22 “kurbanët”

Politika

22 “kurbanët”

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 19 gusht 2019 Në ora: 08:08
Rasti i dëbimit të gjashtë shtetasve turq

Pavarësisht se u formua një komision parlamentar për hetimin e rastit të kidnapimit dhe dëbimit të gjashtë shtetasve turq, respektivisht për të gjetur urdhërdhënësin, kjo përveçse nuk u bë, u ngritën kallëzime penale për 22 zyrtarë të policisë së Kosovës, të cilët ishin policë të thjesht dhe vetëm zbatuan urdhrat.

Kësisoj, urdhërdhënësi për arrestimin e gjashtë turqve ende nuk është gjetur, teksa në komisionin parlamentar nuk foli presidenti Thaçi, edhe pse ishte prezent, pasi kërkonte interpretime ligjore, por sjellja e tij u vlerësua si tendencë për t’iu shmangur pyetjeve të anëtarëve të komisionit.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq

Mëngjesin e 29 marsit të vitit të kaluar 6 shtetas turq ishin ndaluar gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me AKI-në dhe brenda ditës ishin deportuar për në Republikën e Turqisë.

Ky operacion shkaktoi një reagim të gjerë në Kosovë dhe hasi në një kundërshtim të fuqishëm. Si rrjedhojë, nga detyra u liruan Ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj dhe shefi i AKI-së, Driton Gashi.

Tendenca për të shpëtuar “peshqit e mëdhenj”

Image
Xhelal Sveçla

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, njëherit kryetar i komisionit për hulumtimin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq, në një prononcim për “Bota sot” e ka komentuar arrestimin e disa policëve të thjeshtë, nën dyshimin se kanë shkelur rregullat gjatë arrestimit të turqve.

Ai thotë se kjo është bërë që të shpëtohen urdhërdhënësit.

“Është e qartë tendenca që për shkeljet e shumëfishta në rastin e arrestimit dhe deportimit te jashtëligjshëm të 6 shtetasit turq, të ndëshkohen nivelet poshtë të cilët kanë zbatuar urdhërat e jashtëligjshëm të eprorëve, me idenë që të shpëtohen urdhërdhënësit, Hashim Thaçi dhe sejmenët e tij”, tha Sveçla.

Ai zotohet se nuk do ta lejojnë presidentin Thaçi që të shpëtojë njerëzit e tij.

“Kjo jo vetëm se nuk është drejtësi por është poshtërsia e radhës e Hashim Thaçit. Është koha e fundit që Thaçi drejtpërdrejt të përgjigjet për fajet e tij e jo si deri tani të shpëtoj pa therrë në këmbë e me të tjerët përreth të dëmtuar. Kësaj radhe nuk do të lejojmë që ai të shpëtoj ata që don afër tij, e të sakrifikoj ata që i levërdisë. Ai duke qenë përgjegjësi kryesor duhet të mbajë përgjegjësinë më të madhe”, u shpreh Sveçla për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Kjo është çudi dhe idiotizëm

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa analisti politik, Faik Krasniqi, për “Bota sot” e ka quajtur çudi dhe idiotizëm ngritjen e kallëzimeve penale për 22 zyrtarët policorë.

Ai tutje thotë se përgjegjësi duhet të japin drejtori i përgjithshëm i policisë, shefi i AKI-së, kryeprokurori i shtetit, ministri i punëve të brendshme dhe ai i drejtësisë.

“Kosova, definitivisht është vend i çudirave dhe idiotizmit. Në asnjë vend të botës (shteteve normale), nuk ndodh që të japin përgjegjësi ata që marrin urdhra, por përgjegjësi japin ata qe japin urdhra. Si ka mundësi që policët të përgjigjen për dëbimin e 6 shtetasve turq, të quajtur si "gylenistë". Përgjegjësi duhet të japin drejtori i përgjithshëm i policisë, shefi i AKI-së, kryeprokurori i shtetit, ministri i punëve të brendshme dhe ai i drejtësisë. Por pa përgjegjësi nuk është as kryeministri dhe presidenti i shtetit. Kallëzimi penal ndaj 22 zyrtarëve të policisë së Kosovës, është tendencë që të lartpërmendurit t'i ikin përgjegjësisë për këtë rast!”, u shpreh Krasniqi.

Burjani: Urdhërdhënësit nuk do të dihen kurrë

Image
Blerim Burjani

E njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, i tha gazetës “Bota sot” se, përgjegjësia është më e thellë në ketë rast që asnjëherë nuk do të qartësohet plotësisht.

“Policët janë ekzekutues të vendimeve, ata mund të japin përgjegjësi vetëm në rast se kanë kryer apo ushtruar dhunë me rastin e arrestimit të personave. Në rastin e gylenistëve, përgjegjësia është tek urdherdhënia, kush ka dhënë urdhër policisë, ky rast deri tash ka mbet enigmati, pra s’ka adresë të qartë për këtë temë, ka vetëm shmangie. Përgjegjësia është më e thellë në ketë rast që asnjëherë nuk do të qartësohet plotësisht. Dëmi është bërë i madh te familjet e këtyre personave”, theksoi Burjani.

Haziri: Ky është skenar i Thaçit

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa analisti politik, Nexhat Haziri, mendon se ky është një skenar i përgatitur nga presidenti, për ta bartur përgjegjësinë në adresat dytësore.

“E tëra është një skenar i përgatitur nga Presidenti Thaçi, i cili duke qenë se drejtësia është nën diktatin dhe shantazhimin nga ana e tij, po tenton që përgjegjësinë për kidnapimin e "gylenistëve" ta bartë tek adresat dytësore, siç janë policët në këtë rast. Kjo flet për rrezikshmërinë që paraqet presidenti Thaçi jo vetëm për sistemin e drejtësisë, të cilin po e mban të kapur për shkak të mbijetesës së tij politike, por është i rrezikshëm për funksionimin e Kosovës si shtet”, potencoi Haziri.

Tutje, ai thotë se përgjegjësia duhet të kërkohet nga presidenti, ish shefi i AKI-së dhe i Policisë.

“Sa i përket çështjes së kidnapimit dhe dëbimit të "gylenistëve", përgjegjësia duhet të kërkohet te tre persona e këta janë Presidenti Thaçi, Driton Gashi, ish- shefi i AKI-se, dhe Shpend Maxhuni, ish-drejtor i Policisë. Me këtë akt presidenti Thaçi ka bërë puq institucional duke e rrezikuar edhe sigurinë e vendit dhe është përgjegjësi kryesor, andaj prokuroria duhet menjëherë t’i ndërpres aktakuzat ndaj 22 policëve të cilët vetëm kanë zbatuar urdhrat e dhënë nga Thaçi, Maxhuni e Gashi”, tha Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat