Uashingtoni u keq informua nga Thaçi dhe eksponentët e tij, Kosova s`ka territor për Serbinë - Bota Sot
Uashingtoni u keq informua nga Thaçi dhe eksponentët e tij, Kosova s`ka territor për Serbinë

Politika

Uashingtoni u keq informua nga Thaçi dhe eksponentët e tij, Kosova s`ka territor për Serbinë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 7 shtator 2019 Në ora: 07:58
Hashim Thaçi

Prej muajsh dialogu me Serbinë është pezulluar, për shkak të vendosjes së taksës ndaj produkteve serbe nga ana e Kosovës.

E senatorët amerikanë, Ron Johnson dhe Chris Murphy, të cilët qëndruan për vizitë në Kosovë, dhanë mesazhe për dialogun dhe rëndësinë e arritjes së një marrëveshje mes dyja shteteve.

Ata thanë se të dyja shtetet duhet ta kuptojnë që është e nevojshme të sakrifikojnë, për të qenë pastaj të afta të normalizojnë raportet ndërmjet vete.

Murphy ka përmendur edhe zgjidhje të cilat mund të jenë të vështira për të dy palët.

“Por edhe ashtu është edhe përkushtimi për dialogun me Serbinë. Këtu përfshihen edhe zgjidhje të vështira. Ne do të vazhdojmë udhëtimin tonë duke ndaluar në Beograd, në një takim me Vuçiqin. Presim që dialogu të jetë i kuptimtë dhe frytdhënës .Shpresojmë që të dy palët duhet të kuptojnë që sakrifica është e nevojshme, për të qenë pastaj në gjendje që të normalizojnë raportet mes këtyre dy vendeve. Një marrëveshje Kosovë-Serbi do të rezultojë me sukses në zhvillim ekonomik dhe politik. Në do të kemi një mesazh të qartë edhe në Beograd siç patëm këtu në Kosovë”, ka thënë Murphy.

Në anën tjetër senatori demokrat, Ron Johnson, ka thënë se një zgjidhje e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të jetë çelës i zhbllokimit të së ardhmes së rajonit.

“Jemi këtu për të dhënë mbështetje për popullin e Kosovës. Ne duam paqe, siguri. Dhe këto arrihen përmes një qeverie që respekton ligjin. Arritja e një marrëveshje me Serbinë është çelësi që zhbllokon të ardhmen. Prandaj jemi këtu që të mbështesim popullin në Kosovë dhe Serbi, që t’i shohim ata të suksesshëm”, ka thënë Johnson.

Abazi: Kosova ka bërë lëshimet dhe kompromisin me planin Ahtisari

Lidhur me dialogun dhe sakrificat që duhet të bëjë Kosova për dialogun, Haki Abazi, i cili së fundmi i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për gazetën “Bota sot” se dialogu duhet të garantohet nga BE dhe SHBA, pastaj Serbia të kërkojë falje për krimet në Kosovë dhe tu bëjë thirrje shteteve që e kanë tërhequr njohjen që ta deklarojnë pranimin e pavarësisë së Kosovës.

Image
Haki Abazi

“Në fakt në konferencën për shtyp dy senatorët Ron Jonson dhe Chris Murphy theksuan me prioritet që për zhvillimin ekonomik të Kosovës duhet që të ketë reformë dhe sundim të ligjit, investime në arsim dhe e treta ishte dialogu me Serbinë. Ajo që ishte karakteristike në këto deklarata është fokusimi i tek sundimi i ligjit. E para që duhet bërë është që dialogu të ketë ndërmjetësim të garantuar nga BE dhe SHBA. E dyta: Serbia duhet të kërkojë falje për krimet që ka bërë në Kosovë. E treta duhet publikisht të ju bëjë thirrje shteteve që kanë "tërhequr" pavarësinë si pasojë e lobimit të tyre të deklarohen për pranimin”, është shprehur Abazi.

Sipas tij, nëse baza e dialogut fillon në premisën e vendimit të GJND si të mirëqenë dhe të pranuar, atëherë çështjet tjera duhet të jenë të lehta dhe tregon se ka vullnet politik nga Serbia që të ecim para.

“Kosova ka bërë lëshimet dhe kompromisin me planin Ahtisari dhe kjo është konfirmuar me vendimin e GJND. Nëse baza e dialogut fillon në premisën e vendimit të GJND si të mirëqenë dhe të pranuar, atëherë çështjet tjera duhet të jenë të lehta dhe tregon se ka vullnet politik nga Serbia që të ecim para. Të gjitha proceset deri tani janë sabotuar nga Serbia në fund dhe me qëllimin që të krijojë më shumë hapësirë për vete dhe për të manipuluar fqinjët. Kosova nuk është vendi i vetëm që ka problem me Serbinë, Serbia ka problem me Kroacinë, Malin E Zi, Bosnjën dhe Maqedoninë Veriore. Nëse duhet vërtet të zgjidhen problemet, atëherë procesi i Berlinit garanton adresim të çështjeve dhe është platformë kur të gjitha çështjet mund të tejkalohen nga perspektiva rajonale”, ka theksuar ai.

Por, Abazi thotë se nëse nuk ka ndryshim të kursit në Serbi, nuk mund të ketë zgjidhje të problemit pavarësisht sakrificës që bën Kosova.

“Nëse nuk ka ndryshim të kursit në Serbi është e kotë çfarë sakrifice bën Kosova, zgjedhje të problemit nuk ka por ka një konflikt të ngrirë. Këtë format e kemi parë në vendet siç janë Palestina-Izraeli, Kashmiri ndërmjet Indisë dhe Pakistanit, Qipros ndërmjet Turqisë dhe Greqis, Irlandën Veriore ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Irlandës, dhe shumë vende të tjera. Serbia nuk ka treguar aspak gatishmëri që të jetë ndryshe përkundrazi vitin e kaluar Vuçiq në mes të Kosovës ka shpallur Millosheviqin njeri të mirë e hero të Serbisë. Ky është një legjitimim i tendencës për gjenocid në vendin e krimit. Serbia vazhdon t’i dekorojë dhe nderojë të dënuarit Hagës të cilët janë dënuar për krime kundër njerëzit dhe gjenocidit”, ka vlerësuar

“Zyrtarët amerikanë dhe Uashingtoni janë keq informuar shumë gjatë nga Thaçi dhe eksponentët e tij”

Madje, ai thotë se nuk mund të kërkohet sakrificë nga pala e cila nuk ka çfarë të bëjë më.

“Nuk mund të kërkohet sakrificë ndaj palës që nuk ka çfarë të bëjë më, duhet shikuar problemin drejtpërdrejt dhe adresuar aty ku e ka burimin. Qeveria e Serbisë nuk është as edhe zëri i qytetarëve serb sepse atje është ngulfatur demokracia plotësisht. Andaj nuk ka nevojë për urgjencë, ka nevojë për intervenime të qëndrueshme diplomatike dhe zgjedhje të problemeve në paralel me procesin e integrimeve evropiane që garantojnë paqe dhe zhvillim në rajon”, ka thënë Abazi për “Bota sot”.

Si përfundim, ai thotë se Uashingtoni dhe zyrtarët amerikanë janë keqinformuar shumë gjatë nga Thaçi dhe tani duhet fillim i ri, të dyja shtetet të jenë të barabarta.

“Përfundimi është që zyrtarët amerikanë dhe Uashingtoni janë keq informuar shumë gjatë nga Thaçi dhe eksponentët e tij, ata kanë premtuar me 2011 se do ta zgjedhin problemin dhe janë futur në dialog duke e gënjyer administratën amerikane për qëllimin. Tani duhet fillim i ri ashtu siç edhe përmendi senatori Murphy si dy shtete të barabarta. Marrëdhënia e Kosovës me SHBA dhe BE duhet të jetë e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë dhe nuk mund të ketë agjendë të dyfishtë në këto marrëdhënie”, ka deklaruar Haki Abazi.

Lepaja: Vet heqja e taksës është njëra nga sakrificat që Kosova do të bëjë

Image
Fadil Lepaja

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se dialogu do të vazhdojë patjetër dhe duet të respektohet përkrahja amerikane.

“Ajo çka është e sigurt është se dialogu duhet të vazhdojë patjetër, dhe udhëheqja amerikane e procesit duhet të respektohet, sepse përkrahja amerikane nuk është e pakushte, sidomos jo nga administrata Trump. Natyrisht, pala kosovare duhet të negociojë seriozisht, fillimisht për vet parimet e këtyre negociatave, si palë e barabartë në proces. Në fakt ashtu edhe trajtohet nga ana e administratës amerikane”, është shprehur ai.

Sipas Lepajës, Kosova duhet të sakrifikojë taksën për të rifilluar bisedimet dhe duhet ta kushtëzojë Serbinë me kërkim falje për krimet e luftës.

“Vet heqja e taksës është njëra nga sakrificat që Kosova do të bëjë për të rifilluar bisedimet, por kjo duhet të kushtëzohet me kërkim faljen e shtetit serb për krimet e kryera gjatë luftës dhe me ndërprerjen e destruksioneve të shtetit serb në raport me Kosovën”, ka theksuar Lepaja.

Ai thotë se Kosova duhet ta suspendojë taksën, pasi ka përkrahjen nga pala amerikane se marrëveshja do të përmbyllet me njohje reciproke.

“Vet theksimi nga pala amerikane se marrëveshja do të përmbyllet me njohjen reciproke, mjafton që Kosova të suspendojë taksën, pas garancive se Serbia është e sinqertë në këtë dialog dhe se ka ndërruar rrënjësisht qasjen ndaj Kosovës. Është me interes fakti se administrata amerikane askund nuk flet për taksën si të gabuar, por flet veç për nevojën që ajo të hiqet si pengesë për dialogun dhe natyrisht se Kosova duhet të marrë disa garanci nga Serbia për këtë”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se insistimi nga ana e SHBA-së për zhbllokimin e dialogut është në interes për Kosovën dhe nuk duhet të frikësohemi që dikush t’i imponojë Kosovës një marrëveshje që nuk e dëshiron.

“Z. Palmer taksën e sheh si pasojë logjike të aktivitetit të shtuar serb për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, sidomos nga ana e disa vendeve të vogla dhe pas vendosjes së taksës kemi reagimin serb të kushtëzimit të bisedimeve me heqjen e taksës, kështu është arritur në rreth të mbyllur. Insistimi në zhbllokimin e dialogut nga ana e Uashingtonit zyrtar është me interes për Kosovën dhe nuk duhet të frikësohemi se dikush do të i imponojë Kosovës një marrëveshje të cilën nuk e dëshiron”, ka vazhduar Lepaja.

Duhet të ketë tryezë pozitë-opozitë dhe duhet të ketë përfshirje të opozitës në dialog

Sipas tij, politika e Kosovës duhet ta definojë ofertën e vet për komunitetin serb në Kosovë dhe t’i definojë linjat e kuqe që nuk duhet t’i kalojë askush.

“Politika në Kosovë duhet të definojë ofertën e vet për komunitetin serb në Kosovë, dhe duhet të definojë linjat e kuqe të cilat askush nuk duhet t’i kalojë dhe kjo duhet të bëhet siç kam thënë edhe në fillim të mandatit të qeverisë së kaluar se duhet të ketë tryezë pozitë-opozitë dhe duhet të ketë përfshirje të opozitës në dialog. Politika kosovare, më shumë se në bisedime me Serbinë ka dështuar në dialog me serbët lokal, në Kosovë. Dështimi i saj që të ulë në tryezë personalitetet me ndikim në komunitetin serb, dhe të ketë tryezë të përhershme me opozitën rreth kësaj çështje është dështimi më i madh i të gjitha qeverive kosovare të pas shpalljes së pavarësisë”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Krasniqi: Çfarë konkretisht të sakrifikojmë?

Image
Faik Krasniqi

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike Faik Krasniqi, ka thënë se Kosova ka bërë mjaft lëshime dhe sakrificë, duke shtuar se ata duhet të tregojnë saktësisht se çfarë duhet sakrifikuar të dyja shtetet.

“Nuk e di se në çfarë kuptimi e kanë thënë sakrifikim. Kosova ka bërë lëshime të mëdha dhe ka sakrifikuar shumë. Çfarë konkretisht të sakrifikojmë? Është thikë me dy tehe. Duhet të na tregojnë saktësisht se çfarë të sakrifikojmë ne e çfarë Serbia, sepse Serbia nuk ka çfarë të sakrifikojë për të arritur një marrëveshje me Kosovën. Ne s'mund t'i japim territor Serbisë për hir të arritjes së një marrëveshje”, është shprehur ai.

Krasniqi thotë se nëse SHBA dëshiron të na ndihmojë, nuk duhet të na kërkojë sakrificë, duke shtuar se varet dhe kush do të vije në Qeveri.

“Nëse SHBA dëshiron që të na ndihmojë, atëherë s'duhet të kërkojë nga ne një sakrifikim të tillë. Viktima ta shpërblejë agresorin. Shumë e pandershme. Varet se kush vije në Qeveri. Nëse vijnë në Qeveri prapë këta horra që na e shkatërruan vendin, këta janë të gatshëm që Serbisë t'ia japin gjysmën e territorit, vetëm e vetëm ta mbajnë pushtetin”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...