Fronti LDK-Vetëvendosje në luftë me krimin dhe korrupsionin, PDK në panik

Politika

Fronti LDK-Vetëvendosje në luftë me krimin dhe korrupsionin, PDK në panik

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 14 gusht 2019 Në ora: 08:14
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që të shkojë e vetme në zgjedhje dhe jo në një koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje, siç u aludua.

Megjithatë, të martën, krerët e të dy partive opozitare, u takuan në një kafene në kryeqytet, ku kanë diskutuar për situatën politike në vend dhe gjendjen e rëndë ekonomike për nevojën e daljes nga kriza dhe të vendosjes së shtetit në binarët e zhvillimit.

Kurti përmes një postimi në Facebook ka treguar se me 22 gusht dy grupet parlamentare LDK-LVV do të jenë në përbërje të plotë për ta shpërndarë Kuvendin.

“Ky ishte takimi i parë me Prof. Isa Mustafën pas rizgjedhjes së tij kryetar i LDK-së. I urova punë të mbarë dhe shëndet. Biseduam për situatën politike në vend dhe gjendjen e rëndë ekonomike, për nevojën e daljes nga kriza dhe të vendosjes së shtetit në binarët e zhvillimit. Me 22 gusht dy grupet tona parlamentare do të jenë në përbërje të plotë për ta shpërndarë Kuvendin e për t'i hapur rrugë zgjedhjeve të reja demokratike. Konstatuam që tashmë shpresa po rikthehet te qytetarët, për një të ardhme me drejtësi e përparim”, ka shkruar Kurti pas takimit.

Ndërsa, lideri i LDK-së, Isa Mustafa tha se u pajtuan që vendi të shkojë në zgjedhje që duhet të rezultojnë me një qeveri që ua kthen shpresën qytetarëve.

“Në takim me z. Albin Kurti sot, biseduam për gjendjen në Kosovë, sidomos pas dorëheqjes së Kryeministrit të vendit. U pajtuam se jo vetëm që vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje por duhet të rezultojë një qeveri që ua kthen shpresën qytetarëve, veçanërisht rinisë sonë. Kjo qeveri e re e Kosovës duhet të sillet me përgjegjësi dhe kompetencë në zhvillimin ekonomik, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, në menaxhimin e arsimit dhe shëndetësisë, në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit si dhe në hapjen e rrugës së integrimeve evropiane”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Reagime të shumta pati nga PDK-ja, pas këtij takimi, reagime të cilat nga opozita u cilësuan si frikë për të shkuar në opozitë.

Por, sa mund të kemi një qeveri LDK-VV dhe a janë reagimet e PDK-së frikë për të mbetur në opozitë?

Abazi: Koalicioni LDK-VV është trishtimi për krimin dhe korrupsionin

Image
Haki Abazi

Njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ky koalicion LDK-VV është trishtim për krimin dhe korrupsionin, se me ta Kosova do të bëhet shtet.

“Koalicioni LDK-VV është trishtimi për krimin dhe korrupsionin. E para herë që një koalicion i tillë është reflektim i vullnetit qytetar. Përveç se do të arrijë ta ç’kap shtetin nga sistemi i korruptuar dhe kriminal, do të rikthejë agjendën shtetërore te përmbajtja dhe vlerat. Kombinimi VV- LDK përbën diversitete ideologjike në aspektin zhvillimor por përbën një front të fuqishëm për drejtësi dhe shtet kuptimplotë që është parakusht për shtetin zhvillimor dhe agjendën euro-atlantike. Kosova duhet të bëhet shtet dhe për këtë ka front të bashkuar të gjithë forcave shtetformuese LDK, LVV, intelektualët, ekspertët, diaspora, dhe qytetarët që e duan shtetin dhe kanë sakrifikuar. Këtu nuk ka dallim ideologjik sepse qëllimi është më i madh se të gjitha partitë dhe se çdo individ. Kjo sigurisht qe është frikë sepse shteti i së drejtës, nuk lejon individ mbi ligjin dhe nuk lejon hajninë dhe krimin mbi interesin kombëtar”, është shprehur Abazi.

Tahiri: Komunikata tregon frikën se mund ta mos shpërndahet Kuvendi

Image
Ramush Tahiri

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri, vlerëson se takimi Mustafa-Kurti tregon një frymë të re në marrëdhëniet e dy partive, duke shtuar se komunikata tregon frikën se mund ta mos shpërndahet Kuvendi.

“Takimi i liderëve të opozitës Mustafa e Kurti tash pas dy vitesh përpjekje të pasuksesshme për të rrëzuar Qeverinë Haradinaj tregon një frymë të re në marrëdhëniet LDK e Vetëvendosje në prag të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Vet komunikata nga ky takim tregon frikën e mundësisë që Kuvendi të mos shpërndahet me votat e deputetëve nga mospjesëmarrja që do të shkaktonte mungesë kuorumi aso nga marrja pjesë por meabstenim nga votimi të deputetëve të PDK dhe të minoriteteve”, është shprehur ai.

Tahiri nuk pret ndonjë koalicion LDK-VV, derisa thotë se më mirë të shkojnë të vetme në zgjedhje, e më pas, pas zgjedhjeve në koalicion qeverisës me kryeministër që e jep partia që nga këto ka dalë e para ose ka fituar më shumë vota.

“Duke pasur parasysh animozitetet nga e kaluara e këtyre dy partive, kur LDK iku nga VLAN duke marrë Kryeministrin në koalicion me partitë e tjera apo kur Vetëvendosje bëri rreth 70 padi në Gjykatë kundër Isa Mustafës si ish kryetar i Prishtinës pasi i fitoi zgjedhjet Shpend Ahmeti...unë assesi nuk pres ndonjë koalicion parazgjedhor të këtyre dy subjekteve politike, prandaj sukses do ta konsideroja një marrëveshje parimore e aq më mirë edhe konkrete që këto parti të dalin veç e veç ne zgjedhje ndërsa pas zgjedhjeve në koalicion qeverisës me kryeministër që e jep partia që nga këto ka dalë e para ose ka fituar më shumë vota”, ka vlerësuar ai.

Sipas Tahirit, LDK është parti që ka përvojë dhe i fut partitë në lojë apo i nxjerr siç do, siç ka deklaruar Enver Hoxhaj, derisa shton se nuk do të ndodhnin këto situata po të udhëhiqnin partitë nga ideali e parimet dhe jo interesat.

“PDK si ka thënë nënkryetari i saj Hoxhaj është parti që ka përvojë në politikë dhe që partitë e tjera i konsideron rezerva të cilat i futë në lojë apo i len jashtë loje apo i nxjerr nga loja si bëri me rrëzimin e Qeverisë Mustafa. Besoj se po të udhëhiqnin partitë politike nga ideali dhe nga parimet e jo nga interesat, atëherë situatat e tilla çfarë i përshkruan Hoxhaj nuk do të mund të ndodhnin. Koalicionet parazgjedhore deri tash janë bërë për interesa meskine e klienteliste që nuk i kanë sjellë përparim partisë fituese e as qytetarëve të Kosovës sepse është tëhuajësuar vota burimore”, ka deklaruar RamushTahiri për “Bota sot.

Shahu: Një qeverisje LDK me VV por me koalicion paszgjedhor

Image
Rexhep Shahu

Në anën tjetër, ish gazetari dhe publicisti Rexhep Shahu, ka thënë se sa më të dinjitetshëm që shfaqen LDK dhe VV këto kohë,aq më shumë emocione pozitive ngjallin dhe shqiptarët votojnë me emocione jo me arsye.

“Natyrisht që koha po punon për LDK dhe VV, nëse ata nuk i heqin tulla vetes së tyre. Sa më të dinjitetshme të shfaqen këto kohë, aq më shumë emocione pozitive ngjallin dhe shqiptarët votojnë me emocione jo me arsye. Nëse ka marrëveshje qartësisht të zbatueshme që LDK udhëheq dhe ndihmohet nga VV edhe pranohet, por ekziston një frikë reale për shkak të precedentëve se LDK mund t'ia bëjë VV-së siç ia pati bërë PDK, që bënte kërdinë në abuzime dhe fatura i shkonte LDK-së”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Sipas Shahut duhet të kemi një qeverisje LDK-VV me koalicion paszgjedhor, ndërsa duhet të hiqen nga skena komandantët e pasluftës.

“Unë do të mendoja për një qeverisje LDK me VV por me koalicion paszgjedhor. Të mos harrojmë se për hir të pushtetit të gjitha partitë bëjnë martesa nga më absurdet, por thjeshtë për moral, për minimum morali duhet të hiqen nga skena politike komandantët abuzues dhe komandantët e pasluftës. Duhet tu themi komandantëve, Faleminderit komandantë, ju jeni dielli dhe shiu, ajri dhe drita, buka e kripa jonë, por boll më, faleminderit komandantë”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat