Bojaj: PDK është klan i madh i një bande hajdutësh

Politika

Bojaj: PDK është klan i madh i një bande hajdutësh

Nga: D. B Më: 15 gusht 2019 Në ora: 13:46
PDK

Në rrethana normale dhe në kushtet e mirëfillta demokratike, rrotacioni politik, pozitë-opozitë nuk do duhej të shoqërohej me tone frike e paniku.

Kështu ka vlerësuar analisti politik Ramiz Bojaj qw sipas tij, vrazhdësia e shprehur e PDK-së, pas ri konsolidimit të opozitës, sidomos pas takimit të krerëve të VV-së e LDK-së për një bashkëpunim të ngushtë ose edhe koalicion, tregon se partia e cila sundon aktualisht në Kosovë është në frikë e panik të madh.

“PDK është e përshkruar si parti e kultivimit të egërsisë dhe e militantizmit politik, pas të cilave ka rrjedhur edhe shkatërrimi i shtetit, kapja e zhvatja e segmentëve më vital e qenësor, keqpërdorimi i paskrupullt i pushtetit, kapja e sistemit të drejtësisë, resorëve ekonomikë, arsimorë etj., duke e sjellë Republikën e Kosovës para kolapsit total. PDK-ja më shumë është e frikësuar nga shkapja e strukturave të veta kriminale të cilat e kanë kapur shtetin, sesa nga të qëndruarit në opozitë, pasi kjo parti tashmë është shpërfaqur e vetdemaskuar”, ka thënë analisti politik Bojaj.

Sipas tij, PDK-ja është në panik edhe nga demaskimi i planeve serbe të udhëhequra nga presidenti shumë vjeçar i kësaj partie Hashim Thaçi, i cili, jo vetëm që ka ndihmuar kapjen e zhvatjen e shtetin nga strukturat mafioze të kësaj partie, por ka cenuar drejtpërdrejt edhe integritetin territorial e sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.

“PDK-ja është alfa dhe omega e krimit të organizuar në vendin tonë, e krimit politik e ekonomik. Thjeshtë PDK është klan i madh i një bande hajdutësh, të cilët nuk lanë gjë të keqe pa i bërë këtij vendi. Të grumbulluar rreth një strumbullari grabitësish, PDK-ja mban vulën e krimit politik të Kosovës, të vjedhjes, mashtrimit, grabitjes, falsifikimi. Andaj largimi nga pushteti për PDK-në do të thotë vdekje e saj, e ku banda mafioze e “Prontos” nuk do të pajtohet lehtë. PDK duhet të reformohet rrënjësisht ose të shpartallohet, sepse Kosova ka përjetuar rrënimin e madh nën sundimin e strukturave të egra të kësaj partie. Thjeshtë shteti u konsiderua si një plaçkë lufte, e cila u trajtua si pronë private e “Prontos”, e cila u vodh, u grabit, u varfërua e u zvogëlua dukshëm nën pushtetin e këtij klani të kotillës më të keqe qe kemi pasur ne si shoqëri”, ka thënë Bojaj.

Ai konsideron se largimi nga skena politike e kësaj kotille është shpëtim për Kosovën, jo vetëm që shteti të rikthehet në binarët e normalitetit, por edhe vendi të shpëtojë nga copëtimi.

“Sot është akt i lartë etik qe të pamoralshmit, hajvanët, kusarët, kurvarët e kriminelët e “Prontos” të dëbohen nga pushteti, e më të cilët duhet të merret drejtësia. Lufta kundër krimit të organizuar duhet të jetë e pa kompromis, në mënyrë që drejtësia të triumfojë në fund. Ndryshe Kosova nuk do të ketë shpëtim, sepse klanet e egra, hajdutët e mafiozët nuk njohin kufij dhe këta nuk do të ndalën kurrë, nëse nuk i ndalim ne”, ka thënë analisti politik Ramiz Bojaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat