Madhështia e presidentit Rugova nuk zbehet, nëse ndonjë lider partiak nuk bën homazhe tek varri i tij

Politika

Madhështia e presidentit Rugova nuk zbehet, nëse ndonjë lider partiak nuk bën homazhe tek varri i tij

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 18 gusht 2019 Në ora: 07:45
Albin Kurti, varri i presidentit Ibrahim Rugova

Se sa mund të paraqes problem pikëpamja ideologjike ndërmjet LDK-se dhe Vetëvendosjes për një koalicion të përbashkët, mbetet të shihet. Megjithatë, ka deklarata nga zyrtarë të LDK-së, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, duhet të bëj homazhe tek varri i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, në mënyrë që të arrihet koalicioni.

Njohësit e çështjeve politike, vlerësojnë se madhështia e presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, historinë që e bëri, në krijimin dhe vënien e themeleve të shtetit të Kosovës, nuk zbehet nëse ndonjë lider partiak i rastit apo me “afat” pak më të gjatë, nuk i bën homazhe tek varri i tij. Sipas tyre, inati ideologjik i LDK-së ndaj Albin Kurtit për shkak të varrit të Rugovës, do të gëzonte pa masë PDK-në e AAK-në.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Naser Rugova, ka thënë për “ Bota sot” se nëse Kurti do të bëj homazhe tek varri i ish-Presidentit Rugova, me këtë veprim, do të tregojë nivelin e tij intelektual.

Image
Naser Rugova

“Duke e marr parasysh se kreu i VV-së kohë më parë ka bërë homazhe edhe pranë varrit të ish-presidentit boshnjak, Alija Izetbegovic, atëherë mendoj se është e pashmangshme që të mos e vlerësojë edhe arkitektin e Pavarësisë së Kosovës. Thënë shkurt unë dua të besojë se kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti nëse ka bërë homazhe pranë varrit të Alija Izetbegovicit, atëherë është e pashmangshme dhe joracionale që të mos e bëjë nderimin dhe të mos e vlerësojë kontributin e madh të ideatorit dhe arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova. Kurti e ka të qartë këtë dhe e ka nivelin edhe politik edhe intelektual që ta dëshmojë këtë. Por nëse LDK dhe VV janë fitues të zgjedhjeve, atëherë Kurti së bashku me kryeministrin/en e ri/re do të shkojnë për nderime te familja e Rugovës dhe ajo e Jasharëve”, është shprehur deputeti i LDK-së Naser Rugova.

Haziri: Këto dy parti duhet parë mundësitë që të harmonizojnë një program qeverisës për ti dhanë zgjedhje të duhur problemeve të shumta që ka shkaktuar qeverisja mafioze e PAN-it

Opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë se nuk sheh se ndasitë ideologjike mund të paraqesin problem për koalicionin LDK-VV, madje kjo është dëshmuar edhe më parë, pasi partitë politike në Kosovë, kur është në pyetje pushteti ato ngritën mbi ideologjitë e tyre.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, në këtë momentum që po kalon Kosova, këto dy parti duhet parë mundësitë që të harmonizojnë një program qeverisës për t`i dhënë zgjedhje të duhur në cilësi dhe kohë problemeve të shumta që ka shkaktuar qeverisja mafioze e PAN-it.

“Ajo që po i ndanë këto dy parti e që mund të shndërrohet edhe në “Thembrën e Akilit” është posti i kryeministrit , për të cilin kanë pretendime të dyja subjektet politike LDK dhe VV në rast të bisedimeve për koalicion parazgjedhor. Sa i përket çështjes apo deklarata disa eksponentë të LDK-së se Kurti duhet të bëj homazhe tek varri i Presidentit historik Dr. Rugova, në mënyrë që të arrihet koalicioni, kjo gjë tashmë ka kaluar në banalitet. Madhështia e presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, historinë që e bëri, në krijimin dhe vënien e themeleve të shtetit të Kosovës, nuk zbehet nëse ndonjë lider partiak i rastit apo me “afat” pak më të gjatë, nuk i bën homazhe tek varri i tij. Andaj disa nga eksponentë të LDK-së, duhet të pushojnë më këtë kërkesë, pasi jo të gjithë, edhe nga radhët e LDK-së që kanë bërë homazhe tek varri i presidentit tonë Historik, Dr. Ibrahim Rugovës, kanë ndonjë nam të mirë”, ka thënë Haziri.

Kransiqi: Sikur të tillët ta respektonin presidentin Rugova, nuk do të bëheshin argatë të Hashim Thaçit

Image
Faik Krasniqi

Kurse, politologu Faik Krasniqi ka thënë se nuk e sheh si pengesë arritjen e një koalicioni në mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes, për shkak të pikëpamjeve ideologjike.

“Në Kosovën e pas luftës kemi pasur koalicione që kanë qenë diametralisht të kundërta sa i përket pikëpamjeve ideologjike. Parti të ashtuquajtura të djathta kanë qenë në koalicion me parti të ashtuquajtura të majta. Por, edhe me parti liberale e socialdemokrate kushti i LDK-së që Kurti të bëj homazhe tek varri i Presidentit Rugova në mënyrë që të arrihet koalicioni, më duket më tepër se absurd. Këto janë përralla të zyrtarëve të LDK-së, për të treguar se sa shume e respektojnë presidentin e ndjerë”, ka thënë politologu Krasniqi.

Sipas tij, sikur të tillët ta respektonin presidentin Rugova, nuk do të bëheshin argatë të Hashim Thaçit.

“Edhe Hashim Thaçi shkon bën homazhe tek varri i presidentit Rugova, por ne e dimë se në listën e zezë të tyre për likuidim fizik, ka qenë edhe presidenti i ndjerë. Listë që e dëshmojnë vet përpiluesit e listës. Lista ka qenë e Hashim Thaçit dhe shokëve të tij, dhe jo e Albin Kurtit!”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Mehazi: A do shkonte apo jo Albini te varri i Rugovës është sekondare, primarja e tyre do të ishte të rrëzojnë elitën e kriminalizuar “Pronto”

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi, ka thënë se filozofia politike thotë, se për t'u mos u pajtuar duhet gjetur shkaqe e arsyetime politike.

“Se për të koalicionuar Albin Kurti me Isa Mustafën, të shkonte te varri i Ibrahim Rugovës për t'i bërë homazh është i qëllimshme e i pa arsyeshëm për LDK, ky kusht e ka kuptimin e pengesës, e mos koalicionimit të LDK-së me LVV. E mira e LDK-së do ishte që të koaliciononte me Vetëvendosjen për të mirën e Republikës së Kosovës, për të përmbysur PDK-në e kriminalizuar, e jo të kapen me homazhin e Albinit te varri i Rugovës. A do shkonte apo jo Albini te varri i Rugovës është sekondare, primarja e tyre do të ishte të rrëzojnë elitën e kriminalizuar “Pronto”., ka thënë Mehazi.

Sipas tij, nëse LDK-ja del e vetmuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme do të dështonte, jo vetëm para Vetëvendosjes, por edhe para PDK-së e cila do koaliciononte me të gjitha partitë që janë në pushtet vetëm e vetëm të mundin LDK-në dhe Vetëvendosjen.

“Inati ideologjik i LDK-së ndaj Kurtit për shkak të varrit të Rugovës do të gëzonte pa masë PDK e AAK, ky gëzim i tyre do t’i bashkonte gjatë zgjedhjeve të ardhshme për të qeverisur radhazi dhe katër vite të ardhshme”, ka thënë njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat