Kelmendi: Listat zgjedhore të kenë njerëz të pastër, jo me aktakuza

Politika

Kelmendi: Listat zgjedhore të kenë njerëz të pastër, jo me aktakuza

Nga: G.B Më: 3 shtator 2019 Në ora: 23:47
Ilustrim

Vendet mike të Kosovës kanë bërë thirrje që në listat për deputetë nga partitë, të mos ketë njerëz me aktakuza.

Megjithatë, duket se kjo gjë nuk do të merret parasysh, pasi në lista do të futen dhe figura kyçe të partive, që pretendojnë postin e deputetit.

Lidhur me këtë, profesori Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nënkuptohet se çdokush është i pafajshëm deri në nxjerrjen e aktgjykimit dhe ai të bëhet i plotfuqishëm dhe kështu nuk ka kundërshti me ligjin.

Image
Muhamet Kelmendi

“Në kuadër të legjislacionit nënkuptohet se çdokush është i pafajshëm deri në nxjerrjen e aktgjykimit dhe ai të bëhet i plotfuqishëm. Këtej nuk ka asnjë kundërshti me ligjin dhe normat tjera”, ka thënë ai.

Kelmendi thotë se pozita e kuvendarit e krijon gjendjen ku assesi nuk duhet të paraqiten kandidatë me akuza apo të dënuar.

“Natyrisht se morali dhe pozita e kuvendarit e krijon gjendjen ku nuk duhet kurrsesi të paraqiten kandidatë me akuza apo të dënuar. Këtu nuk ka asnjë vështirësi. Pse? Kjo i dedikohet udhëheqësve të partive politike. Por, është edhe në natyrën e legjislativit dhe të shtetit ligjor që të tërhiqet vija dhe asnjë subjekt fizik i tillë mos të paraqitet në kandidaturë. Mirëpo, ka raste kur në shtetet në tranzicion bëhen edhe akuza të pabaza, vetëm e vetëm për të rrënuar subjektin fizik nga jeta politike”, ka vlerësuar profesori dhe njohësi i çështjeve juridike.

Sipas tij, është më mirë që listat zgjedhore të kenë njerëz të pastër dhe pa aktakuza dhe e tillë të jetë edhe legjislatura parlamentare.

“E mira është që listat zgjedhore të kenë njerëz të pastër, pa aktakuza etj., në mënyrë që legjislatura parlamentare të jetë e pastër dhe në nivel të detyrës. Kjo rregull duhet të vlejë edhe për çdo pozitë tjetër të pushtetit. Të shpresojmë se kjo do të bëhet realitet dhe listat të jenë me kualitet politiko-juridik, të përgatitur dhe profesional”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat