Zbardhja e vrasjeve politike, prioritet i LDK-së në qeverinë e ardhshme

Politika

Zbardhja e vrasjeve politike, prioritet i LDK-së në qeverinë e ardhshme

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 10 shtator 2019 Në ora: 12:03
Foto ilustrim

Në fushatën jozyrtare që ka filluar nga partitë politike në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka përmendur edhe çështjen e zbardhjes së vrasjeve të pasluftës me motive politike.

Kandidati i LDK-së për deputet Adem Salihaj, kandidat i LDK-së për deputet, i cili tha se s’ka asnjë dilemë se kush është adresa e vrasjeve politike të ndodhura pasluftës në Kosovë.

Për vrasjen e më shumë se 100 zyrtarëve të LDK-së, Salihaj po e bën përgjegjëse partinë e Kadri Veselit dhe Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK-un). Këto akuza Salihaj i ka thënë disa ditë pasi ka marrë konfirmimin e Partisë se ndodhet në listën e deputetëve të LDK-së.

“Po të mos mendojmë se i kryer SHIK-u dhe strukturat e PDK-së atëherë duhet të mendojnë se dikush ka ardhur nga një planet tjetër dhe i ka kryer këto vrasje”, ka thënë Salihaj duke dhënë shpjegime tjera. “

Të gjitha gjurmët, të gjitha hetimet që janë bërë edhe nga EULEX-i dhe strukturat e pushtetit në Kosovë çojnë te PDK-ja dhe SHIK-u. Por, jo vetëm te PDK-ja por nuk përjashtohen as partitë tjera sepse këto struktura janë të përbashkëta. Të këtyre tri partive”, ka shtuar ai.

Rrahmani: Të krijohen kushte për drejtësi

Image
Imet Rrahmani

Kandidati i LDK-së për deputet, Imet Rrahmani, tani prapë kandidat për deputet, ka thënë për gazetën “Bota sot” se me LDK-në në qeveri, do të krijohen kushte për një drejtësi të pavarur.

“Qeveria e ardhshme duhet që të krijoj kushte për një drejtësi të çkapur nga ndikimet politike dhe elementet e krimit të organizuar. Natyrisht që sundimi i ligjit dhe drejtësi e garantuar imponohet si prioritet nëse dëshirojmë të kthejmë besimin në shtet”, tha Rrahmani për “Bota sot”.

Ai u shpreh se zbardhja e vrasjeve politike është njëra nga punët e para që duhet të kryhen dhe kjo nuk guxon të dështojë.

“Zbardhja e vrasjeve politike në rrethanat kur funksionon shteti ligjor është njëra nga punët e para që duhet të kryhen. Po u dështua në vendosjen e drejtësisë për këto raste nuk do të ketë mundësi e krijimit të rrethanave normale politike”, theksoi Rrahmani.

LDK-ja të mos i përdorë për fushatë vrasjet politike

Image
Sali Rexhaj

Por, veprimtari Sali Rexhaj, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se partitë politike nuk duhet që gjatë fushatës të përmendim zbardhjen e vrasjeve politike, por që të punojë në forcim të shtetit dhe në këtë mënyrë të zbardhen ato vrasje.

“Sa u përket vrasjeve, një e keqe shumë e madhe për Kosovën, pa zbardhjen e të cilave nuk mund të ndërtojmë kurrë shtet ligjor e të drejtë, sepse kriminelët ende jetojnë të lirë. Mendoj se më vrasje nuk duhet të merren partitë politike gjatë fushatës zgjedhore. Vrasjet zbardhen vetëm me forcimin e shtetit dhe funksionimin e prokurorive e gjykatave në mënyrë te pavarur”, tha Rexhaj.

Ai duke aluduar në LDK-në, ka shtuar se nuk duhet të bëjnë koalicion me ata që i kanë akuzuar për vrasje.

“Është treguar shpesh deri më tani se partitë i kanë keqpërdorë vrasjet për vota dhe në fund kanë bërë koalicion me ata që i kanë akuzuar dhe pastaj kanë qeverisë bashkë, kurse gjatë qeverisjes janë harruar vrasjet. LDK duhet të angazhohet për forcim të shtetit, vetëm kështu zbulohen vrasjet po edhe çkapet shteti nga Klani Kriminal Pronto. Vet premtimi i një subjekti se do t’i zbuloj vrasjet me të ardhë në pushtet, është paralajmërim se do ta kapin edhe ata drejtësinë. Çkapja nga një subjekt apo klan, dhe kapja nga subjekti apo klani tjetër, nuk na duhet. Kemi nevojë për shtet juridik, pra shtet të së drejtës më në fund”, është shprehur ai.

Pistat për autorët e vrasjeve janë të qarta

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, analisti Nexhat Haziri, në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se, LDK-ja duhet ta ketë primare forcimin e sundimit të ligjit, një gjygjësi të pavarur dhe në këtë bazë do të ketë sukses zbardhja e vrasjeve politike.

“Forcimi i sundimit të rendit dhe ligjit, një gjyqësi të pavarur, profesionale dhe larg ndikimit politik, do të duhet të jetë primare për LDK-në, e që kjo do të thotë edhe mundësi më shumë për çështjen e zbardhjeve të vrasjeve politike të ndodhura pas lufte në Kosovë. Dhe mbi këtë bazë unë shohë se do të ketë sukses zbardhja e vrasjeve politike në Kosovë, të cilat nëse mbesin të pa ndriçuara do të vazhdojnë të jenë si një lak rreth qafës për shtetin e Kosovës dhe si një peng I zhvillimit politik e demokratik të vendit”, u shpreh ai.

Haziri thotë se ky proces nuk duhet të konsiderohet hakmarrje nga LDK-ja, teksa mendon se ka pista të qarta që dërgojnë te autorët e vrasjeve.

“Për të gjitha vrasjet politike ekzistojnë pista të qarta dhe të sakta që dërgojnë jo vetëm tek autorët e vrasjeve, por edhe deri të urdhërdhënësit e këtyre akteve jonjerëzore, andaj vetëm kërkohet vullnet politik, guxim institucional dhe profesionalizëm, për të cilat jam i bindur se LDK-ja i posedon. Përfund, ky proces nuk duhet nga askush të konsiderohet hakmarrje, por vetëm një drejtësi e cila duhet quar në vend”, theksoi Haziri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat