Vjosa është vetëm fillimi, po vjen ndryshimi i madh

Politika

Vjosa është vetëm fillimi, po vjen ndryshimi i madh

Faton MEHMETI Nga Faton MEHMETI Më 28 gusht 2019 Në ora: 08:26
Vjosa Osmani

Tash e një kohë të gjatë po pritet që në Kosovë të vjen ndryshimi, ndryshimi i cili më në fund do rikthen shpresën  për ditë të mira. Nominimi i Vjosa Osmanit ka zgjuar një entuziazëm të madh në mesin e votuesve jo vetëm të LDK-së, por edhe tek të tjerët, sidomos të atyre të papërcaktuar. Këta të fundit që edhe përbëjnë shumicën e popullatës në Kosovë, janë edhe përcaktuesit e fituesit. Tashmë që kërkesa e votuesve u plotësua, mbetet pikëpyetje përse kryesia e LDK-së më në fund u bind që të nominonte Vjosën, sa janë gjasat që Vjosa të zgjidhet kryeministre dhe çfarë mund të pritet ndryshim nga Vjosa kryeministre. Këto dhe një sërë pyetjesh të tjerash mbeten ende në embrionin e pikëpyetjeve, por duke u  nisur nga zhvillimet mund sado pak të japim përgjigje.

Së pari, mendoj se nomini i Vjosës ishte shansi u bë nga kryetari Mustafa për të mbuluar zgjedhjen e tij në krye të LDK-së, duke qenë se kishte shumë pakënaqësi edhe tek opinioni publik që nuk po i lejon të rinjtë të depërtojnë. Dhe në anën tjetër, sa për të mbledhur vota, që tek e fundit do i atribuohet kryetarit të partisë, i cili rritjen e LDK-së si meritë do ia dedikojë vetes. Pastaj sondazhet, opinioni publik kërkonte vetëm Vjosën, çka detyroi krerët e partisë që të pranonin këtë nominim, megjithëse disa edhe nuk e kanë pranuar me dëshirë.

Garda e vjetër, sidomos, ka qenë kundër këtij nominimi, por kompormisi i Isës dhe presioni i opinionit bëri të veten. Kjo gëzoi të rinjtë, të cilët me Vjosën shohin mundësinë e depërtimit në organet e larta të partisë, të cilat shpesh kanë qenë të padepërtueshëm, me gardën e vjetër që partinë e kanë konsideruar si pronë. Pavarësisht përkrahjes së madhe që gëzon Vjosa, pa një koalicion të madh, para apo paszgjedhor, e ka të pamundur të zgjidhet në krye të qeverisë. Gjasat janë të mëdha mendoj unë, që Albin Kurti të heq dorë nga posti i kryeministrit, dhe me LDK bashkë të mbështesin  Vjosën, në këtë këndvështrim Vjosa fiton pa problem numrin e mjaftueshëm të deputetëve për t’u zgjedhur.

Më rëndësi është që PDK të mbetet në opozitë, kështu edhe Hashimit do t’i pakësohet fuqia që të bëjë pazare me tokën e Kosovës, e që rrjedhimisht është në favor të Kosovës. Pra, me largimin e PDK-së përveç që ndalet kapja e shtetit, ndalet edhe copëtimi i vendit. Kjo është më ë rëndësishmja, dhe për hir të kësaj duhet me çdo kusht të largohet PDK.  Me tu zgjedhur në postin e kryeministres, Vjosa duhet të dijë se duhet të luftojë krimin, qoftë edhe të anëtarëve të partisë së saj, pra mos seleksionim të krimit, të së keqes me pak fjalë. Vetëm kështu mund të përfitojë mbështetjen, dhe të kthejë Kosovën në rrugën e drejtë.

Gjithashtu me vendosmërinë e saj, Vjosa duhet të hedh poshtë pretendimet e atyre që vënë në pikëpyetje vendosmërinë e saj karshi perëndimit, sa i përket ruajtjes së sovranitetit, sidomos në bisedimet me Serbinë.  Tek Vjosa është sintetizuar rinia e shëndoshë, dhe eventualisht çdo dështim i saj do rriste shpresat për ndryshim me frazën e njohur “të gjithë janë njësoj”, dhe kjo nuk guxon të ndodhë. Pavarësisht si erdhi nominimi i saj, ka një rritje të shpresës, si asnjëherë më parë në Kosovë se ndryshimi i madh po vjen. Nëse edhe këtë radhë nuk vjen ky ndryshim, Kosova do të vazhdojë agoninë e saj, me rininë që do vazhdojë të mësyjë dyerve të botës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat