Ja çka kërkon Ramiz Bojaj nga LDK-ja, përndryshe... - Bota Sot
Ja çka kërkon Ramiz Bojaj nga LDK-ja, përndryshe...

Politika

Ja çka kërkon Ramiz Bojaj nga LDK-ja, përndryshe...

Nga: D. B. Më: 20 gusht 2019 Në ora: 13:33
Ramiz Bojaj

Kosova është në udhëkryq të madh kjo për faktin se partitë politike e duan Kosovën vetëm për ta vjedhur e rrjepur, ndërsa pushteti shihet si mekanizëm perfekt për të bërë këtë. Andaj edhe koalicionet parazgjedhore, por edhe afrimet e grupeve politike me njëra-tjetrën, për në fazën e dytë, pas zgjedhore, tregon se politikbërja në Kosovë është jashtë çdo kriteri.

Kështu ka vlerësuar analisti politik Ramiz Bojaj i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se partitë e vjetra pushtetare synojnë kapjen e sa më shumë grupeve të vogla politike sidomos të copave të quajtura parti të reja, (pa prag), në mënyrë që tu hedhin hi në sy popullit, kinse këta janë të mëdhenjtë, despotët -fituesit e zgjedhjeve, me qëllim për t’i zbehur shpresat për ndryshim.

“Duke synuar vrasjen e shpresave për më mirë, atëherë opinionit tentohet ti servohet modeli i imponimit të strukturave në grupe, më moton se; nëse nuk i bashkëngjiteni klaneve të forta, nuk ka më shpresë për ju. Kjo përçon mesazhin se nëse duan punësime, biznese, avancime, paprekshmëri etj., duhet votuar grupet militante partiake, përmes të cilave pushtetarët oligarkë duhet të vazhdojnë trendin e vjetër të zhvatjes dhe nepotizmit. Qytetarët e pashpresë u mbetet të zgjidhin se cilit klan klientelist duhet ti bashkohen: SHIK-PDK-së, apo AAK-së, të cilët janë një qull, por me grupe të ndara. Kjo për faktin se ata që e sollën Kosovën para shkatërrimit, kanë subjekte politike, kanë emër e mbiemër, andaj, kamuflimet kinse për koalicione shpëtimi nuk duhet të vlerësohen nga votuesit”, ka thënë analisti politik Ramiz Bojaj.

Ai konsideron se LDK-ja duhet ta qartësojë qëndrimin ndaj VV-së, në mënyrë që votuesit të jenë më të qartë për orientimin e kësaj partie, e jo të ndodhin befasi shokuese, siç kanë ndodhur në të kaluarën.

“LDK-ja duhet të tregojë më shumë zemër e guxim për ndryshime rrënjësore në politikëbërjen e Kosovës. Ndryshimet qenësore, aq të domosdoshme për Republikën e re, as me AAK-në, e as me PDK-në, e as me PSD-në e NISMA-n nuk mund të ndodhin, sepse liderët e këtyre partive politike, edhe të këtyre copave të vogla, janë të implikuar në kapjen e shtetit, të cilët posedojnë mjaft akuza kriminale në adresë të tyre. Përgjithësisht, partitë politike nuk po sjellin asnjë strategji të re adekuate për ndryshim, asnjë program qeverisës për të mirën e qytetarëve, por po sjellin koalicione të reja, për tu bashkuar në klanet e vjetra. Kjo tregon se shteti i Kosovës nuk erdhi rastësisht në këtë derexhe të shkatërrimit, por janë këto klika të kotillës së keqe që po vrasin shpresat qytetare dhe shtetin e Kosovës”, ka thënë analisti politik Ramiz Bojaja.

Ai më tej ka shtuar, se në këto zgjedhje qe po vijnë, duket se kemi të bëjmë me krijimin e blloqeve të vjetra, përballë Vetëvendosjes, e cila duket se do të ketë luftë të ashpër me klanet e vjetra politike.

“Klanet po bëhen bashkë kundër vullnetit popullor, sepse, vetëm Vetëvendosje ka prezantuar planin e ndryshimit për të eliminuar figurat e vjetra korruptive e të komprometuara politike. Ata që nuk e deshën e nuk e duan ndryshimin iu bashkuan klaneve të vjetra, ndërsa ata që duan ndryshim të madh janë bashkuar më Vetëvendosjen. Tash mbetet të shihet se kush do të triumfojë: klanet e egra zhvatëse, të korruptuarit, nepotizmi, militantët, veteranët mashtrues, ideatorët e ndarjes së Kosovës, apo populli? Kosova ka edhe një betejë të madhe historike, të cilën duhet ta fitojë gjithsesi. Sa më shumë qe grupet e klanet e vjetra kriminelo-politike po e rrethojnë Albinin, populli po i del më shumë në krah, të cilin po e sheh si të vetmen shpresë për fitoren e madhe të Republikës, në luftë me hajnat e tyxharët e kombit”, ka thënë analisti politik Ramiz Bojaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...