Pse gënjeu Shpend Ahmeti, kush ia ndaloi vizitën te varri i Ibrahim Rugovës?

Politika

Pse gënjeu Shpend Ahmeti, kush ia ndaloi vizitën te varri i Ibrahim Rugovës?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 24 gusht 2019 Në ora: 18:57
Shpend Ahmeti dhe Albin Kurti dikur në Lëvizjen Vetëvendosje

Çështja e homazheve te varri i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova vazhdon edhe me tej të jetë teme diskutimi. Tashmë, së fundi, për këtë çështje, është deklaruar edhe një lider i një partie politike, i cili me deklaratën e tij ka ngritur shumë pluhur në skenën politike në vend.

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka deklaruar se për kohën e tij sa ishte në Lëvizjen Vetëvendosje tha se anëtarë të atij subjekti nuk e kishin lejuar të shkonin tek varri i Ibrahim Rugovës. Përderisa nuk zbuloi edhe emrat e atyre që i kishin parandaluar për një gjë të tillë.

“Doja të shkoja në varrin e Ibrahim Rugovës pasi që më takonte si kryetar i Prishtinës”, tha Ahmeti.

“Por ata nuk më lejuan. Kur vinë ata në emision ju tregojnë çka më kanë thënë. Pyetni ata Albinin dhe të tjerët, çka më kanë thënë kur unë si kryetar i kryeqytetit do të shkoja në varrin e Ibrahim Rugovës”, ka deklaruar i pari i PSD-së dhe Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), të tilla deklarime janë tentim i “shfajësimit politik” para votuesve, me qëllimin sa për t’i mashtruar dhe bindur për ndonjë votë qytetarët.

Ndërsa, analistët dhe njohësit e rrethanave politike në vend, konsiderojnë se sikur Shpend Ahmeti të kishte thënë një gjë të tillë sa ka qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosjes do të ishte e besueshme. Sipas tyre, varri i presidentit Ibrahim Rugova është bërë “mollë sherri” mes partive politike në vend.

Rrahmani: Deklarata sa për t’i mashtruar dhe bindur për ndonjë votë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imet Rrahmani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, është shprehur se të tilla deklarata janë tentim i “shfajësimit politik” para votuesve, sa për t’i mashtruar dhe bindur për ndonjë votë.

Image
Imet Rrahman

“Deklaratat e ndryshme për figurën e Presidentit Rugova sa janë tentim i “shfajësimit politik” para votuesve, sa për t’i mashtruar dhe bindur për ndonjë votë aq janë edhe shprehje e imoralitetit, revanshizmit dhe hipokrizisë në luftën për pushtet nga të gjithë ata që e shan dhe e mohuan”, ka thënë deputeti i LDK-së.

Tutje, Rrahmani ka thënë se e pandryshueshmja është se Presidenti Ibrahim Rugova është sinonim i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Por, kryesorja, e pandryshueshmja dhe e papërsëritshmja është se Presidenti Rugova është sinonim i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, deshti dikush apo s’deshti të e pranoj apo të e respektoj. Sa më herët që kjo kuptohet nga të gjithë është më mirë edhe për Kosovën”, ka thënë mes të tjerave deputeti i nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imet Rrahmani, për gazetën “Bota sot”.

Maxharraj: Varri i presidentit Ibrahim Rugova “mollë sherri” midis partive

Profesori dhe analisti politik, Binak Maxharraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, duke folur për deklaratën e Ahmetit, fillimisht ka bërë një koment për situatën e krijuar politike në vend.

Image
Binak Maxharraj

“Në prag të koalicioneve parazgjedhore jeta politike i përngjanë një zgjoi bletësh, secili del nga foleja për të kërkuar partner, çoftë parazgjedhor apo paszgjedhor. Këtë e bëjnë së disa parti të vogla që kërkojnë strehim të ndonjë parti pak më madhe nga frika se zgjedhjet do t’ua humbasin farën. Përderisa Partia e “Prontos” mafisë ka mbetur në izolim të hekurt e rrethuar nga të gjitha anët me vijat të kuqe të hekurta, debatet dhe bisedat më të shpeshta kohët e fundit po bëhen për një koalicion parazgjedhor midis opozitës LDK-së dhe LVV-së”, potencon Maxharraj.

Me tej ai ka thënë futja e varrit të Presidentit historik Ibrahim Rugova në lojën për arritjen e një koalicioni midis këtyre partive është e turpshme.

“U bënë takime, propozime, dolën se jemi afër, por që edhe nuk jemi afër për një koalicion të madh i cili do të shpëtonte Kosovën nga kthetrat e Pronto mafisë e cila ka kapë, zaptuar shtetin me ushejzën e vetë kriminel, SHIK. Por ajo së çka është më e dhimbshme, jo toleruese, skandaloze dhe shumë e turpshme është futja e varrit të Presidentit historik Ibrahim Rugova në lojën për arritjen e një koalicioni midis këtyre partive. Kjo është pritë me rizgjedhjen “demokratike” e antirugovistit më të përbetuar ne kreun e LDK, Isa Mustafës”, ka thënë Maxharraj.

Maxharraj ka drejtuar edhe kritika në drejtim të partisë së Isa Mustafës, duke i akuzuar këta të fundit për afrim me PDK-në e Kadri Veselit.

“Kjo garda e vjetët e cila hiq nuk është më e mirë se sa Pronto mafia, për t’i ruajtur pozita e veta në kapjen shumëvjeçare të LDK-së, të deklaruar së nuk duhet bërë koalicion më VV-në sepse lideri i saj Albin Kurti nuk e ka vizituar asnjëherë varrin e Ibrahim Rugovës. Më i zëshme dhe më i porosituri për këtë punë ishte Lutfi Haziri i cili edhe është i njohur më miqësinë e tij më Pronto mafinë, i cili edhe në bazë të kësaj miqësie edhe është bërë njeriu nderë pasaniket më të mëdhenj të LDK-së që nuk ua lëshon rrugën as atyre të PDK-së. Ky nuk përton që të përsërit si papagalli se nuk bëjmë koalicion me Vetëvendosjen sepse ata nuk e vizitojnë dhe përkulën pranë varrit të Ibrahim Rugovës. Kjo është punë shtrigash. Çfarë kuptimi do te kishte një non-sens i tillë edhe sikur VV do të thoshte se partia e plakur e LDK-së nuk e vizitojë asnjëherë varrin e Adem Demaqit”, deklaron ai.

Maxharraj shton se presidenti historik Ibrahim Rugova është ikonë e Kosovës, është vlerë kombëtare i cili dha shumë deri ne vdekje për lirin e Kosovës, dhe i cili e dërgojë Kosovën deri në skutat më të largëta të cilat nuk dinin se ku është Kosova.

Ndërsa, për deklaratën e Ahmetit, Maxharraj nënvizon se deklaratat e liderit të PSD-së nuk mund të jetë e vërtet, pasi sipas tij, nuk përmendi asnjë emër.

“Koalicioni nuk behët për varre, por për një bashkëpunim, për ide dhe programe për një qeverisje më të mirë, për një zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe punësim më të madh, për një arsim dhe shëndetësi të mirëfilltë. Nga ana tjetër edhe i arratisuri dhe rebeli i dikurshëm Shpend Ahmeti pas kaq shumë vite gjoja paska deklaruar se VV-ja nuk e paska lënë (pa e përmendë asnjë emër) të shkojë të bëjë homazhe te varri i Presidentit historik Ibrahim Rugova. Kjo deklaratë e rebelit më rrënjë të Devollëve, nuk mund të jetë e vërtet, është një non-sens dhe rrenë e këtij prijësi të kaçakeve të dikurshëm të arratisur nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili për karrierë është një gjendje të bëjë çdo gjë. Vizitat , homazhet dhe përulja pranë varreve është një shenjë respekti ndaj njeriut që e viziton, ajo mund të jetë edhe vizitë private e çdo njërit që të vizitoi varrin e kujtdo çoftë dhe se askush nuk ka të drejtë që dikujt t’ia ndalojë të bëjë një gjë të këtillë”, ka nënvizuar Maxharraj.

Krejt në fund, Maxharraj ka theksuar se edhe presidenti aktual, Hashim Thaci, e ka vizituar jo me dëshirë dhe zemër të hapur varrin e Ibrahim Rugovës.

“Edhe presidenti aktual Hashim Thaçi e ka vizituar jo me dëshirë dhe zemër të hapur varrin e Ibrahim Rugovës, sepse të vizitohet dhe të përulët para varrit të ikonës së kombit nga ana e Hashim Thaçit i cili dikur e mbante në grykë të pushkës është vetëm një mashtrim e mbështjellë me velat e histerisë se tij. Ai me dëshirë, pa e shty askush i viziton varret e serbëve të cilët na vranë na gjymtuan si populli. Shkon përulët te përmendorja e atyre ku shkruan se këta ishin viktima të terroristëve shqiptarë. E krejt kjo nuk ishte e rëndësishme për presidentin e Thaçi. Shumë e çuditshme që “terroristi” t’i përkulët viktimës”, ka përfunduar Maxharraj.

Krasniqi i quan jo të besueshme deklarimet e Ahmetit

Nga ana tjetër, politologu, Faik Krasniqi, ka thënë se deklarimet e Ahmetit janë jo të besueshme, pasi një gjë të tillë, i pari i Prishtinës nuk e kishte thënë sa ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Image
Faik Krasniqi

“Sikur Shpend Ahmeti të kishte thënë një gjë të tillë sa ka qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosjes do të ishte e besueshme. Por, si te besojmë gjëra të tilla pasi ai nuk është më pjesë e tyre. Ne e dimë fare mirë se çfarë fjalë thoshte për Lëvizjen Vetëvendosje sa ishte pjesë e saj, kurse sot ai dhe gjithë ata që kanë dalë prej saj flasin gjërat më të këqija”, ka thënë Krasniqi.

Sipas Krasniqit, dëme më të mëdha Kosovës i kanë shkaktuar ata që janë thirrur në emër të Presidentit Rugova.

“Shpend Ahmeti sikur po harron që falë Vetëvendosjes dy herë fitoi Prishtinën. Nuk është fundi i botës edhe nëse nuk vizitohet varri i presidentit Rugova. Më shume dëme këtij vendi i kanë shkaktuar ata që janë thirrur në emër të Presidentit Rugova”, ka përfunduar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat