Kundërshtimet Thaçi-Veseli, deputeti i LDK-së tregon arsyen pse po ndodhin

Politika

Kundërshtimet Thaçi-Veseli, deputeti i LDK-së tregon arsyen pse po ndodhin

Nga: G.B Më: 9 gusht 2019 Në ora: 14:56
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga koalicioni PAN që të dalin me një mandatar të ri.

Por, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, iu përgjigj me një letër duke thënë se Kuvendi do të shpërbëhet dhe se vendi do të shkojë në zgjedhje.

lidhur me këtë, deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk e kupton nxitimin e presidentit për një tjetër mandatar dhe në vend se ai të ishte simbol i unitet, me aventurat e tij ka mbetur i vetëm, në panik dhe nuk po e konsultojnë as ish partia e tij.

Image
Naser Rugova

“Unë nuk e kuptoj pse ky nxitim dhe ky shqetësim i presidentit ta gjejë një mandatar tjetër. Mbase presidenti që do të duhej të ishte simbol i unitetit të popullit, me aventurat e tij, idetë e tij antikushtetuese dhe veprimet tjera që e kanë dëmtuar seriozisht qenien e Kosovës, është i vetëm, në panik dhe nuk po e konsultojnë as ish partia e tij”, është shprehur ai.

Sipas Rugovës, është mirë që të gjitha subjektet kanë nxjerrë një datë me konsensus për shpërbërje të Kuvendit dhe ato të mbahen zgjedhjet në vjeshtë.

“Prandaj, është mirë që të gjitha subjektet politike kanë nxjerrë një datë me konsensus që për mua është e pranueshme, sepse nuk mund të organizojmë zgjedhje tani në fund të gushtit apo në fillim të shtatorit, por duhet thjesht të jemi real dhe të organizojmë fushatë paraelektorale dhe të shpalosim programet para qytetarëve në një kohë optimale, kur ata gjinden në Kosovë, në shtëpitë dhe punët e tyre”, ka thënë deputeti i LDK-së.

Sa i përket kundërshtimeve president-parlamentar, ato thotë se janë të vjetra prej atyre ideve të presidentit për shkëmbim territoresh, ndryshim të kufirit.

“Prandaj konsideroj se këto kundërthëniet president-parlamentar por edhe president gjitha partitë politike në vend nuk janë të reja, janë të vjetra prej atyre ideve të presidentit, prej atyre për shkëmbim territoresh, ndryshim të kufirit, sipas meje lëre që janë antikushtetuese, por janë edhe të dënueshme”, ka deklaruar Naser Rugova për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat