A po largohet Behgjet Pacolli nga AKR? Flet sekretari i përgjithshëm i kësaj partie

Politika

A po largohet Behgjet Pacolli nga AKR? Flet sekretari i përgjithshëm i kësaj partie

Nga: N.H Më: 21 gusht 2019 Në ora: 22:52
Behgjet Pacolli

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka demantuar deklaratat e deputetit Milaim Zeka, pasi ky i fundit tha se ka informacione ekskluzive se Behgjet Pacolli do të largohet në këto zgjedhje nga drejtimi i AKR-së.

Sipas Makollit, ky lajm nuk është i vërtetë, pasi ai thotë se një gjë e tillë nuk bëhet ad-hock, ndërsa shpjegon se partia e tij i ka edhe organet e saj nga ku edhe merren vendimet.

Image
Vesel Makolli

“Kjo nuk është e vërtetë. Behgjet Pacolli do të jetë edhe me tej kryetar i AKR-së. Partia e ka kryesinë e saj dhe nuk mundet një gjë e tillë të ndodhë ad-hock. Të bëhet një ndryshim i tillë është e pakuptimtë. Nuk bëhet kjo punë se po shkojë unë dhe po vjen ti. Ka rastisur që z. Selimi të jetë vëllai i Behgjetit, mirëpo të tilla lidhje familjare ka edhe në parti tjera”, ka thënë Makolli.

Ai gjithashtu thekson se kryesia aktuale e AKR-së është vetëm në gjysmë të mandatit.

“Çdo parti ka rregullat e saj, ne i kemi pasur zgjedhjet para dy viteve dhe kjo udhëheqësi ka edhe dy vite mandate, andaj ne jemi në gjysmë të mandatit”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli, për gazetën “Bota sot”.

Deputeti Zeka, në një paraqitje televizive ka thënë se ka informacione të sigurta se Behgjet Pacolli do të largohet nga pozita e kryetarit të AKR-së. Ai gjithashtu thotë se ka informacione se në krye të këtij subjekti do të vije Selim Pacolli, raporton “Bota sot”.

Ndërsa, Zeka potencon se qasja e Selim Pacollit do të jetë më ndryshe, krahasuar me politikën e deritanishme të Behgjet Pacollit.

Deputeti Zeka thotë se Behgjet Pacolli ka qenë tolerant në koalicione, dhe se një gjë të tillë nuk do ta bëjë edhe Selimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat