Dialogu i vonuar! - Bota Sot
Dialogu i vonuar!

Politika

Dialogu i vonuar!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 22 gusht 2019 Në ora: 16:52
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuçiq

Procesi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar pas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e cila mirëpriste mendimin këshillëdhënës të GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe mirëpriste gatishmërinë e BE-së për të lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi. Mirëpo gatishmëria për një marrëveshje nuk po ndodh aq lehtë pasi që vazhdimisht po janë prezentë mospajtime për tema të ndryshme si nga ana e Kosovës ashtu edhe nga ana e Serbisë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetët njëra ndër temat më të përfolura në vendin tonë, njëra ndër temat që prek të dy palët. Ky dialog i cili ka filluar qe një kohë të gjatë përveç përpjekjeve për një marrëveshje asgjë më shumë nuk po ndodhë. Lidhur me dialogun kanë reaguar edhe shtetet evropiane ato po bëjnë presion për një marrëveshje dhe pajtim të marrëdhënieve mes të dy shteteve mirëpo ende mbetet temë e pambyllur.

Tashmë që do të ndodhin edhe zgjedhjet në Kosovë, janë të pranishme edhe premtimet e krerëve të partive sa i përket rregullimit dhe zgjedhjes së dialogut. Por sa do të sjellë të mira një qeveri e re flasin deputetët dhe analistët e vendit.

Kollçaku: Formati i dialogut Kosovë-Serbi i gabuar

Deputetja nga radhët e Partisë Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, në një prononcim për “Bota sot”, tha që nëse presim edhe pak për dialog nuk do të thotë asgjë pasi që kemi pritur 20 vjet, dhe se nuk e kemi për ngutë pasi që pushtetarët e Serbisë ende nuk janë ndërruar.

Image
Fatmire Mulhaxha-Kollçaku

“Tashmë 20 vjet kanë kaluar edhe nëse pret edhe disa muaj nuk është asgjë aq e ngutshme sepse nuk është çështja e përmbylljes ose një rifillim i një dialogu nuk është diçka e ngutshme sepse dihet që Serbia nuk e ka ndryshuar politikën e vet. Fillimisht iu është dashtë me shikua pushtetarët e Serbisë të cilët nuk janë ndërrua domethënë nuk ka ndodhë demokratizimi i Serbisë, nuk ka ardhë deri tek ndërrimi i pushtetit ku do të vinim në një forcë demokratike, është pasardhësi i Sheshelit edhe Milloshoviqit që janë ende në pushtet që është shumë për keqardhje”, tha Kollçaku.

Më tej, deputetja tha që shteti i Serbisë na vënë masa dhe që ne nuk kemi pasur përgjigje prandaj duhet një reciprocitet politik dhe ekonomik në mënyrë te njëjtë me politiken e Serbisë.

“Fakti që në Serbi nuk ka pas reflektim nënkupton që edhe pala shqiptare nuk mundet me u ngutë me tentua me përmbyllë diçka që është e pamundur, me u përmbyllë shpejtë. Serbia na ka vendos shumë masa deri tash të cilat ne nuk kemi pasur përgjigje prandaj ajo që është dashtë me ndodhë ka qenë një reciprocitet politik, ekonomik domethënë i plotë me Serbinë dhe atëherë Serbia ish detyrua me rishiku politikën e vet. Domethënë nëse edhe Kosova iu kish kundërpërgjigj njëjtë, mënyrën ë njëjtë politikës së Serbisë ne nuk do të humbnim asgjë”, u shpreh Kollçaku.

Kollçaku, shprehet që Kosova ka qenë shumë agresore në vend tonin dhe se ka borxh një kërkim falje për këto dëme që ka shkaktuar.

“Në anën tjetër Serbia i ka shumë borxhe Kosovës, për faktin që ka qenë agresorë këtu sepse ka vrarë aq numër të madh të njerëzve e mos ti përmendi edhe dhunimet , gjitha ato dëme të luftës dhe asnjëherë nuk ka kërkua falje, përveç që duhet të kërkoj falje duhet edhe të paguaj dëmet e luftës”, tha Kollçaku.

Në fund, Kollçaku, shprehët që dialogu duhet të fillojë nga poshtë e lartë domethënë duhet të dialogojmë me serbët në Kosovë pastaj me shtetin fqinjë.

“Si fillim ne mendojmë që dialogu duhet të fillojë me serbët në Kosovë, njerëzit që jetojnë dhe veprojnë këtu, nevojat e tyre, risocialimin i tyre në jetën e përditshme edhe thjeshtë nevojat e tyre, pastaj me Serbinë si një shtet fqinjë që është e qartë që një formë e dialogut do të fillojë mirëpo jo si i tillë, krejt formati i tanishëm ka qenë i gabuar, një dialog ndryshe nga poshtë lartë duke fillua me bisedua serbët që jetojnë këtu edhe në bazë të nevojave të tyre këtu duhet me vazhdua me shtetin fqinjë i cili na ka mjaftë borxh ndërsa ne nuk i kemi borxh asgjë”, përfundoi, Kollçaku.

Rugova: LDK-ja do të marrë gjitha hapat që dialogu të përfundoj me njohje reciproke

Image
Naser Rugova

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Naser Rugova, në bashkëbisedim për “Bota sot”, tha që dialogu mes dy shteteve do të ishte zgjedhje përfundimtare dhe se nëse qeveria e re e Kosovës do të udhëhiqet nga LDK-ja atëherë do të merren gjitha hapat që të përfundoj me një zgjidhje për të dy shtetet.

“Dialogu mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë është çështje që pret dhe do zgjidhje përfundimtare. Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga LDK do të marrë të gjitha hapat e nevojshëm që kjo çështje e interesit për stabilitet rajonal dhe integrim të dy vendeve në BE, të përfundoj me njohje reciproke, me një pajtim final duke ju dhënë zgjidhje të gjitha temat që kanë qenë shqetësime publike dhe institucionale për të dy vendet”, përfundoi, Rugova.

Haziri: Nuk pres që para fillimit të vitit të ardhshëm të ketë një vazhdim dialogu

Image
Nexhat Haziri

Analisti politik, Nexhat Haziri, për “Bota sot”, tha që mund të ndodhë vonesë e dialogut mirëpo sipas Hazirit partitë politike nuk duhet të fokusohen në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë por për situatën e përgjithshme në vend pasi që është e mjerueshme.

“Ajo që mund të ndodhë është vonesa e vazhdimit të dialogut me Serbinë dhe eventualisht vonimi i arritjes së një marrëveshje që për të dyja vendet do të ketë pasoja, sidomos në agjendën e tyre drejtë integrimit në BE. Megjithatë nëse merret parasysh pozicioni i Kosovës në raport me BE dhe gjendja e rëndë në të gjitha sferat e jetës, shqetësimi kryesor partive politike në vend gjatë kësaj fushate nuk duhet të jetë vetëm dialogu me Serbinë, por situate e përgjithshme në vend e cila është e mjerueshme në të cilën e ka katandisur qeverisja kriminale e koalicionit PAN”, tha Haziri.

Më tej, Haziri, tha që e sheh një tendencë që partitë politike e shohin po merren më shumë me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë sesa luftimin kundër krimit të organizuar, gjë që nuk duhet të ndodhë.

“E shohë një tendencë, sidomos tek liderët e partive partnere në koalicionin PAN, të cilat dështimet e tyre po mundohen ti fshehin vetëm më procesin e dialogut me Serbinë. Po ashtu edhe nga partitë e opozitës aktuale, shihet një prirje e tyre që ti kushtojnë më shumë rëndësi gjatë kësaj fushate për zgjedhjet e parakohshme, procesit të dialogut me Serbinë, se sa luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë e të tjera. Nuk them se dialogu me Serbinë dhe arritja e një marrëveshje eventuale me shtetin fqinjë nuk është e rëndësishme për Kosovën, por ky proces nuk duhet ta marrë gjithë fokusin e qeverisë së ardhshme, pasi ka çështje të tjera të pazgjedhura që kanë impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarit tone”, u shpreh Haziri.

Në fund, Haziri, tha që dinamika e ngjarjeve aktuale ka bërë që të zgjatet vazhdimi i dialogut dhe se sipas tij deri në vitin e ardhshëm nuk pret të ndodhë ndonjë marrëveshje që do të normalizoj marrëdhëniet mes dy vendëve.

“Sipas dinamikës së zhvillimit të ngjarjeve apo proceseve aktuale, nuk pres që para fillimit të vitit të ardhshëm të ketë nja vazhdim dialogu, mbase në periudhën e mbetur të këtij viti, flas pas zgjedhjeve dhe formimit të institucioneve të Kosovës mund të ketë ndonjë takim me palën serbe sa për fotografi dhe për të dhënë ndonjë mesazh për opinionin se megjithatë Kosova dhe Serbia janë të përkushtuar për të arritur marrëveshje që do ti normalizonte marrdhëniet në mes të dy vendeve”, përfundoi, Haziri.

Ahmeti: Qeveria e re duhet të jetë më serioze

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti politik, Hidajet Ahmeti, për “Bota sot”, tha që dialogu është një mundësi për stabilitet për rajonin perëndimor mirëpo që Kosova duhet të marrë primatin e jo të të jetë inferior karshi shtetit të Serbisë.

“Dialogu është një mundësi e mirë për stabilitet në Rajonin perëndimor, por dialogu duhet të zhvillohet brenda kornizës së normalitetit ndërkombëtar, duke dialoguar si dy shtete të barabarta në rendin ndërkombëtar. Kosova si shtet duhet ta marre primatin e jo te jetë inferiore karshi një dialogu me logjikë hegjemoniste nga shteti Serbë”, tha Ahmeti.

Më tej, Ahmeti, tha që qeveria e re duhet të merret me seriozitet sa I përket kësaj çështje të ndjeshme, dhe se një qasje tjetër duhet të jetë e domosdoshme për Kosovën pasi që deri tash ka qenë mjaftueshme e nënshtruar karshi Serbisë.

“Qeveria e re duhet të jetë më serioze karshi kësaj çështje të ndjeshme për shoqërinë shqiptare veçanërisht karshi substancës Republikë, të cilën e kanë nëpërkëmbur për këto vite dialog. Qasja ndryshe është e nevojshme por edhe e domosdoshme, pasi Kosova për këto vite ka qenë e nënshtruar karshi Serbisë, duke lejuar të caktoj agjendën e dialogut, por edhe përmes Kosovës duke u afruar me BE-në”, u shpreh Ahmeti.

Ahmeti, tha që qëllimi i këtij dialogut është anëtarësimi në BE e jo dialog brenda kornizave parimore, dhe se BE-ja me MSA-së ti vendos kushte për ta njohur Serbinë dhe të paguaj për dëmet e luftës.

“Gjykoj se dialogu do të ketë vazhdimësi, pasi Serbia e ka si qëllim anëtarësimin në BE e jo te dialogoj brenda kornizës parimore. BE-ja si ndërmjetëse e dialogut e ka mundësinë që në kapitullin e 35-të të MSA-se t'i vendosë kushte Serbisë, në njërën anë për ta njohur Pavarësinë e Kosovës, të paguaj dëmet e luftës, të bëjë edhe kërkim falje për gjenocidin, maltretimin dhe dëmet material”, përfundoi, Ahmeti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...