Kadri Veseli nuk mund të spastrohet pa u hetuar SHIK-u

Politika

Kadri Veseli nuk mund të spastrohet pa u hetuar SHIK-u

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 24 shtator 2019 Në ora: 08:19
Kadri Veseli

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, nuk rresht së thëni që përgjithësisht misioni i tij – nëse potencialisht bëhet kryeministër – do të jetë luftimi i korrupsionit dhe nepotizmit.

Për hirë të së vërtetës, PDK-ja, nuk është se ka qenë “dorë e hekurt” ndaj korrupsionit apo nepotizmit, cilado qoftë. Shumë nga institucionet publike kanë qenë dhe janë të zëna nga pjesëtarë të lidhur direkt ose indirekt me PDK-në.

Prandaj dhe deklaratat e kryetarit Veseli për kinse luftën kundër  korrupsionit nuk merren edhe aq serioze. Në fakt, këto deklarata po cilësohen dhe qesharake. Për më tepër kjo iniciativë po konsiderohet edhe si tendencë për rehabilitimin e Veselit, duke marr për bazë faktin se ishte Drejtor i Shërbimit Informativ të Kosovës, SHIK.

Gecaj: Njeriu i mjegullës, vetëm mjegull mund të prodhojë

Image
Bajram Gecaj

Bajram Gecaj, zyrtar në LDK, i cili për “Bota sot”, ka deklaruar se Kasdri Veseli, nuk mund të spastrohet pa u bërë një hetim nga një prokurori e gjyqësi profesionale.

“Kadri Veseli nuk mund të spastrohet derisa kjo të ndodh fillimisht për SHIK. Hetimi i thellë dhe profesional të aktiviteteve të SHIK-ut mund të ndodh vetëm nga një polici, prokurori dhe gjyqësi profesionale, tërësisht jashtë çdo ndikimi politik”, tha ai.

Gecaj, e cilëson Veselin si njeri të mjegullës që vetëm mjegull prodhon.

“Njeriu i mjegullës, vetëm mjegull mund të prodhojë por kurrsesi luftë kundër korrupsionit dhe nepotizmit”, tha Gecaj.

Image
Avni Zogiani

Zogiani: Askush s’mund të rehabilitohet nga e kaluara

Se Kadri Veseli s’është në gjendje ta luftoj korrupsionin, është i mendimit edhe zyrtari tjetër i Vetëvendosjes, Avni Zogiani.

Zogiani, për “Bota sot”, tha se Kadri Veseli nuk mundet dhe nuk është duke e luftuar korrupsionin.

“Nuk mundet edhe nuk është duke ndodhur, s’po ia blen kush këtë fore më”, tha Zogiani.

Krasniqi: Politika mjafton që të mos ndërhyjë në drejtësi

Image
Faik Krasniqi

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike Faik Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, thirrjen për luftën ndaj korrupsionit të Kadri Veselit, e cilëson jo serioze dhe konsideron që është fyerje për opinionin.

“Askush s’mund të rehabilitohet nga e kaluara. E kaluara nuk mund të fshihet. Nëse në të kaluarën dikush ka kryer vepra jo të mira, në një vend normal do të jepte përgjegjësi. Thirrja e Kadri Veselit kundër krimit dhe korrupsionit, më duket shumë jo serioze. Është tallje me opinionin”, tha ai.

Krasniqi, theksoi se korrupsionin nuk mund ta luftojë dikush që e ka instaluar atë.

“Cilin korrupsion dhe krim të organizuar do ta luftojë ai? Atë që e kanë instaluar bashkë me shokët dhe partitë e tjera? Fushata e tij po bëhet qesharake. Në njërën anë bën fushatë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, kurse në anën tjetër korrupsioni, krimi i organizuar dhe nepotizmi vazhdon nëpër institucione. Kur e dëgjon Kadri Veselin dhe partitë e tjera duke folur për këto dukuri negative, të mbushet mendja që populli është i korruptuar dhe këta janë në krye të luftimit. Krimin e organizuar dhe korrupsionin e luftojnë njerëzit e pastër. Politika mjafton që të mos ndërhyjë në drejtësi dhe drejtësia është ajo që i lufton këto dukuri që janë shndërruar në kancerin e shtetit dhe gjithë shoqërisë”, tha Krasniqi. 

Loshi: Krejt infrastrukturën për kapjen e shtetit e ka ndërtua vetë Kadri Veseli me argatët e tij, pra me SHIK-un

Image
Liri Loshi

Publicisti Liri Loshi, është deklaruar në rrjetin social Facebook rreth nismës së Veselit për ta luftuar korrupsionin.

Ai, u shpreh se shumë gjëra që thotë Veseli janë pozitive, por se, siç tha ai, është partia e tij që ka punuar, përkatësisht vepruar keq.

“Janë plot sene që i flet Kadri Veseli e që i ka mirë, por partia e tij ka punu keq! Tash nuk mundesh me marrē besimin e ri pa e pagu çmimin për punët e këqija. Krejt infrastrukturën për kapjen e shtetit e ka ndërtua vetë Kadri Veseli me argatët e tij, pra me SHIK-un. Kjo është arsyeja pse ai pas Thaçit u bë lider partie, pra me veprimet e tij të nëntokës dhe jo me ndonjë aktivitet politik. Korrupsioni është projekt i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit që përmes parasë ta forcojnë dhe mbajnë të fortë PDK-në dhe për të kapur çdo segment shtetëror përmes secilit, mu si në Korenë Veriore, kontrollohet çdo gjë “e gjallë” nga partia”, tha ai.

Ripërtëritja e partisë demokratike, është hap i qëlluar dhe premtues për korrigjimin e gabimeve. Por ato gabime, sipas Loshit, nuk janë vetëm të Hashim Thaçit por edhe të Kadri Veselit.

“Tash përtëritja e partisë me njerëz të rinj është hap i qëlluar dhe premtues për korrigjimin e gabimeve. Mirëpo, ato gabime nuk janë vetëm të Hashim Thaçit, janë edhe të Kadri Veselit. Nuk mundet Veseli me u ba feniks, thuajse u ringjall nga hiri dhe do t’i ndreq gabimet e të tjerëve! Gabimet janë të tij, më shumë se të çdo kujt tjetër. Dhe për ato gabime ai duhet të tërhiqet nga politika. Pastaj ai që i zë vendin duhet të jetë një emër i ri që nuk ka arritur të përfitojë asgjë nga projekti i tij i korrupsionit. Shumë vështirë është të gjendet një i tillë në PDK. Mbase, do të gjendet ndonjë grua. Nuk është ide e keqe që pikërisht PDK të kalojë në emrin e një gruaje, ashtu sikurse ka kaluar banesa e Kadri Veselit, për shembull. Të pastrohet në opozitë disa vjet dhe pastaj të kthehet”, ka deklaruar Loshi.

Kadri Veseli po i jep zor kot ka thënë tutje Loshi.

Sipas tij, Veseli, po i jep zor, ashtu sikur nuk do te duhej t’i jepte. Ai po konkurron me krejt forcat për të dalë i pari dhe për ta mbajtur Kosovën nën sundim aq gjatë sa të jetë e mundur.

“Duhet llogaritur se edhe nëse PDK del e para, me një votë rreth 30 për qind, është 70 përqindëshi tjetër që nuk don me pa me sy PDK-në, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Kryeministri i Kosovës është në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm në shërbim të atyre që i kanë siguruar votën. Merreni shembull Ramush Haradinajn. Ai asnjëherë nuk e ka pasur mbi 10 për qind të votave, por si kryeministër ka pasur një përkrahje të gjerë në popull. Këtë përkrahje shihet qartë se nuk e ka Kadri Veseli, pra as atëherë kur arrin trefishin e votave të Ramushit. Pothuaj të gjitha partitë në Kosovë, përveç Vetëvendosjes kanë klientelën e tyre, apo hambarët ku u marrin votat. Por, asnjë kandidat nuk është i urryer për shumicën tjetër sa është Kadri Veseli”, ka thënë ai.

E mira e të mirës, është që njeriu duhet parë vetën para se gjithash, ka deklaruar më tej Loshi.

“Njeriu duhet me pa veten. Ose kur nuk e sheh, me pyet njerëzit rreth vetes se çfarë mendon populli për të dhe ata i tregojnë. Gjasat që Kadri Veseli të bëhet një lider i dashur për shumicën popullore, janë zero. Me gjasat zero nuk di ku mund të shkojë njeriu! Në zyrë publike nuk është mençuri me hy kur e di se paraqet provokim për popullin. Ne po duam të jetojmë në harmoni dhe paqe e jo në konflikt permanent që mund të na shpjerë në ndonjë luftë qytetare”, përfundon Loshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat