Vajza e Gani Gecit, Marigona, zyrtarisht është kandidate për deputete në kuadër të listës zgjedhore të LDK-së. Ajo në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur edhe për komunikatën numër 59.
Ndërsa mes të tjerave në këtë intervistë kandidatja e LDK-së ka theksuar se babai i saj ka shpëtuar disa atentateve falë zotit dhe mbështetjes që ka pasur nga vëllezërit e tij, dhe gjithë farefisit.
“Familja ime nga ana e babës ka qenë në shënjestër të grupeve kriminale si gjatë ashtu edhe pas luftës. Babai i ka shpëtuar disa atentateve falë zotit dhe mbështetjes qe ka pasur nga axhallarët e mi, dhe gjithë farefisi im. Organet e drejtësisë duhet të jenë të ndara nga politika, unë kam qenë e re kur babai është plagosur, por i mbaj mend të gjitha. Besojmë dhe do të punojmë që organet e drejtësisë do të zbulojnë dhe do të dënojnë akterët e vrasjeve të aktivisteve të LDK-së”, ka thënë Marigona Geci për gazetën “Bota sot”.
Tutje, ajo ka thënë se është kompetencë e gjykatave që kanë të bëjnë me luftën ta zbardhin të vërtetën, dhe shpreson se misteri i komunikatës 59 do të zbardhet një ditë.
“Unë jam ekonomiste, por besoj që Prokuroria e shtetit dhe mekanizmat e saj do t’i qesin para drejtësisë të gjithë ata që kanë plagosur dhe vrarë aktivist të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa sa i përket komunikatës nr. 59 është kompetencë e gjykatave që kanë të bëjnë me luftën dhe shpresojë se misteri i komunikatës 59 do të zbardhet nga ata që kanë kompetenca për ta zbardhur”, ka shtuar ajo.