LDK para vendimit të madh: Kush do të jetë kandidat për kryeministër?

Politika

LDK para vendimit të madh: Kush do të jetë kandidat për kryeministër?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 26 gusht 2019 Në ora: 10:10
LDK

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës të hënën do të del edhe zyrtarisht me propozimet konkrete për mandatarin e këtij subjekti politik, dhe lidhur me koalicionin e mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje, e për të cilat do të vendos Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.

Ky subjekt një takim të ngjashëm e mbajti edhe ditën e shtunë, nga ku e lanë të hapur mundësinë që kjo parti të shkojë në koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ishte zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ai i cili deklaroi se në takimin e së shtunës u bisedua edhe lidhur me koalicionet e mundshme parazgjedhore, por edhe me emrin e kandidatit të LDK-së për kryeministër, por që Kryesia nuk doli me ndonjë propozim konkret.

Para vendimit final të kësaj partie, njohësit e zhvillimeve politike në vend janë të mendimit se nëse Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i kalon këto sfida sepse nuk vendos me pajtim, por me autoritet dhe një lloj diktati atëherë mund të ndodhë edhe përçarja e madhe brenda këtij subjekti.

Ata gjithashtu konsiderojnë se kjo parti pasojat më të mëdha gjithmonë i ka pasur nga të qenit tepër demokratike.

 

KLIKO KËTU PËR TË VOTUAR

Për të folur për këtë ngjarje, gazeta “Bota sot”, ka provuar në vazhdimësi të marrë qëndrim edhe nga përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, se cilat janë pritjet e tyre nga ky proces, mirëpo këta të fundit nuk kanë qenë të gatshëm të flasin lidhur me këtë temë.

Tahiri: LDK para dy çështjeve shumë të rëndësishme

Image
Ramush Tahiri

Lidhur me këtë, politologu Ramush Tahiri për gazetën “Bota sot” është shprehur se LDK si partia më me shumë traditë dhe me më përvojë demokratike do ishte e pritshme që të gjitha zgjedhjet e brendshme ti kalonte me mirëkuptim dhe me një konsensus.

“Do të ishte e pritshme që LDK si partia më e vjetër në Kosovë si partia më me shumë traditë dhe me më përvojë demokratike të gjitha zgjedhjet e brendshme ti kalojë me mirëkuptim, me koncensus dhe me shtrirje dore njëri tjetrit. Pasi tash kjo parti i kaloi zgjedhjet për Kryetar, për Këshill drejtues dhe për Kryesi tash e ka sfidë të propozojë kandidatin për Kryeministër dhe cilido që zgjidhet nga emrat e përfolur në publik do të ishte përfaqësim i mirë i LDK dhe i frymës së sajë konstruktive dhe bashkëpunuese dhe që është me rëndësi shtetëformuese”, tha Tahiri.

Sipas politologut, nëse për kryeministër LDK propozon Kujtim Shalën, Abdullah Hotin, Gazmend Muhaxherin, Vjosa Osmanin, Lutfi Hazirin, Lutfi Zharkun, Driton Selmanajn, Arben Gashin...të gjithë këta janë të denjë të përçojnë idetë dhe programin e LDK-së për të mirën e përparimin e Kosovës.

Ai gjithashtu tregon se nuk i bëri përshtypje të mirë që për Kryesi të partisë nuk u propozua Xhafer Tahiri, i cili në zgjedhjet e fundit lokale doli fitues në Vushtrri.

“Si vrojtues i jashtëm nuk më bëri përshtypje të mirë që për Kryesi të partisë nuk u propozua Xhafer Tahiri, i cili i fitoi zgjedhjet në Vushtrri dhe është kryetar aktual i komunës. Mendojë se të gjithë kryetarët e komunave nga kjo parti do të duhej me strukturë organizative të jenë anëtarë të Kryesisë të LDK, kjo për shkak të autoritetit dhe ndikimit që e kanë te elektorati dhe nga funksioni në komunë edhe te të gjithë qytetarët, si votues potencial”, ka deklaruar politologu.

Tahiri me tej shpjegon se partia e Isa Mustafës gjendet përballë dy çështjeve shumë të rëndësishme.

“LDK tash i ka edhe dy çështje shumë të rëndësishme; e para lidhja ose jo e koalicionit parazgjedhor dhe bërja e listës zgjedhore të 110 deputetëve dhe emrin e bartësit të listës që duhet ti paraqes në KQZ. LDK tash e ka kërkesën të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe së fundi Albin Kurti u tregua i gatshëm të tërhiqet nga kandidimi për kryeministër në favor të kandidatit nga LDK vetëm që të bëhet koalicioni dhe të dalin subjekti i parë fitues”, tha ai.

Politologu shton duke thënë se koalicioni i mundshëm mes LDK-së e VV-së e ka rrezikun që edhe blloku tjetër të krijohet si kundërpeshë dhe të pretendoj të dal i pari, ashtu siç ndodhi edhe në zgjedhjet e kaluara.

“Gjendja ekzistuese është që LDK ka 25 ndërsa VV 19 deputet që nëse ruhet kjo atëherë si koalicion do ti kishin 44 që mund të thotë se janë koalicion fitues që e bënë Qeverinë me minoritetet dhe me grupin e deputetëve që ndahet nga ndonjë koalicion tjetër pas zgjedhjeve. Gjithashtu koalicionet parazgjedhore ndonjëherë ndikojnë për të keq te elektorati sepse synohet bashkëpunimi programor e jo i numrave që shprehet si zhgënjim te qytetarët”, ka shtuar ai për gazetën “Bota sot”.

Ai konsideron gjithashtu se nëse kjo parti nuk i kalon këto sfida, sepse nuk vendos me pajtim por me autoritet dhe një lloj diktati atëherë mund të ndodhë përçarja brenda këtij subjketi.

“Nëse Lidhja Demokratike nuk i kalon këto sfida sepse nuk vendos me pajtim por me autoritet dhe një lloj diktati atëherë mund të ndodhë përçarja sepse struktura e kësaj partie është e tillë që shumësia e degëve e bënë tërësinë dhe çdo pakënaqësi shprehet me më pak vota dhe më pak deputetë. Pra, kryetarët e degëve të LDK-së dhe kryetarët e komunave kanë ndikim dhe duhet respektuar e harmonizuar qëndrimet e tyre brenda LDK-së”, konsideron ai.

Në fund,  ai nënvizon se skena politike në këto zgjedhe do të profilizohet në drejtim të krijimit të dy blloqeve, dhe e sigurt sipas tij që së paku njëra nga këto katër subjekte (LDK, VV, PDK dhe AAK-PSD ), do të zvogëlohet.

“Rasti i LDD ishte katastrofal, sepse LDK i humbi zgjedhjet në nivel kombëtar, por edhe në shumë komuna të rëndësishme bastion i LDK-së. Edhe një përsëritje e një gabimi të tillë që atëherë nuk u shmang se autoriteti nuk dëshiroi tu jap vende në Kryesi e struktura të partisë përkrahësve të Nexhat Dacit që atëherë u ndanë dhe krijuan LDD-bë, tash do të ishte goditje përfundimtare që LDK do ta shpërbënte si Partinë e Prosperitetit Demokratik në Maqedoni.  Në kohën kur kemi LDK, VV, PDK por edhe AAK-PSD pak a shumë të barabarta me rreth 20-25 për qind të elektoratit do të humb ai subjekt politik i cili nuk dëshmon unitet të mirë të brendshëm.”, përfundoi Tahiri.

Zogaj: Veprimet e lidershipit aktual të denja për mbrojtjen e unitetit

Image
Skënder Zogaj

Njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se partia e Mustafës pasojat më të mëdha gjithmonë i ka pas nga të qenit tepër demokratike.

“LDK pasojat më të mëdha gjithmonë i ka pas nga të qenit tepër demokratike, sepse nuk ka llogaritur në faktin se, nuk është i vogël numri i atyre që demokracinë e keqpërdorin deri në absurd për t’i realizuar dëshirat dhe ambiciet përfituese personale, ose edhe nga dëshira për të treguar “mençuri”, “atdhetari”, “patriotizëm”, ka thënë Zogaj.

Sipas Zogajt, kjo sëmundje për fat të keq e ka shoqëruar LDK-në që nga themelimi, dhe të tillët i kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme partisë, edhe në kohën e artë të Ibrahim Rugovës, pikërisht në planin e emërimit të kandidatëve për poste partiake dhe shtetërore.

“Të këtillët janë njerëzit kancerozë që metstazojnë antidemokraci në dëm të partisë së vet. Por, Rugova ua ka shkurtuar bishtin me “këmesën” e urtësisë së tij. Të njëjtit donkishotë janë duke u projektuar ta bëjnë renovimin partiak të LDK-së duke diktuar kush duhet të jetë në krye të partisë, kush kryeministër, kush deputet, kush ministër, kush këshilltar... Absurd i marrëzishëm. Kjo po ndodh edhe tash me disa koluare partiake brenda LDK-së, dëshirat e të cilëve janë përpjekje për vazhdimin e imponimit të diktateve joparimore dhe shumë të dëmshme”, ka deklaruar ai.

Mes të tjerave ai konsideron se veprimet e lidershipit aktual janë shumë të denja për mbrojtjen e unitetit.

“Kryesia e re e LDK-së është një dëshmi e fort e politikës së qëlluar kadrovike, premtuese të një reforme profesionale të elitës intelektuale. Kandidati për kryeministër do të jetë forcues i unitetit, pavarësisht nëse dikush edhe nuk do të jetë shumë i kënaqur. Pakënaqësi duhet të ketë sepse, demokracia ka shumë xhepa. Por vetëm në një xhep vendoset kuleta”, ka përfunduar Skënder Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Maxharraj: Diçka po ndodhë në LDK

Image
Binak Maxharraj

Ndërkaq, prof. dr. Binak Maxharraj, konsideron se LDK-ja dhe Vetëvendosje nga këto zgjedhje duhet  të kenë një qëllim fisnik në marrjen e pushtetit nga keqpërdoruesit.

“LDK-ja si forca më e madhe politike në vend ka përgjegjësi shumë të madhe për rrjedhat e mëtejmë politike nëpër të cilat po kalon vendi. Por një përgjegjësi e ka edhe VV-në e cila është në opozitë se bashku më LDK-në. Këto dy parti duhet ta kenë një qëllim fisnik marrjen e pushtetit nga keqpërdoruesit e shtetit. Këtë qellim e ka edhe PDK-ja e cila do ti përdor të gjithë mekanizmat institucional dhe joinstitucional për ruajtjen e pushtetit. Por tani për tani çështje kruciale është kurdisja midis LDK dhe LVV qe të mos e lëshoi shansin qe të qeverisë më vendin”, është shprehur ai.

Sipas tij, dy partitë më të mëdha në vend e kanë shansin historik për të qeverisur me vendin.

“Së këndejmi këto dy parti duhet t’i lënë pas “armiqësitë” e tyre dhe pa ndërskamcat, kushtëzimet e pyka t’i hyjnë luftës për pushtet. E kanë shansin të thuaja historik. VV në këtë situatë duhet të jetë më e ndërgjegjshme t’i hynë bashkëpunimit më LDK-në pa kushtëzime. Kushtëzimet nuk i bëjnë mirë asnjëra tjetrës. Mollë sherri midis tyre është pozita e kryeministrit. Mendoj së e mira e mirës do të ishte një koalicion parazgjedhor midis tyre, për çka prapë këtu problem është pozita e kryeministrit së nga cila parti do të jetë. Në këtë pikë gozhda është ngulë thellë,sepse nuk ka shanse as më të vogla që të këtë një konsensus midis tyre. Por, nëse shkojnë të ndara në zgjedhje ekziston mundësia të humbasin ndonjë deputet”, tha njohësi i zhvillimeve politike.

Maxharraj shpjegon gjithashtu se pse garda e vjetër është pengesa kryesore që LDK-ja të ecë përpara.

“VV nuk ka probleme të brendshme rreth kandidatit për kryeministër. Albin Kurti këtu është i pakontestueshëm. Kurse në oborrin tjetër në LDK sikur shpirtrat e a kënaqur si “lugatë” kanë nisë të çojnë krye kur është fjala për kandidatin për kryeministër. Të shtunën mblodhën kryesia e LDK-së për t’i dhenë maje këtij muhabeti, por si për çudi aty, pasi që kishin dëgjuar diçka tjetër, nuk shkuan në takim Agim Veliu dhe Lutfi Haziri, të dytë pretendentë për pozitën e kryeministrit, dhe mbledhja u shty. Dhe ja shikoni, e këtë e kam thënë disa herë se garda e vjetër është pengesa kryesore që LDK të ecë përpara”, ka thënë ai.

Mes të tjerave, Maxharraj potencon se tani është momenti që kjo parti ngadalë të shkëputet nga kuadrot e vjetra.

“Çështjes se kandidatit kryesia e LDK do t’i japë fund, do të dalë më emrin e kandidatit për kryeministër. Se kush do të jetë është çështje e Kryesisë së kënd ta kandidojnë, por pritet që fërkimet të jenë të mëdha. Është koha që LDK ngadalë të shkëputet nga kuadrot e vjetra të cilave ju ka dalë afati i përdorimit dhe si të tilla më shumë mund ta dëmtojnë LDK-në e të cilët bishtat e tyre shkojnë edhe deri të partitë tjera. Pritet që Kryesia e LDK-së të hënën me mençuri ta bëjë këtë. Edhe përkundër tensioneve që do të zhvillohen nesër në Kryesinë e LDK-së,është e rrugës që garda e vjetër të mos jetë pengesë e proceseve për hir të LDK-së e jo interesat e tyre personale t’i vejnë mbi interesat e partisë. Dhe këtë duhet ta bëjnë sepse partia nuk është pronë private e askujt”, ka thënë mes të tjerave Maxharraj.

Ai gjithashtu thekson se nëse LDK del më Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre, atëherë situata në zgjedhje do të shkojë në favor të LDK-së e cila më siguri do të jetë më unike, më e fortë, dhe ky subjekt do të del si partia e parë në zgjedhje.

Maxharraj në fund deklaron se LDK më Vjosa Osmanin do të ishte tmerri për PDK-në, si dhe do të fillonte një epokë e re në vend.

“Mendoj se edhe nëse Kryesia e LDK nesër del më një kandidat tjetër jashtë Veliut dhe Hazirit, mendojë se nuk do të këtë ndonjë çrregullim apo ndonjë përkeqeshim të situatës, pos në qoftë se ata janë shpirtra të shitur të djalli të cilët nuk ia donë të mirën LDK-së. Pas publikimit të kandidatit për kryeministër nga ana e Kryesisë mendojë se nuk do të çrregullime të mëdha në parti sepse anëtarësia dhe elektorati tani më janë të vetëdijshëm se shkuarja në zgjedhje e LDK më Veliun apo Hazirin nuk do të kishte sukses dhe nuk do të dilte partia e parë sepse elektorati i LDK-së është ngopur më molla të kalbëta”, ka thënë krejt në fund ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat