Përralla e Ramush Haradinajt me liberalizimin e  vizave

Politika

Përralla e Ramush Haradinajt me liberalizimin e  vizave

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 31 gusht 2019 Në ora: 08:22
Ramush Haradinaj

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, tash kandidat për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, ka aktivizuar sërish çështjen e liberalizimit të vizave, ku ka thënë se kjo mund të ndodh edhe para zgjedhjeve të 6 tetorit.

Që nga ardhja e tij si kryeministër në shtator të vitit 2017, Haradinaj vazhdimisht premtoi data të liberalizimit të vizave, madje edhe duke iu uruar qytetarët e Kosovës. Ai shkeli edhe parimet e tij mbi të cilat kishte kërkuar votën në zgjedhjet e kaluara, duke e votuar demarkacionin me Malin e Zi, ku në një kohë thoshte se me atë po i bëhet e padrejtë Kosovës.

Votimin e Demarkacionit, Haradinaj e përdori si arsyetim për liberalizimin e vizave, mirëpo ato nuk ndodhën.

Gjithashtu, Haradinaj në një takim me ministrin e punëve të brendshme të Gjermanisë në maj të këtij viti, u shpreh i sigurt se vizat për Kosovën do të hiqen shpejt, madje edhe i zyrtarizoi ato.

Deklarata e fundit e z. Haradinaj, po shihet si deklaratë për vota në këtë kohë para zgjedhjeve, nga opozita e deritanishme dhe analistët politik.

Deklaratat e Haradinajt, qesharake

Image
Drita Millaku

Nga Lëvizja Vetëvendosje, thonë për “Bota sot” se kjo deklaratë e Haradinajt është qesharake. Ish deputetja Drita Millaku thotë se kjo është bërë një komedi nga ana e të parit të AAK-së.

“Deklarata e Haradinajt se mund te ketë vendim për viza para zgjedhjeve është qesharake. Më herët ka dhënë data të sakta dhe nuk ja ka qëlluar. Problemi i liberalizimit të vizave është bërë një komedi”, tha shkurt Millaku.

Haradinaj po tallet me qytetarët

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, analisti politik, Nexhat Haziri, mendon se deklaratat e Haradinajt janë elektorale dhe tallje me qytetarët, e këta të fundit do ta ndëshkojnë Haradinajn përmes votës, sipas Hazirit.

“Nuk ka asnjë gjasë që liberalizimi i vizave të ndodhë tani para zgjedhjeve apo edhe gjatë kësaj periudhe të mbetur të këtij viti. Deklarata e ish-kryeministrit, njëherit liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj se liberalizimi mund të ndodhë para zgjedhjeve, përpos që është deklaratë elektorale, përtej kësaj është tallje me qytetarët e Kosovës, e që jam i bindur se këtë tallje qytetarët nuk kanë me kaluar lehtë, por do të ndëshkohet vet z.Haradinaj nga qytetarët përmes votës”, theksoi ai.

Haziri mendon se vizat mund të hiqen në fillim të vitit të ardhshëm, mirëpo pa liderët në qeverisje si Haradinaj, Veseli e Limaj.

“Andaj liberalizimi mund të ndodhë vetëm në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, dhe kjo do të varët shumë nga procesi zgjedhor se sa do të jetë i lirë dhe demokratike, por edhe në një masë të madhe edhe se kush do të qeverisë me Kosovën pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Lider si Haradinaj, Veseli, Limaj ,nuk mund t’i garantojnë qytetarëve as liberalizim e as perspektivë evropiane, pasi të tillët janë shndërruar në “mace të zezë” në rrugëtimin e Kosovës drejtë integrimeve euro-atlantike, por edhe në përgjithësi për zhvillimin dhe funksionimin e shtetit të Kosovës”, u shpreh Haziri.

Haradinaj po luan me ndjenjat e qyetarëve

Image
Faik Krasniqi

Edhe analisti Faik Krasniqi, këto deklarata i quan qesharake dhe të bezdisshme. Ai për “Bota sot” tha se Haradinaj po luan me ndjenjat e qytetarëve.

“Ramush Haradinaj me të vërtetë ka filluar të bëhet qesharak me deklarata për liberalizim të vizave, por njëkohësisht edhe shumë i bezdisshëm. E ka banalizuar shume këtë çështje. Nuk e kuptoj pse luan me ndjenja të qytetareve të Kosovës. Ai në biseda me shtetet e BE-së e ka marrë përgjigjen se kur do të liberalizohet vizat. Ai shumë muaj më parë filloi që çdo ditë të uroj qytetarët e Kosovës për liberalizim të vizave”, thekson Krasniqi.

Ai flet edhe për skenën politike në përgjithësi, ku thotë se aderimet e reja të këngëtarëve, aktorëve e floktarëve, e kanë banalizuar akoma më shumë skenën politike.

“Aq shumë është banalizuar skena politike në Kosovë, sa që qytetarët e kanë humbur besimin edhe tek vetvetja, e lëre më tek ata banditë. Aderimet e këngëtarëve, aktorëve e floktarëve, e kanë banalizuar akoma më shumë skenën politike. Liberalizimi i vizave nuk ka gjasa të ndodh këtë vit. Më lehtë bashkohet Kina dhe Taivani se sa qe ndodh liberalizimi i vizave këtë vit. Por as Ramushi s'do të mund të fitoje vota me këto gënjeshtra”, potencoi Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat