Klani dhe SHIK zbehin fushatën e LDK-së

Politika

Klani dhe SHIK zbehin fushatën e LDK-së

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 5 shtator 2019 Në ora: 20:54
LDK

Ekziston opinioni se LDK-së nuk i bëhet vonë as humbja. Këtë mendim e përforcon edhe çarshia, kur thonë se klani ngushëllohet me dështimin e Vjosës! "Qoftë larg nga goja ime!"

Sërishmi nuk u përfill anëtarësia, për ta futur në votimin e fshehtë demokratik zgjedhjen e Kryesisë të LDK-së, nënkryetarëve dhe sekretarin. Nga ky votim Vjosë Osmani do të fitonte bindshëm. Sovraniteti i saj nuk mund të cenohej nga klanorët, të cilët, paradoksalisht, ruajtën vendet paraprake, duke ju referuar konsensualitetit, qoftë edhe aklamativ.

Disa opionistë, qëllimshëm, trumbetojnë se Vjosa, edhe nëse do të fitojë, do të jetë kukull e klanorëve, sepse fitoi kandidaturën për kryeministre me konsensus. Madje, klanorët, jo rastësisht, u vunë në krye të fushatës dhe në shoqërim të kandidates Vjosë. Edhe emërimet e ministrave, do t`i imponojë klani Mustafa. Në emër të partisë, do të përzihen në punët e qeverisë, gjithnjë me synimin për ta dështuar Vjosën.

Këtu ka një të vërtetë. Dhe, kjo u bë edhe më e lexueshme, me qendrimet shantazhuese dhe sfiduese, që klanorët i bënë Kryesisë të sapo emëruar dhe organit më të lartë të partisë, Këshillit të Përgjithshëm, kur bojkotuan mbledhjen që do ta kandidonte kryeministrin-en dhe të zgjidhte Kryesinë e ngushtë, përkatësisht, nënkryetarët e sekretarin. Pra, klani përdori ekstremin, bojkotin, për ta ruajtur, domosdoshmërisht, primatin në parti.

Kundër-përgjigja e kryetarit Mustafa ishte e duhur, me kërcënimin se "nëse Kryesia nuk arrin konsensusin për kandidatin-en për kryeministër-e, këtë do ta vendosë KP. Por, deklarimi nuk u lëndëzua në veprim. Isa Mustafa, në vend që t`i kundër-sfidonte dy klanorët e vet dhe të zgjidhte nënkryetarët e rinj, plotësoi tekat e bashkë-klanorëve, duke i emëruar në njëshin dhe dyshin, pas tij, përkundër vullnetit, jo vetëm të anëtarësisë, por edhe të Kryesisë. Spostimi i kandidates për kryeministre në numrin e katërtë, flet shumë, për krizën që ka mbjellë klani brenda LDK-së dhe roli fatal i klanit për partinë dhe shtetin, pas shuarjes të kryezotit Rugovë.

Përkundër të gjitha këtyre intrigimeve klanore, brenda Kryesisë Qendrore, ku organi më i lartë i partisë, KP, mbetet në letër, duke i marrë kompetencat e tij klani, qëndrimi konsinstent, i vendosur i Vjosë Osmanit, për ta ruajtur besimin e dhënë nga anëtarësia, gjegjësisht, nga elektorati i LDK-së, triumfoi. Vjosë Osmani refuzoi: "Zajednicen", Demarkacionin, Kadrinë-kryeparlamentar, Hashimin-president, duke kaluar detwra e oqeane, deri në Australinë e largët, duke e konsideruar blasfemi shkeljen e porosisë-amanet të Presidentit Rugova: "Hashimi - jo president!"

Kritika ndaj kryetarit dhe klanit të tij brenda LDK-së, nuk presupozon kritikën ndaj partisë. Realisht, Vjosë Osmani, duke u kundërvënë të gjitha vendimeve fatale të klanit Mustafa, për LDK-në dhe Kosovën, ka sjellw kulturë politike në LDK-e dhe Kosovë. Vajza, nusja luftarake, Vjosë Osmani, triumfoi përballë një klani të fuqishëm, që për 14 vjet radhazi ka baltosur e përtokur, mizorisht e padrejtësisht, shumë qindra kuadro e luftëtarë, bashkëpunëtorë besnikë të Presidentit Rugova, themelues dhe madhërues të Lëvizjes gjithë-popullore, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kuvendi i 9-të "Zgjedhor" i LDK-së, dështoi në bërjen e ndryshimit të mundshëm. Tani, elementet për ndryshim, duhet të përfshihen përgjatë fushatës dhe mbetej. Laramania në deklarime të eksponentëve të LDK-së, në renditjen e nënkryetarëve, është bajate e qesharake. Disa e pranojnë se Vjosa është e treta nënkryetare. Të tjerë thonë se janë të barasvlershëm. "Tymi do të dalë" në kryesimin e mbledhjeve pasuese të LDK-së.

Pajtimi i palëve brenda partisë, duhet të lëndëzohet me përfaqësimin në fushatë. Pjesëmarrja e veprimtares më cilësore, për çështjen e Kosovës dhe kuadër e dëshmuar e LDK-së, Donikë Gërvalla, do të ishte mëlmesë e një fushate të suksesshme

Kooptimi i menjëhershëm i Donikës në Kryesinë e LDK-së, është kërkesë jo vetëm e Mërgatës, por, edhe e anëtarësisë në Kosovë. Ishte i gabuar mos futja në Këshillin e Përgjithshëm e kryetarit të Degës të LDK-së në Gjermani, Osman Ferizit. Ka qenë praktikë e hershme, nga epoka rugoviane, një ulëse e tillë. LDK-së i duhen emra që sjellin kulturë, risi, dhe frymëzim demokratik. Refuzoni dogmatizmin, përqafoni demokracinë! Është e shëndetshme për LDK-në dhe Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat