"Serbët kanë trumbetuar se John Bolton ishte mik i tyre dhe përkrahës i kauzës serbe"

Politika

"Serbët kanë trumbetuar se John Bolton ishte mik i tyre dhe përkrahës i kauzës serbe"

Nga: G.B Më: 12 shtator 2019 Në ora: 20:35
John Bolton

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkarkuar të martën John Boltonin nga pozita e këshilltarit për siguri, duke thënë se s’është pajtuar me shumë prej sugjerimeve të tij.

“Shërbimet e tij nuk janë më të nevojshme në Shtëpinë e Bardhë. Nuk jam pajtuar me shumë nga sugjerimet e tij, ashtu si edhe të tjerët në administratë”, shkroi presidenti amerikan në Tëitter.

Ndërsa Bolton dha një version tjetër të ngjarjes: “Ofrova dorëheqjen time mbrëmë dhe presidenti Trump tha ‘le të flasim nesër’”.

Kur ishte emëruar në këtë pozitë, Bolton ishte raportuar si kundërshtar i pavarësisë së Kosovës dhe si njëri ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se arsyet nuk kanë të bëjnë direkt me Kosovën, por raportet e tyre janë ftohur për shkak të mospajtimeve të shumta për çështje të ndryshme.

“Në fakt, arsyet e deklaruara por edhe të padeklaruara nuk kanë të bëjnë me Kosovën drejtpërdrejt. Në fakt, marrëdhëniet e tyre ishin ftohur për shkak të mospajtimeve të shumta rreth çështjeve të ndryshme, e së fundmi sidomos rreth procesit të negociatave me talebanët, në Afganistan”, është shprehur ai.

Sipas Lepajës, serbët e kanë pasur mik dhe përkrahës të kauzës së tyre Boltonin, derisa ishte dhe kundërshtar i pavarësisë së Kosovës.

“Natyrisht, ndërrimet e këtij niveli mund të ndikojnë në drejtimet, por edhe në dinamikën e proceseve, edhe në tema me rëndësi strategjike për SHBA. Në fakt zbutja e konflikteve edhe kundërthënieve me armiqtë e deridjeshëm sidomos me Rusinë, Korenë e Veriut, apo botën islame. Serbët e kanë trumpetuar se John Bolton si kundërshtar i pavarësisë së Kosovës, ishte mik i tyre dhe se ishte përkrahës i kauzës serbe. Njëkohësisht, ka mendime se ai edhe e impononte dialogun me çdo kusht, dhe presionin mbi Kosovën, por sidoqoftë kjo mund të jetë edhe pjesë e spekulimeve”, ka theksuar Lepaja.

Ai thotë se nga largimi i tij mund të pritet zbutje e presionit mbi Kosovën.

“Në përgjithësi, duke ju referuar edhe deklaratave të cilat e pasuan largimin e Bolton, nuk mund të priten efekte negative për Kosovën, madje mund të zbutet presioni mbi Kosovën”, ka deklaruar Fadil Lepaja për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat