PAN, qeveria më dobët për nga numrat e më madhe për nga hajnia dhe krimi institucional

Politika

PAN, qeveria më dobët për nga numrat e më madhe për nga hajnia dhe krimi institucional

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 15 gusht 2019 Në ora: 21:16
Qeveria PAN

Se vendi do të shkojë në zgjedhje, tashmë, duket se nuk ka asnjë dilemë. Por, se kur do të ndodh kjo, mbetët të shihet. Po ashtu, data 22 gusht është përcaktuar që të ndodh edhe shpërndarja e Kuvendit.

Deputetët e opozitës, analistë e zyrtar të partive tjera, mendojnë se legjislatura aktuale ka lënë hapësirë të madhe për të dëshiruar.

Ata, përveç se ishin të dobët dhe të zhurmshëm, po ashtu ishin edhe të mangët.

Rexhaj: Nuk e di si do të kenë fytyrë ata deputetë të kërkojnë votë prej qytetarëve

Për Arbër Rexhajn, kjo legjislaturë do të mbahet në mend për mosfunksionimin e saj për shkak të qeverisë e cila e vogël në Kuvend të Kosovës, por e madhe në zhvatje, gati 100 zëvendësministra, dhjetëra koordinatorë të ministrive, shkruan “Bota sot”.

Image
Arbër Rexhaj

Rexhaj, për “Bota sot”, tha se mosfunksionimi i Kuvendit të Kosovës vjen si rezultat i një qeverie të dobët.

“Kjo legjislaturë do të mbahet mend për mosfunksionimin e saj për shkak të qeverisë, e cila e vogël në Kuvend të Kosovës por e madhe për nga zhvatja, gati 100 zëvendësministra, dhjetëra koordinatorë të ministrive. Mosfunksionimi i Kuvendit të Kosovës vije si rezultat i një qeverie të dobët për nga numrat e të madhe PDK, AAK, NISMA për nga hajnia dhe krimi institucional”, tha ai.

Ai, tha se Haradinaj, si ish-kryeministër e shtyu demarkacionin me Malin e Zi, duke u thirrur në liberalizim të vizave.

“Ramushi, si ish-kryeministër e shtyu përpara demarkacionin me Malin e Zi, duke u thirrur në liberalizim të vizave dhe përfundimisht nuk e di si do të kenë fytyrë ata deputetë të kërkojnë votë prej qytetarëve sepse i falën tokë Malit të Zi”, tha ai.

Rexhaj, theksoi se qeveria e PAN-it, ra por nuk duhet harruar rolin e PSD-së e cila ia zgjati jetën për disa muaj duke ia votuar projektligjet duke e prishur bllokadën opozitare.

Sipas tij, ka ardhur koha që Kuvendi të votoj mocionin dhe rrjedhimisht të kemi qeveri të re me legjislaturë të re.

Gecaj: PAN do të mbahet mend për “pronto” të hapur

Image
Bajram Gecaj

Ndërkohë, nga ana tjetër, Bajram Gecaj, zyrtar i LDK-së, për “Bota sot”, ka thënë se legjislatura aktuale sipas të gjitha gjasave do të mbahet në mend si legjislatura më e dobët që kemi patur ndonjëherë.

“Legjislatura aktuale sipas të gjitha gjasave do të mbahet në mend si legjislatura më e dobët ndonjëherë, sepse vërtet e besoj se më poshtë nuk mund të bimë. Kemi mbërri fundin dhe besoj se më poshtë nuk ka gjasa të shkojmë ndonjëherë”, tha ai.

Më tej, Gecaj, tha se koalicioni i formuar përmes manovrimeve krejtësisht jo parimore nuk mund të ishte funksional dhe se sipas tij, koalicioni në fjalë nuk arriti të përmbushë as çerekun e premtimeve.

“Koalicion i firmuar përmes manovrimeve krejtësisht të pandershme dhe joparimore, me ndihmën e matrapazëve e sekserëve dhe duke përdorur shantazhin, korrupsionin apo joshjet tjera ilegale. Koalicioni i themeluar për të shtyrë “çështjet e mëdha”, por që nuk arriti as të kaloi as çerekun e agjendës së aprovuar nga kjo qeveri. Do të mbahet në mend për shtimit e “dhjamit” individual e grupor për afera të përditshme dhe për “pronto” të hapur, për dallim nga ajo e fshehtë e PDK-së”, tha Gecaj.

Krasniqi: Kuvendi do të mbushet me rrugaçë e gangster

Image
Faik Krasniqi

Se legjislatura aktuale ishte e dobët në paraqitje, vlerëson edhe analisti Faik Krasniqi, i cili për “Bota sot”, tha se kjo legjislaturë është një nga më të dobëtat që kemi pas qysh prej pasluftës.

“Kjo legjislaturë e Kuvendit do të mbahet në mend si legjislatura më e dobët në Kosovën e pasluftës. Nëse në dy legjislaturat e para të pasluftës jemi përfaqësuar nga intelektualë të mirëfilltë duke filluar nga doktor shkencash, profesor, akademik etj, në legjislaturat e fundit jemi përfaqësuar nga deputet të tipit kaubojs”, tha ai.

Krasniqi, theksoi se shumica e deputetëve përveçse u treguan të papërgjegjshëm gjatë seancave, ata shkonin për t’u paraqitur veç sa për mëditje.

“Shumica e deputetëve janë treguar të papërgjegjshëm gjatë seancave. Shkonin në Kuvend vetëm sa për t’u shënuar për meditje, dhe direkt largoheshin nga salla e Kuvendit. Nëse partitë politike nuk e fusin në listat e tyre intelektual të mirëfilltë, kam frikë që në këtë legjislaturë, Kuvendi do të mbushet me rrugaçë e gangster”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat