Veriu “tokë e pashkelur” e partive politike gjatë fushatës zgjedhore?

Politika

Veriu “tokë e pashkelur” e partive politike gjatë fushatës zgjedhore?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 6 shtator 2019 Në ora: 19:53
Foto ilustrim

Ndonëse jo zyrtarisht, fushata parazgjedhore në Kosovë ka filluar.

Partitë politike, bashkë me kandidatët e tyre për kryeministër kanë nisur vizitat nëpër qytete e fshatra të ndryshme të Kosovës, duke shpalosur para qytetarëve programin e tyre qeverisës.

Por, është një pjesë e Kosoës ku rrallë e hiç shkelin këmbët e politikanët e Kosovës. Bëhet fjalë për komunat veriore, në të cilat ka disa fshatra të banuara me shqiptarë.

Por, se a kanë paraparë partitë politike dhe liderët e tyre ndonjë tubim zgjedhor në komunat veriore të vendit, në fshatrat ku ka shqiptarë mbetet të shihet përgjatë fushatës që po vjen.

Edhe pse deputetët nga subjekte të ndryshme politike thonë se do të gjejnë formën që të respektojnë çdo votues të vetin, megjithatë ende nuk ka ndonjë garanci për shqiptarët e Veriut, që të votojnë lirshëm atje, kjo për faktin se institucionet tona kanë dështuar në këtë pjesë.

Përfaqësues të partive politike thonë se qasja e tyre veriu gjatë fushatës zgjedhore, do të jetë pjesë e agjendave elektorale.

Kurse analistët thonë se, derisa në veri përzihet Serbia në procesin zgjedhor dhe derisa Vuçiq e ka në dorë Listen Sebsken, në veri nuk do të ketë shtrirje të sovranitetit.

Rrahmani: LDK ka lidhur koalicion me të gjithë qytetaret e Republikës së Kosovës

Image
Imet Rrahmani

Kandidati i LDK-së për deputet, Imet Rrahmani, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës si vlerë kombëtare, respekton çdo votues, prandaj edhe e ka shtrirje të gjerë të infrastrukturës së saj në Kosovë dhe diasporë.

Ai ka thënë se duke u nisur nga përvoja e fushatave të mëhershme dhe duke pa angazhimet e Shtabit Qendror, është i sigurt, se edhe përkundër specifikave në disa pjesë të Kosovës, LDK-ja do të gjej formën të respektoj çdo votues të vetin.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka lidhur koalicion me të gjithë qytetaret e Republikës së Kosovës, prandaj edhe fushata do të zhvillohet në format dhe metodat më të përshtatshme, të cilat e mundësojnë shpalosjen e programit te çdo individ dhe në çdo cep të vendit”, ka thënë deputeti Imet Rrahmani.

Selimi: Kudo që ka votues potencialë, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë e pranishme në shpalosjen e programit të saj

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Rexhep Selimi, ka thënë, për “Bota sot” se fushata ka afatet e saj ligjore të shpallura tashmë.

Image
Rexhep Selimi

Sipas tij, zgjedhjet janë parlamentare, që do të mbahen në gjithë territorin e Kosovës dhe rrjedhimisht edhe fushata do të zhvillohet dobët në gjithë territorin.

“Kudo që ka votues potencialë, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë e pranishme në shpalosjen e programit të saj. Veçanërisht, ne do ta kemi në fokus gjendjen e shqiptarëve në komunat veriore të Kosovës”, ka thënë deputeti i VV-së Rexhep Selimi.

Ndërsa, analisti politik Leon Duhanaj, ka thënë se fushata parazgjedhore në Kosovë, ka filluar edhe pa u shpallur zgjedhjet zyrtarisht.

Image
Leon Duhanaj

Ai konsideron se subjektet politike edhe përkundër faktit që kanë filluar me disa tubime gjithandej Kosovës, nuk mund të konfirmohet edhe interesi apo ndonjë agjendë e planifikuar për komunat e veriut të vendit.

“Duke qenë se shumica e subjekteve kanë mungesë edhe të strukturave partiake, nuk besoj që do ta kenë në prioritet të lartë. Megjithatë, besoj që të paktën deklarativisht veriu do të jetë pjesë e agjendave elektorale”, ka thënë analisti politik Leon Duhanaj.

Guraziu: Edhe kësaj radhe do ketë ndodhi ''taze'' në veri të Mitrovicës

Image
Ragip Guraziu

Ndërsa, analisti politik Ragip Guraziu, ka pohuar se kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, po mendon se për shkak të afatit të shkurtër kohor, do jetë një sfidë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Por, si do veprohet në Veri të Mitrovicës, me shqiptarët dhe serbet?! Pra, sepse ne e dimë që zgjedhjet në veri janë duke u mbajtur vetëm nga viti 2013 dhe kemi komisionarë të rinj, ndërkaq në pjesën tjetër të shtetit ne kemi pasur zgjedhje dhe komisionarët kanë qenë më me përvojë”, ka thënë analisti politik Ragip Guraziu.

Sipas tij, OSBE-ja nuk ka rol organizativ, ka rol këshillëdhënës, ashtu siç e ka pasur edhe në dy proceset e kaluara.

“Ajo më kryesorja është se atje në veri kemi përzierjen e Serbisë në procesin zgjedhor edhe kësaj radhe derisa Vuçiq e ka në dorë Listen Sebska, fuqi e pa evituar deri me tani derisa edhe po i afrohemi tani 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në veri nuk kemi shtrirje të sovranitetit edhe pse Kosova tani ka Kushtetutën esa ,Policinë etj, por gjithçka andej frymon serbe, dhe kjo s'do koment”, ka thënë Guraziu.

Burjani: Nuk do të ketë fushatë në Veriun e Mitrovicës nga partitë shqiptare

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve politike e juridike Blerim Burjani, ka thënë se, nuk do të ketë fushatë në këtë pjesë të Kosovës nga partitë shqiptare, për shkak gjendjes që mbretëron atje dhe pasigurisë që mbretëron.

“Mendoj se gjasat janë të vogla që atje do të ketë manifestime zgjedhore vetëm të partive serbe, përderisa nuk do të ketë manifestime tjera shqiptare. Gjendja e sigurisë nuk është në nivel dhe premtues që mund të bëhen fushata pa incidente andaj edhe kësaj here kjo pjesë e Kosovës do të kursehet nga manifestime zgjedhore”, ka thënë Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat