Bojaj: Vendimi i fundit që ndërmori Kosova për mosnjohjen e pasaportës serbe, është hap i qëlluar edhe pse mjaft i vonuar

Politika

Bojaj: Vendimi i fundit që ndërmori Kosova për mosnjohjen e pasaportës serbe, është hap i qëlluar edhe pse mjaft i vonuar

Nga: D.B Më: 8 gusht 2019 Në ora: 17:00
Ramiz Bojaj

Vendimi që Kosova të mos e njoh pasaportën serbe, por vetëm letërnjoftimin e saj është vendim i duhur, sipas analistëve politik në vend.

Ky vendim i palës së Kosovës, për reciprocitet me Serbinë sa i përket lëvizjes së lirë, është pranuar thuajse nga të gjitha palët, për faktin se edhe Serbia nuk e njeh pasaportën me emblemën e shtetit të Republikës së Kosovës.

Kosova edhe më tej duhet të shtojë masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

E këtë duhet ta bëjë duke aplikuar segmentet shtetërore të ndërsjellta, sepse vetëm kështu mund të dëshmojë se jemi shtet në kuptimin e plotë të fjalës.

Kështu ka vlerësua analisti politik Ramiz Bojaj i cili në një prononcim për “ Bota sot’ ka thënë se vendimi i fundit që ndërmori Kosova për mosnjohjen e pasaportës serbe, është hap i duhur dhe i qëlluar edhe pse mjaft i vonuar.

“ Duke vepruar e funksionuar me vendosmëri, me parimet e sovranit, obligon edhe të tjerët të të respektojnë këto principe. Veprimet pa principe e euforike, për 20 vjet më radhë e kanë dëmtuar tej mase palën kosovare, duke hyrë edhe në fazën e kompromisit për kontestimin e shtetësisë. Më shumë se 30 marrëveshje të nënshkruara Kosovë-Serbi, nuk kanë sjellë asnjë rezultat pozitiv. Kjo edhe për fajin tonë, sepse kemi pranuar që të futemi në bisedime e marrëveshje pa asnjë kriter paraprak, duke i shërbyer interesave klanore, por edhe interesave të ndryshme gjeostrategjike, gjithnjë në dëm të Kosovës”, ka thënë analisti Bojaj.

Sipas tij, klikat e egra në pushtetin mafioz të Kosovës, gjithnjë për interesin e tyre, kanë pranuar të hapin pazare me sovranitetin e vendit tonë, me lirinë, me integritetin territorial, duke thyer parimet e shtetësisë.

“Hapja e bisedime për ndarjen e Kosovës, në mes të klaneve ndërnacionale e mafioze, Prishtinë-Tiranë-Beograd, e kanë një histori, e kanë një mision dhe një qëllim. Asgjë nuk ka rrjedhur brenda ditës. Këtu janë bashkuar bandat mafioze, klanet dhe aleancat antishqiptare, të cilat emërues të përbashkët kanë copëtimin e Kosovës. Kjo aventurë duhet marrë fund. I mbetet gjeneratës së re politike, tash pas zgjedhjeve, që të ri formatizojnë gjithë dialogun Kosovë-Serbi, duke u mbështetur në parimet ndërkombëtare të GJND-së por edhe në principet juridike e kushtetuese të Kosovës. Jo të vizatohen plane e harta nëpër kafenetë e Evropës e rajonit, për të arritur ujdi ‘historike’ mes bandave mafioze kontinentale”, ka thënë analisti politik Ramiz Bojaj.

Sipas tij, sa i përket lëvizjes së lirë, ky reciprocitet nuk pengon askënd, sepse qytetarët serbë qe jetojnë këtu duhet të pajisen me dokumentet zyrtare të Republikës së Kosovës, qe u mundëson lëvizje të lirë të tyre edhe në këtë pjesë të rajonit.

“ Nëse shqiptarët nuk mund të lëvizin lirshëm me pasaporta RKS, nëpër territorin e Serbisë, përse serbët duhet ta bëjnë këtë në Kosovë. Kush mendon se për shqiptarët nuk vlen liria, lëvizja e lirë, dinjiteti kombëtar e shtetëror?! Apo këtë liri e kanë të rezervuar vetëm për serbët, shkaktarët e katër luftërave të përgjakshme në Ballkan. BE-ja duhet të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës, e cila duhet ta përkrah Prishtinën në të gjitha vendimet e reciprocitetit. Edhe dialogu duhet të përkrahet në këtë format. Mbi këto teza duhet të rifillojë edhe dialogu për normalizim, e jo të kërkohet marrëveshje finale, duke dëmtuar shtetin e Kosovës dhe duke shpërblyer politikën dhe ambiciet ‘millosheviqiane’ të Serbisë. Vetëm drejtësia mund të garantojë paqe afatgjate dhe kjo vlen për të gjithë dhe në të gjitha kohërat”, ka thënë analisti politik Ramiz Bojaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat