Zogaj: Votuesit duhet ta dinë se mashtruesit rezultat e kanë mashtrimin

Politika

Zogaj: Votuesit duhet ta dinë se mashtruesit rezultat e kanë mashtrimin

Nga: G.B Më: 17 shtator 2019 Në ora: 23:06
Skënder Zogaj

Në kohë fushate jemi mësuar të dëgjojmë politikanët të bëjnë premtime të shumta për qytetarët e Kosovës, duke i vizituar ata dhe duke u dhënë përkrahje e premtime.

Por, pas zgjedhjeve duket se ato premtime harrohen dhe asnjë nuk realizohet.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se qëllimi i fushatave parazgjedhore është zgjimi i vëmendjes dhe i motivimit të votuesve për t’ia dhënë besimin një partie politike apo kandidatëve të pavarur që garojnë.

“Qëllimi kryesor i fushatave parazgjedhore është zgjimi i vëmendjes dhe i motivimit të votuesve për t'ia dhënë besimin një partie politike ose kandidatëve të pavarur që futen në garë! Në vende me traditë më të gjatë e më të mirë premtimet bëhen të bazuara në programe konkrete që i ofrohen elektoratit dhe, kandidatët gjatë fushatës vetëm i zbërthejnë programet e subjekteve të tyre politike! Te ne kjo kohë ende nuk ka ardhur, sepse shumica e partive politike nuk kanë programe, prandaj bëjnë fushata me fjalë të mëdha por boshe dhe me premtime mashtruese”, është shprehur ai.

Zogaj thotë se mënyra si veprojnë partitë ka shpjegim, por është për tu habitur me elektoratin që ua japin besimin atyre që gënjejnë më së shumti.

“Kjo mënyrë e veprimit të partive politike e ka shpjegimin e vet, por është për tu habitur me elektoratin, që si për inat të vetvetes, besimin ia jep atyre që e din saktë se rrejnë më së shumti! Kjo është përvoja 20 vjeçare kosovare e zgjedhjeve, prandaj, shumica e garuesve e bëjnë premtime pa e vrarë fare mendjen se premtimet i kanë të parealizueshme, pra, se bëjnë premtime mashtruese! Në këtë situatë, është për tu theksuar edhe vetë-viktimizimi i qytetarëve, të cilët nuk është se nuk e dinë, por vetëdijshëm e keqpërdorin votën e tyre duke ua dhënë kampionëve të rrenës, mashtrimit, korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka vlerësuar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Ai përmend zgjedhjet e kaluara që thotë se u dha besimi ca maskarenjve primitivë dhe analfabetë, derisa shpreson që e njëjta të mos ndodhë edhe në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Zgjedhjet e kaluara janë rasti më domethënës, sepse në Parlamentin e Kosovës u është dhënë besimi ca maskarenjve primitivë dhe analfabetë, ca rrugaçëve dhe horrave me xhufkë, ndërsa, fjala vjen nuk i ka marrë votat akademiku Sabri Hamiti e shumë figura intelektualësh me zë! Prandaj, zgjedhjet bëhen për të zgjedhur dhe votuesit duhet paraprakisht ta dinë se mashtruesit rezultat e kanë mashtrimin! Urojmë që 6 tetori i sivjetëm të jetë ndryshe dhe, rezultati zgjedhor të jetë një nismë e re me njerëz më të përgjegjshëm për popullin dhe vendin! Vota është e shenjtë dhe duhet të kultivohet si e tillë! Kjo është udha e shpresë së re”, ka deklaruar Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat