Banalizohet skena politike me aderime të floktarëve, aktorëve e këngëtarëve

Politika

Banalizohet skena politike me aderime të floktarëve, aktorëve e këngëtarëve

Nga: G.B Më: 29 gusht 2019 Në ora: 14:52
Ilustrim

6 tetori është data kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

E tani në prag të zgjedhjeve, shumë njerëz të profesioneve të ndryshme kanë vendosur të aderojnë në parti që ata duan, derisa të tjerë kanë ndërruar dhe partitë.

E se sa mund të sjellin sukses aderimet e tilla, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se aderimet nga shoqëria civile janë të shëndosha, ndërsa aderimet e njerëzve që lëvizin nga një parti në tjetrën, janë për interesa personale.

Image
Faik Krasniqi

“Aderimet e njerëzve që kanë qenë pjesë e shoqërisë civile, ose s'kanë pasur poste shtetërore, janë aderime të shëndosha. Njerëz që sinqerisht futen në politikë me shpresën për të ndryshuar diçka për të mirë. Kurse aderimet e individëve që lëvizin nga një parti në parti tjetër, janë lëvizje për interesa të tyre personale. Kemi parë aderime të njerëzve që kanë shijuar çdo post nga ish partia, është prishur me partinë dhe kërcen tek partia tjetër. Ata nuk sjellin dobi as për shtetin, as për popullin dhe as për partinë. Janë njerëz të dëmshëm për shtetin dhe shoqërinë”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, me aderimet e njerëzve të tillë pësojnë edhe partitë, derisa shton se skena politike është banalizuar dhe shndërruar në cirk, derisa ka pasur aderime këngëtarëve, aktorëve dhe floktarëve.

“Edhe partitë pësojnë me aderimin e këtyre njerëzve, sepse elektorati irritohet shkaku i njerëzve të tillë dhe mund t'i ndëshkojnë në zgjedhje. Çdo aderim i njerëzve të pastër nëpër partitë politike, do të thotë se ajo parti ka vlera dhe konsiderohet serioze për t'i fituar zgjedhjet. Me sjelljen e këtyre njerëzve, partitë politike e dëshmojnë se sa seriozisht e marrin shtetin dhe qytetarin e saj. Kemi parë aderime të këngëtarëve, aktorëve dhe floktarëve. Kjo tregon në çfarë mase është banalizuar skena politike në Kosovë. Cirk i vërtetë”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat