Kujdes nga PDK-ja, ajo është kampione e vjedhjes!

Politika

Kujdes nga PDK-ja, ajo është kampione e vjedhjes!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 25 gusht 2019 Në ora: 17:42
Kadri Veseli

“Besoj në punën e KQZ-së dhe nuk besoj në manipulim të votave, pres qeveri stabile të udhëhequr nga LDK me 61 vota shqiptare në Kuvend”.

Në një seancë të jashtëzakonshme me 89 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Kjo ka ardhur pas dorëheqjes se kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj i cili mori ftesë që të intervistohet nga Gjykata Speciale si i dyshuar.

Pas shpërndarjes së Kuvendit, u hap rruga për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Por, si pritet që të shkojnë këto zgjedhje, kur shihet se pazaret politike kanë filluar që prej dorëheqjes së Ramush Haradinajt.

Sa do të mund që kësaj radhe zgjedhjet të jetë fer dhe korrekte pas ndonjë organizim për vjedhjen apo rritjen e numrit të votave sikurse në zgjedhjet paraprake ndër vite që na kanë përcjellë.

Millaku: Pazaret e partive që po bëhen janë nga frika për humbje të pushtetit

Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Drita Millaku për gazetën “Bota sot” ka thënë se, ne si Lëvizje kemi krijuar përvojë sa i përket zgjedhjeve, do ta mbrojmë votën e qytetarit pa kompromis.

“Pazaret e partive që po bëhen janë nga frika për humbje të pushtetit”.

Sipas saj Vetëvendosje ka kërkuar vazhdimisht për një koalicion parazgjedhor me LDK-në për shkak të interesit shtetëror e jo partiak.

“Me bindje të fortë them se pa marrë parasysh a do të ketë koalicion parazgjedhor me LDK-në, Vetëvendosja do të dalë parti e parë”, përfundoi Millaku.

Rugova: Presim qeveri stabile të udhëhequr nga LDK

Ish-deputeti Naser Rugova për “Bota sot” ka thënë se, besoj në zgjedhje të lira fer dhe demokratike, si LDK janë të gatshëm si kurrë më parë.

Image
Naser Rugova

“Besoj në punën e KQZ-së dhe nuk besoj në manipulim të votave, pres qeveri stabile të udhëhequr nga LDK me 61 vota shqiptare në Kuvend”, ka thënë Rugova.

Krasniqi: Kujdes nga PDK-ja

Analisti Faik Krasniqi për “Bota sot” ka thënë se, pazare politike gjithmonë ka pasur në Kosovë, ndërmjet partive politike.

Image
Faik Krasniqi

“Kalkulimet e partive politike nuk janë diçka që na bën të çuditemi. Çdo parti synon pushtetin, dhe është mëse normale që përmes koalicioneve duan të arrijnë një gjë të tillë. Partitë e vogla në pamundësi që të kalojnë pragun, duhet të bëhen bashkë me partitë më të mëdha”, ka thënë analisti Krasniqi.

Sipas tij, mungesa e reformës zgjedhore lë hapësirë për manipulime nga partitë që janë mësuar të vjedhin vota.

“Kemi PDK-në që është kampione e vjedhjes industriale të votës. Nga PDK-ja duhet patur kujdes nga manipulimi i votës. Edhe pse e dinë që janë të humbur dhe futen në zgjedhje aq shlirë, kjo lenë shumë për të dyshuar. Partitë politike përmes komisionerëve dhe vëzhguesve të tyre, duhet të jenë shumë të kujdesshme dhe ta mbrojnë votën e sovranit”, shprehet Krasniqi.

Maloku: LDK dhe LVV të bëjnë koalicion parazgjedhor

Sociologu njëherësh profesori Fadil Maloku për “Bota sot” ka thënë se nëse LDK dhe LVV arrijnë një koalicion parazgjedhor që të dyja do të fitonin.

Ai ka përmend disa nga fitoret që sipas tij këto dy parti do të avanconin përpara.

Image
Fadil Maloku

“LDK-ja, fiton sigurinë nga frika e krimit dhe korrupsionit fillestar, ngase, këta të VV ende s’kanë “absolvu” sa dhe si duhet në këtë sjellje devijante sociale, stabilitetin qeverisës, që miqve ndërkombëtarë u nevojitet si “ajri”, në (negociatat me Serbinë) rikonfigurimet e reja gjeostrategjike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, satisfaksionin e përmirësimit të imazhit publik, që iu ka zbehë gjatë qeverisjes me PDK-në, në mandatet e kaluara, respektin dhe garancionet për një qeverisje meritokratike, që sa kohë është duke e shpërfillur përmes ushtrimit të ndikimit të pleqve “rugovistë”, sidomos në proceset vendimmarrëse, të drejtën moralo/politike për ta fuqizuar demokratizimin e brendshëm, që i ka munguar dhe i mungon ende, sidomos në procedurat zgjedhore të liderishipit, mandatin social për ta dëshmuar nismën e ndryshimit për procesin dhe kauzën e shtetndërtimit, që në qeverisjen me PDK-në (sipas vetë PDK-së) ishte “tradhtuar” keq..., guidën e re për ta flakur adutin e inferioritetit, që ajo në vazhdimësi e kultivonte përmes synimit dhe veprimeve gjoja “institucionaliste””, ka thënë Maloku.

Sipas tij edhe Lëvizja Vetëvendosje do fitonte nga ky koalicion nëse do të arrihet të bëhet.

“Lëvizja e VV-së, fiton përvojën e fuqizimit të përgjegjësisë institucionale, në nivelin shtetëror, kompetencat e plota vendimmarrëse për vendimet e veta fuqiplota në raport me (ar)miqtë e jashtëm dhe të brendshëm, shansin e nevojshme për ta testuar konsekuencën e saj programore, për bashkim kombëtar, midis Shqipërisë dhe Kosovës, dhe e ndihmon vetën (me projekte konkrete sociale e ekonomike) në heqjen e hipotekës së amputuar nga kundërshtarët gjoja ideologjik, për gjoja majtizmin alla “kim jong-ist””, pohon ai.

“Lëvizja e VV-së, fiton sepse i rritën shansat për ç'kapjen e shtetit nga oligarkët e ngritur në mënyrë meteorite nga qeveritë e pasluftës, sepse bashkërisht kanë shanse ta inaugurojnë profilin e politikanit meritokratik, në vend të atij injorant, sigurinë e mos vazhdimit të qeverisjes me PDK dhe eksponentë të PAN-it; sigurinë e mos ndryshimit të kufijve të Kosovës; qeveri stabile e me legjitimitet e numra për zbatimin e një programi qeverisës zhvillimor; jetësimin dhe nevojën e reformave të mëdha në drejtësi, gjyqësi, ekonomi...”, ka përfunduar Maloku.

Ndryshe, që nga viti 2014 e deri më sot, rreth 2 mijë persona të Kosovës janë përballur me ligjin, për vjedhje të votave dhe keqpërdorimeve në proceset zgjedhore.

Njëzetenjë prej tyre janë dënuar me burg, 42 kanë marrë dënime me gjobë, derisa 1171 persona të tjerë, kanë marrë dënime me kusht.

Paralajmërimi nga Prokuroria

Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), thonë se nuk kanë të dhëna të sakta për zgjedhjet para vitit 2014, sidomos për zgjedhjet e vitit 2010, ku ndodhën vjedhjet më të mëdha të votave që nga mbarim i luftës.

Përmes një përgjigje me shkrim, KGJK ka sqaruar se çfarë dënime janë shqiptuar deri më tani për personat që kanë vjedhur vota.

“Dënimi me i vogël është me 3 muaj burgim, kurse dënimi me i madh me 6 muaj burgim. 1800 euro është vlera më e lartë e paguar si gjobë nga të dënuarit, ndërsa gjoba më e vogël është 150 euro”, thuhet në përgjigje.

Kodi Penal i Kosovës parasheh veprat penale për çdo kënd që dëmton procesin e votimit, për të cilat vepra dënimi është deri në 5 vjet burg.

Deri më sot në Kosovë askush është dënuar me kaq vite burgim për vjedhje të votës.

Prokurorja Laura Pula, që është edhe koordinatore nacionale për zgjedhje, tha për Radion Evropa e Lirë, se që nga dita kur presidenti do të shpallë datën e zgjedhjeve, do ta angazhohen maksimalisht në ruajtjen e votës së qytetarëve.

“Sipas Kodit Penal, veprat penale parashihen që nga data kur fillon fushata e deri në ditën e numërimit të votave dhe janë të përfshira diku 11 vepra penale që kanë të bëjnë me të drejtën e votimit. Kështu që njëjtë do të jemi aktivë sikurse në zgjedhjet e kaluara, me qëllimin e vetëm që ta mbrojmë votën e lirë të qytetarit”, tha Pula.

Organizatat që merren me monitorimin e zgjedhjeve, por edhe të proceseve gjyqësore, vlerësojnë se proceset zgjedhore në Kosovë që nga pas lufta janë dëmtuar nga partitë politike dhe militantët e tyre.

Votimi i të vdekurve

Hyrije Mehmeti nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë se gjatë monitorimit të zgjedhjeve përgjatë viteve, ka pasur shumë raste kur kanë votuar edhe të vdekurit.

Ajo tha se prokurorët kanë dështuar të nxjerrin para drejtësisë organizatorët e vjedhjes së votës.

Image
Hyrije Mehmeti

“Bazuar në monitorimin e IKD-së, shikuar në tërësi, sistemi i drejtësisë ka vepruar në mënyrë reaktive dhe joproaktive në ndjekjen e rasteve të keqpërdorimeve në zgjedhje. Dhe ajo që është më shqetësuese është se prokurorët kanë dështuar të ndjekin udhëheqësit, organizatorët, shtytësit dhe financuesit e vjedhjes së votave, por janë mjaftuar vazhdimisht me aktakuzat e ngritura ndaj komisionerëve të partive politike”, tha Mehmeti.

Kurse gjykatësit sipas saj, kanë dështuar të trajtojnë këto raste në kohë të arsyeshme.

“Monitoruesit e IKD-së, ende monitorojnë rastet gjyqësore për zgjedhjet e vitit 2010, pra tek pas 8-9 vjetësh kanë filluar disa prej këtyre rasteve të gjykohen”, tha ajo.

Fajin për vjedhjet e votave sipas drejtoreshës së Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Arbresha Loxha, e kanë vetë partitë politike.

Image
Arbresha Loxha

“Ne po konsiderojmë që është parimore të ketë dakordim të plotë mes partive politike që asnjëra nuk ka në plan dhe as nuk të do të lejojë të manipulohet procesi zgjedhor. Pavarësisht mobilizimit të institucioneve të Kosovës apo atyre ndërkombëtare dhe organizatave të shoqërisë civile, janë partitë ato që mund ta prishin procesin zgjedhor”, tha Loxha.

Loxha tha se institucionet e drejtësisë, duhet të dërgojnë mesazhe të fuqishme se çfarë i pret ata që vjedhin vota.

“Duhet të ketë mobilizim të Policisë dhe Prokurorisë, në kuptim që secila prej këtyre institucioneve të dërgojnë mesazhe të qarta për të gjithë ata të cilët tentojnë të manipulojnë ditën e procesit”, tha Loxha.

Kur Kosova është në prag të organizimit të zgjedhjeve të parakohshme pas shpërndarjes së Kuvendit, anëtarët e shoqërisë civile bëjnë thirrje që të mos dëmtohet demokracia.

Zgjedhjet e parakohshme që pritet të organizohen në muajt në vazhdim, kanë ardhur si pasojë e fillimisht e dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe pastaj, shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat