“Kadri Veseli duhet të kërkojë falje për korrupsion, nepotizëm dhe të bëmat e tij si shef i SHIK-ut”

Politika

“Kadri Veseli duhet të kërkojë falje për korrupsion, nepotizëm dhe të bëmat e tij si shef i SHIK-ut”

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 5 shtator 2019 Në ora: 22:30
Kadri Veseli

Ndonëse nuk ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore, partitë politike tashmë ka nisur premtimet e tyre dhe vizitat nëpër komuna me qytetarë të shumtë.

Në një konferencë për media, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka prezantuar Paktin Kundër Korrupsionit, duke i ftuar të gjithë liderët e partive politike ta nënshkruajnë atë. Veseli ka thënë se “nuk është sekret që korrupsioni ka arritur nivele të larta në vendin tonë dhe po e dëmton shumë atë, por lufta kundër korrupsionit është çështja më kritike në agjendën e tij”. Sipas tij, ky fenomen po i dëmton edhe marrëdhëniet me miqtë aleatë.

Mirëpo, këtë nismë të tij nuk është se e kanë pritur mirë partitë politike. Përderisa disa nga to kanë thënë se nuk nënshkruajnë asgjë që kërkohet nga PDK-ja.

Millaku: Hajni bërtet kapeni hajnin

Image
Drita Millaku

Ish- deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se Vetëvendosja nuk bën pakt me të korruptuarit.

"Hajni bërtet kapeni hajnin" kjo është një fjalë popullore jona që do t’i përshtatej më së miri kësaj situate”, shprehet Millaku.

Sipas saj, kjo është një hipokrizi totale, sikur ne nuk jetojmë në këtë vend.

“Si mund të kërkohet një diçka e tillë nga një parti që e ka prodhuar korrupsionin e ka apliku dhe e ushqen dita-ditës. Veseli më mirë do të tingëllonte sikur të kërkonte falje për korrupsion, për nepotizëm dhe për të bëmat e tij si shef i ShIK -ut “, thotë Millaku.

Ajo theksoi, se Vetëvendosje nuk bën pakt me të korruptuarit. “Ne i luftojmë ata”, u shpreh ajo.

Rugova: Humor i zi dhe shaka e radhës e kryetarit të një partie që e ka rrëzua për tokë këtë vend

Image
Naser Rugova

Kurse ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, për “Bota sot” ka thënë se, ky është edhe një humor i zi dhe shaka e radhës e kryetarit të një partie që e ka rrëzuar përtokë këtë vend qe 11 vite me radhe.

“Partia e skandaleve më të mëdha, shkelësve të ligjit dhe zyrtarëve me më së shumti aktakuza! Prandaj Veselin nuk e merr me askush seriozisht”, përfundoi Rugova.

Kuçi: Nuk do të nënshkruajmë asgjë që propozohet nga PDK

Image
Natyra Kuçi

Edhe zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi për “Bota sot” ka thënë se, PDK-ja e Kadri Veselit duhet të shkojë në opozitë.

“I ka bërë mjaft dëme vendit. Sigurisht që nuk do të nënshkruajmë asgjë që propozohet nga PDK. E aq më pak, një pakt kundër korrupsionit”, ka thënë Kuçi.

Sipas saj, ai vet nuk e beson këtë gjë, nuk i besojmë as ne.

“Qytetarët do të vendosin me votë se kush do t'i përfaqësoj në kuvend dhe kujt do t'i japin mandatin për të qeverisë”, shprehet Kuçi.

Burjani: Pakti i Veselit, më tepër hajgare dhe cirkë se realitet objektive

Image
Blerim Burjani

Nga ana tjetër, analisti dhe njohësi i çështjeve politike në vendi, Blerim Burjani, për “Bota sot” ka thënë se, nuk ka kuptim me të vijë si propozim nga PDK-ja, që akuzohet më së shumti për korrupsion , nepotizëm , kapje të shtetit, kjo po tingëllon patetike dhe absurde.

“PDK-ja duhet të bashkëpunoj me organet e rendit ndoshta edhe më mirë është që të heq dorë një kohë nga politika për të luftuar krimin ekonomik, korrpusionin pra duhet një angazhim serioz nga kjo parti”, shprehet Burjani.

Me tej thekson se, normal që asnjë subjekt politik nuk do të merret me këtë propozim të PDK-së.

“Është më tepër hajgare dhe cirk se realitet objektive”, përfundon Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat