sa i përket një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi. E them këtë sepse sikurse ShBA ashtu dhe Rusia gjithnjë përpiqen të minimizojnë por dhe të anashkalojnë BE-në e sidomos fuqinë e parë të saj Gjermaninë sa i përket proceseve që më shumë janë çështje të BE-së. Destinacioni i vetëm, si i Kosovës ashtu dhe i Serbisë është BE-ja, prandaj, është i domosdoshëm ndërmjetësimi gjermano-francez në këto rrethana”, ka thënë Voca.

Ai konsideron, se angazhimi i John Bolton dhe vizita e tij në Beograd në shtator mund të sjellë në tryezë dhe të rifreskoj idenë e këmbimit të territoreve, zgjidhje e cila nuk do të sjellë marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“E them këtë sepse Politika serbe nuk ka ndryshuar qasje ndaj Kosovës duke ndjekur të njëjtën linjë politike atë të viteve të 90-ta. Përkundrazi, nëse Serbia fiton qasje në veriun e Kosovës dhe në pasurinë e saj nëntokësore, të cilën për arsye më shumë personale, disa liderë kosovarë e minimozojnë, Kosova do të varet edhe më shumë nga Serbia dhe nuk do të mund të funksionoj e mëvetësishme.

Në anën tjetër, siç kam theksuar edhe herëve tjera, mendoj se lidershipi ynë përmes një komunikimi jo refuzues sa i përket një marrëveshje me Serbinë, nuk duhet ngutur që të futet në këto aventura të cilave nuk u dihen pasojat në rajon por dhe më gjerë, për ç ‘gjë as Rusia, as ShBA nuk do të marrin përgjegjësi sepse raportet ShBA-Rusi kanë ndryshuar që prej ardhjes së Trump në presidencën e ShBA-së”, ka thënë Voca.

Sipas tij, konsolidimi i brendshëm i Shtetit të Kosovës por dhe i Shqipërisë është zgjedhja më e mirë që mund t’i ofrohet vendit dhe rajonit, prioritet parësor që krijon perspektiva shumë më të favorshme ndaj Serbisë, rajonit dhe BE-së duke krijuar kështu një stabilitet afatgjatë.

“Mendoj se vetëm në këtë mënyrë do të përmbylleshin problemet shumëvjeçare të Shqiptarëve, ndaj të cilëve edhe Serbia përfundimisht do të detyrohej të ndryshoj qëndrim” është shprehur njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat