Politikanët po i keqpërdorin sportistët për interesa politike dhe elektorat partiak

Politika

Politikanët po i keqpërdorin sportistët për interesa politike dhe elektorat partiak

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 14 shtator 2019 Në ora: 11:20
Kadri Veseli

Politikanët po i keqpërdorin talentët e rinj në kulturë, art dhe sport. Një gjë e tillë po ndodhë veçanërisht tani kur Kosova është në fushatë zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen me 6 tetor.

Kosova është një rast unikal sa i përket promovimit të talenteve në art, kulturë dhe sport. Sikur të kishim talente të tilla në politikën e Kosovës, do të kishim arritur që ky vend me mundësi aq të mëdha të bëhej model për rajonin dhe Evropën. Por fatkeqësisht ekziston një hendek i madh midis politikës dhe talenteve në art e në sport.

Kështu ka vlerësuar, profesori Enver Bytyçi, sipas të cilit në Kosovë, disa politikanë po i keqpërdorin talentet e Kosovës për interesa politike dhe elektorat partiak.

“Është një diferencë trishtuese. Sportistët dhe artistët e famshëm të Kosovës nuk morën pjesë me armë në dorë në luftën për çlirimin e Kosovës. Por po e mbrojnë Kosovën sot jo vetëm nga Serbia, po e mbrojnë edhe nga bashkëpunëtorët e Serbisë në Prishtinë, nga ata që predikojnë dhe punojnë për ndarjen e Kosovës, nga ata që janë korruptuar dhe bashkëpunojnë me bandat e krimit. Ndërkaq ne shohim se si disa politikanë në Kosovë i keqpërdorin talentet e Kosovës për interesa politike dhe elektorat partiak”, thekson Bytyqi.

Image
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Tutje thotë se, është interesant fakti se pikërisht ata politikanë që sillen keq me atdheun, me shtetin, me lirinë, me të drejtat e qytetarëve, me të sotmen e të ardhmen e Kosovës i adresohen më së shumti ekipit të kombëtares së futbollit dhe artistëve të famshëm, ashtu si edhe xhudistes së famshme, Majlinda Kelmendi etj.

“Ta respektosh ekipin e kombëtares në futboll apo çdo talent tjetër në Kosovë është detyrë e çdo politikani. Por ta përdorësh atë është ligësi dhe poshtërsi. Keqpërdorimi lidhet me faktin se këta politikanë nuk mendojnë dhe nuk besojnë në idealizmin e sportistëve. Sportistët e artistët e Kosovës e duan atdheun më shumë se disa politikanë që dridhen e përdridhen në sallat e zhveshjes së kombëtares, kur ajo merr trofetë e fitoreve. Ndryshe nuk do të qëndronin indiferentë ndaj padronit në presidencë dhe në Beograd, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e territorit të vendit”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka theksuar se, Kosovën e mbrojnë sportistët dhe artistët më mirë sesa politikanët. Madje fama e kombëtares së futbollit e quajtur si ‘Brazili i Ballkanit’, sikur e kompenson imazhin negativ që kanë krijuar politikanët e korruptuar dhe arrogantë në Prishtinë. Nuk e di nëse skuqen apo zverdhen këta politikanë kur gjenden para futbollistëve të famshëm, pata golashënuesve apo para portierit të kombëtares, para pasuesit të Fadil Vokrit apo kapitenit të skuadrës!

“Nëse nuk skuqen e nuk zverdhen, atëherë këta politikanë të pafytyrë bëhen rrezik për Kosovën”, përfundoi Bytyqi.

Tërnava: Partitë e keqpërdorim sportin e Kosovës, për promovimin e politikave të tyre jo reale

Image
Hajrullah Tërnava

Ish kryetari i Federatës së Xhudos, Hajrullah Tërnava, ka thënë se prijësit e partive politike po e keqpërdorin mënyrën e promovimeve të politikave të tyre jo reale duke i keqpërdorur edhe sportin e Kosovës, sikur xhudon apo futbollin.

“Si në lojën e fundit që shumë prijs të partive për qëllime politike po i mbështesin sportin, që para publikut t’i arrijnë ato qëllime parazgjedhore, që në partitë e tyre të aderojnë sa më shumë simpatizant sportiv, dhe me këtë, partive të tyre t’iu shtohen anëtarët që do t’iu jepin votat” ka thënë Tërnava.

Sipas tij, një gjë e tillë ndodhi edhe para disa ditëve me të parin e AAK-së, për sportin e xhudos, dhe në ndeshjen e fundit në futboll me të parin e PDK-së e shumë partiakve të tjerë.

“Në këtë situatë nuk po zgjedhen mënyrat e format se si me ia arritë qëllimit që të përfitojnë zgjedhe, shpesh i shohim të parët e partive duke i pranuar në parti gratë e mbuluara, apo me hoxhollarë duke u fotografuar, që në të vërtetë këtë e bëjnë për përfitime të elektoratit, se asnjëri nga ta, nuk është fetar i përkushtuar mbas fesë. Mendoj se prijësit e partive, duhen të jenë vigjilent dhe t’i kenë programet e tyre të zhvillimit të vendit të tyre, dhe të mendojnë dhe të jenë koherent në hap me kohën, se si në Kosovë të hapen vende pune për të rinjtë e këtij vendi, që nëse shikohet në retrospektivë Kosova ditë e për ditë po zbrazet nga të rinjtë e këtij vendi. Dhe sikur t’i kishim politikanët ashtu si duhet planet e zhvillimit të vendit tonë, në nivel me kohën, dhe me një kulturë në përputheshmëri me ligjet, ndryshe do të ishte sot Kosova, si një shtet i ri me prespektivë dhe me plot vende të reja pune, ku edhe të huajt do të investonin sikur që patë raste, e që iu është dashur atyre që erdhën për të investuar menjëherë me u tërheq, kur e panë se këtu këtë vend e ka kapluar krimi i organizuar, dhe ato investime i bartën në vendet fqinje, prandaj sot në këtë vend e kemi situatën të tillë sikur po e shohim tani”, ka deklaruar ai.

Burjani: Kosova ka sportistë të mrekullueshëm, por nuk ka politikanë që e duan shtetin e vet

Image
Blerim Burjani

Kurse, analisti politik Blerim Burjani, thotë se Kosova ka ekip të mrekullueshëm, të cilët janë krenaria e shteti të Kosovës.

“Kosova ka sportistë të mrekullueshëm, këngëtar dhe artistë, më e keqja është se Kosova nuk ka politikanë që e duan shtetin e vet, që distancohen nga korrupsioni, nepotizmi dhe zhvatja e parasë publike, është vështirë me këtë klasë politike që jetojnë prej qytetarëve, me votën e qytetarit punësohen me mandat me ka dy vjet”, përfundoi Blerim Burjani.

Sipas tij, ideja e këtyre njerëzve analfabet është për të mbetur gjallë prej mjegulle gjoja se këta po merren me qytetarët duke u shprehur se është problem me këtë mentalitet politik.

“Nuk ka vetëdijesim fare, 20 vjet njëjtë me zhvatës të parasë publike me punësim familjar e partiak , korrupsion, është tepruar mjaft shumë e ka eskaluar plotësisht sa që askush nuk merret me këtë klasë politike”, shprehet Burajni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat