“Largimi i Bolton në dobi të Kosovës, ndryshimi i kufijve nuk vjen në agjendë”

Politika

“Largimi i Bolton në dobi të Kosovës, ndryshimi i kufijve nuk vjen në agjendë”

Nga: G.B Më: 11 shtator 2019 Në ora: 20:36
John Bolton

Këshilltari për siguri, John Bolton është shkarkuar dje nga pozita e tij, nga presidenti amerikan, Donald Trump, për shkak se ky i fundit nuk është pajtuar me shumë prej sugjerimeve të tij.

“E kam njoftuar John Boltonin mbrëmë se shërbimet e tij më s’janë të nevojshme në Shtëpinë e Bardhë. S’jam pajtuar me shumë prej sugjerimeve të tij”, ka shkruar Trump në Twitter.

Kur ishte emëruar në këtë pozitë, Bolton ishte raportuar si kundërshtar i pavarësisë së Kosovës dhe si njëri ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Image
Leon Duhanaj

Lidhur me këtë, analisti politik Leon Duhanaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se largimi i Bolton mund t’i sjellë vetëm dobi Kosovës.

“Ndoshta, mund të thuhet se John Bolton, ishte zyrtari i vetëm amerikan në pozita të larta në dekadat e fundit, që kishte një qëndrim në parim negativ për Kosovën. Në ketë kontekst, shkuarja e tij nga posti i këshilltarit të Presidentit Trump, mund t'i sjellë vetëm dobi Kosovës. Natyrisht që SHBA, nuk i ndryshon vendimet e veta dhe strategjitë afatgjata diplomatike, veç se dikujt t'i teket. Megjithatë një njeri destruktiv, mund të kishte shkaktuar huti në çarqet ndërkombëtare”, është shprehur ai.

Sa i përket pasardhësit të tij, Duhanaj thotë se shpreson të jetë në harmo me qëndrimet strategjike amerikane.

“Tani, varet se çfarë profili do të ketë pasardhësi i tij. Uroj që të jetë në harmoni të plotë me qëndrimet strategjike amerikane dhe pastaj nuk do të kemi brenga rreth tij”, ka theksuar ai.

Ndërsa, sa i përket çështjes së kufijve, Duhanaj thotë se nuk do të vjen në agjendë, pa pasur përkrahjen e vendorëve.

“Për sa i përket çështjes së ndryshimit të kufijve, nuk besoj që vijnë në agjendë, pa gjetur përkrahjen e vendorëve. Edhe qëndrimet e deritanishme amerikane ishin të tilla që deklaronin mbështetje për dialogun dhe respektim të vullnetit të palëve. Kosova duhet të ketë qeveri të fortë me vlera dhe dije. Të ketë unitet kombëtar, përkatësisht ndërpartiak rreth dialogut. Nëse jemi unik dhe në nivel të detyrës, nuk mund të na ndodhë asgjë. Ndryshe, do të shndërrohemi vetë, në shkatërrues të shtetit dhe të ardhmes sonë”, ka deklaruar Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat