Votuesi do të ndëshkojë qeverisjen e keqe të pasluftës

Politika

Votuesi do të ndëshkojë qeverisjen e keqe të pasluftës

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 14 gusht 2019 Në ora: 10:36
Qeveria "Haradinaj" e dorëhequr

Qeveria e Kosovës në shtator të vitit 2017 ishte formuar nga një koalicion i gjerë që përfshiheshin gjithsej 23 parti politike.

Kjo përbërje kishte thyer rekordin e subjekteve politike për formimin e Qeverisë.

Ditë më parë, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se PDK si parti e qendrës së djathtë nuk do të lejojë më qeveri megalomane.

Ai përmes një postimi në Facebook, parasheh një qeveri më afër qytetarit, një qeveri të vogël dhe efikase

“Në fazën që po hyjmë, Kosova ka nevojë për avancim të shpejtë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por para kësaj, i duhen institucione efikase e kredibile që do të kenë prioritet jetën e përditshme të qytetarëve. PDK si parti e qendrës së djathtë nuk do të lejojë më qeveri megalomane, por një qeveri më afër qytetarit, një qeveri të vogël dhe efikase. Kjo mund të arrihet me grupimin e ministrive sipas profilit, por sidomos sipas prioritetit të vendit. Kështu që plani i PDK-së për një qeveri të vogël në legjislaturën e ardhshme është që të miratohet Ligji për Qeverinë dhe kështu ta zvogëlojë në mënyrë drastike numrin e ministrive”, ka shkruar ai në Facebook.

Ahmeti: Zyrtarisht mund të llogaritet se ka filluar një fushatë elektorale

Analisti politik Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, për deklaratën e Hoxhajt është shprehur se nuk është befasi, kur dihet se nga cila parti vjen.

Image
Hidajet Ahmeti

“Jo zyrtarisht mund të llogaritet se ka filluar një fushatë elektorale, dhe nuk është befasi kjo deklarate e zotit Hoxhaj e kur dihet se nga cila parti politike vjen zyrtari fjale. Prej PDK-se jemi mësuar ta dëgjojmë një fjalor të pashembullt, duke manipuluar përmes retorikes boshe, ku si qëllim kanë manipulimin e opinionit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai është shprehur se votuesi është i vetëdijshëm nuk do të futet nën ombrellën e kësaj retorike, e cila në vazhdimësi ka fabrikuar të pavërteta dhe ka krijuar situata të pafavorshme për qytetarët.

“Gjykoj se votuesi është vetëdijesuar dhe nuk do të futet nën ombrellën e kësaj retorike, e cila në vazhdimësi ka fabrikuar të pavërteta dhe ka krijuar situata të pafavorshme për qytetaret e Republikës së Kosovës. Votuesi do te gjykoj e veproj në baza racionale duke ndëshkuar qeverisjen e keqe të mbas luftës”, ka potencuar Ahmeti për “Bota sot”.

Krasniqi: Duhet ligji për qeverinë

Kurse, analisti tjetër politik, Islam Krasniqi, potencon se pa u miratuar ligji për qeveri secila parti, përfshirë edhe PDK-në, që do të vijnë në pushtet do të kenë qeverisje megalomane.

Image
Islam Krasniqi

“Përderisa nuk miratohet Ligji për qeverinë, secila parti që do të vijë në pushtet duke përfshirë edhe PDK-në, do të vazhdojë një qeverisje të tillë megalomane. Qeveria në dorëheqje ishte e tillë sa që ja kalonte edhe qeveria së Kinës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Krasniqi, ka deklaruar se mënyra për të parandaluar një qeverise megalomane është miratimi i miratohet një Ligj i tillë.

“Vetëm më një seriozitet dhe vullnet të mirë politik do të miratohet Ligji i cili do të parandalonte të kemi qeverisje megalomane në të kundrën do të përsëritet të njëjtat veprime. Qeveria në dorëheqje do të mbahet mend vetëm për dy arsye dhe atë në njërën anë për numëron enorm të ministrave dhe zv. Ministrave, ndërsa në anën tjetër për formimin e ushtrisë dhe vënien e tarifave ndaj Serbia!”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Berisha: Formulimet e fjalive të anëtarëve apo dhe të udhëheqësve të PDK-së, qesharake

Image
Ejup Berisha

Politologu, Ejup Berisha, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka shpjeguar se mund të quhet një qeverisje megaloman, siç ka thënë zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Ai ka vlerësuar se formulimet e fjalive të anëtarëve apo dhe të udhëheqësve të PDK-së të cilat kanë të bëjnë me politikën konsideroj se ndonjëherë janë joadekuate bile shpesh herë edhe qesharake.

“Së pari duhet të shihet se a është me vend që të përdoret termi Qeveri megalomane për institucionin më të lartë ekzekutiv në shtet apo për Qeverinë. Megaloman mund të quhet një individ apo dhe një grupacion njerëzish e jo edhe Qeveria . Qeveria është institucion i cili duhet të funksionojë në bazë të Kushtetutës, ligjeve dhe akteve të tjera normative nënligjore. Qeveritë mund të jenë politike, teknike, Qeveri ekspertësh, Qeveri kalimtare si dhe Qeveri koalicionesh. Vlerësoj se formulimet e fjalive të anëtarëve apo dhe të udhëheqësve të PDK-së, të cilat kanë të bëjnë me politikën konsideroj se ndonjëherë janë joadekuate bile shpesh herë edhe qesharake. P.sh a i kujtohet opinionit të përgjithshëm në Kosovë fjala Formatim i Qeverisë i përdorur nga ish Kryeministri Hashim Thaçi. P.sh fjala formatim përdoret në informatike për rregullimin e funksionimit të kompjuterëve. Fjala Qeveri megalomane që në përkthim në gjuhën shqipe do të thotë Qeveri mendjemadhe është sipas meje fjalë shumë qesharake. Mund të kemi në krye të Qeverisë Kryeministër si shef Qeverie megaloman-mendjemadh apo dhe ndonjë ministër dhe anëtarë tjetër të Qeverisë të tillë mendjemëdhenj, por kjo gjë nuk duhet të lidhet me Konceptin e ekzistimit dhe funksionimit të Qeverisë”, ka sqaruar Berisha

Gjithashtu, ai konsideron se nuk ka Qeveri megalomane, por mund të ketë Qeveri Demokratike dhe qeveri autokratike.

“Pra megaloman mund të jenë anëtarët e Qeverisë me sjelljet dhe qasjet e tyre ndaj autorizimeve shtetërore e publike dhe ndaj kompetencave të cilat i kanë dhe ju takojnë me kushtetutë dhe me ligjet e vendit por jo me Qeverinë në tërësi si organ më i lartë ekzekutiv apo e Qeverisë si bartëse e pushtetit ekzekutiv në shtet. Unë konsideroj se nuk ka Qeveri megalomane, por mund të ketë Qeveri Demokratike dhe qeveri autokratike. Në kuadër të Qeverive Demokratike nuk guxon të ketë dhe nuk ka vend për Kryeministër apo dhe për ministra megaloman apo dhe për bartës të funksioneve në administratë që do ta shihnin vetëm se interesin dhe punët e veta individuale apo dhe do t`i realizonin interesat e tyre personale apo të një grupacioni të ngushtë të tubuar rreth tyre por për Kryeministër dhe ministra që do të përkujdeseshin për realizimin e interesave të përgjithshme apo që do të ishin në shërbim të realizimit të nevojave dhe të kërkesave të të gjithë qytetarëve në shtet”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ka shtuar se me ligjin përcaktohet çështja e përgjegjësisë së Qeverisë, Obligimi i Qeverisë që gjatë punës apo funksionimit të saj të kujdeset për parimet e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë

“Kur jemi të nevoja e miratimit të ligjit për Qeverinë ky është një akt shumë i rëndësishëm juridik me të cilin rregullohet Pozita e Qeverisë, Përcaktimi dhe udhëheqja e politikës si dhe çështja e zbatimit të ligjeve. Më tej me ligjin përcaktohet çështja e përgjegjësisë së Qeverisë, Obligimi i Qeverisë që gjatë punës apo funksionimit të saj të kujdeset për parimet e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Si dhe do të përcaktoheshin të drejtat dhe detyrimet e Kryeministrit ministrave dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë. Pra ligji për Qeverinë është një akt normativ sistemor shumë i domosdoshëm me të cilin rregullohet pozita e Qeverisë mënyra e funksionimit të saj, detyrimet dhe përgjegjësitë e Qeverisë si dhe të Resorëve dhe organeve të tjera që janë pjesë përbërëse e Qeverisë. Me këtë ligj përcaktohen Përbërja mandati. Pastaj, kompetencat e Kryeministrit të ministrave, zv Ministrave dhe anëtarëve të tjetër të Qeverisë”, ka potencuar Berisha.

S`kishte interes për ligjin

Sipas, tij arsyeja pse deri tani nuk është miratuar një ligj i tillë është se bartësit e deritanishëm të funksioneve më të larta në Qeveri nuk kanë qenë të interesuar që të punojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve.

“Se pse nuk është miratuar akoma një ligj i tillë, i cili njihet si ligji për Qeverinë mendoj se deri tani nuk është bërë një gjë e tillë meqë bartësit e deritanishëm të funksioneve më të larta në Qeveri nuk kanë qenë të interesuar që të punojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve por këta deri tani kanë funksionuar në bazë të një rendi të tyre të vendosur individual dhe personal gjithmonë duke deklaruar se po punojnë në bazë të kushtetutës së vendit dhe ligjeve gjë që nuk është e vërtetë. Sikur të ishte kështu Qeveritë e deritashme nuk do të ishin rekorderë në shkeljen e rendit kushtetues dhe ligjorë në shtet. Kur Qeveria apo bartësit e funksioneve më të larta qeveritare do të punonin në bazë të ndonjë ligji për Qeverinë atëherë nuk do të kishim pushtet të papërgjegjshëm personal të Kryeministrit dhe ministrave dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë si dhe të bartësve të funksionarëve të tjerë në organet e Administratës shtetërore dhe publike, por pushteti i tyre do të ishte jo personal i bazuar dhe i rregulluar me aktet e njohura normative dhe juridike”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Në fund, Berisha ka shtuar se përkundër deklaratave të politikanëve të cilët shprehen se janë për vendosje dhe funksionim të rendit kushtetues dhe juridik, por një rend i tillë nuk ekziston.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat