Vetëm një mendje si e Ibrahim Rugovës mund të sjell liberalizimin e vizave

Politika

Vetëm një mendje si e Ibrahim Rugovës mund të sjell liberalizimin e vizave

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 26 shtator 2019 Në ora: 12:33
Ibrahim Rugova

Me anë të një shkrimi në rrjetin social Twitter, Komiteti Europian për liri Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme ka bërë të ditur se në një votim të hapur është marrur vesh që të fillojnë bisedimet me Këshillin Europian për heqjen e vizave për Kosovën. Mandati do të konfirmohet në një seancë plenare të Parlamentit Europian.

Por, pavarësisht këtij hapi, Kosova as këtë vit nuk do të futet në agjendë për liberalizim të vizave nga BE-ja.

Kështu kanë vlerësuar analistët politik, ku sipas tyre qytetarët e Kosovës tashmë e kanë kuptuar që pengesa kryesore është te klasa politike e korruptuar dhe që bashkëjeton me krimin.

Bytyçi: Në këtë proces do të ketë ndikim të padiskutueshëm rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit

Profesor Enver Bytyçi, ka thënë se (mos)liberalizimi i vizave për Kosovën nga ana e Bashkimit Evropian është një politikë e përsëritur në sensin negativ disa herë në pesëvjeçarin e fundit.

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

Sipas tij, ishte krijuar një opinion pozitiv së kësaj vjeshte Këshilli i Ministrave të BE-së do t’i hapte rrugë liberalizimit të vizave dhe do të caktonte një datë për këtë.

“U shpresua se krishtlindjet shqiptarët do t’i festonin së bashku me të dashurit e tyre në vendet e zonës së Shengen të Evropës. Por, kjo nuk ndodhi. Nuk ndodhi për disa arsye. Nuk u liberalizuan vizat, sepse Kosova gjendet në fushatë elektorale dhe se mendohet që me këtë vendim të funksionojnë karota ose presioni politik për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë. Jam i sigurt se disa vende evropiane vazhdojnë politikën e izolimit të qytetarëve të Kosovës, me qëllim që ata të detyrohen të votojnë ose të pranojnë një zgjidhje të papëlqyeshme për vendin në fund të procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi. Por, besoj ende në atë se shkaku kryesor i mos marrjes së këtij vendimi pozitiv ka të bëjë me raportet e disa vendeve të BE-së më pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Janë pesë vende të këtij bashkimi që nuk pranojnë ta njohin Kosovën shtet sovran e të pavarur”, ka thënë profesor Bytyçi.

Ai ka thënë se Çekia përmes presidentit të saj bën presion për këtë. Forcat regresive popullsite pro Moskës në shumë vende të BE-së janë rigjallëruar.

“Këto forca bëjnë presion, sepse nuk duan që Kosova të bëhet pjesë e BE-së. Në fakt atë nuk e duan as vetë BE-në. Por në Evropë opinioni publik është determinues në ndërtimin e politikave dhe në vendimmarrje. Nëse vendet e pavarura kishin më pak vështirësi për liberalizimin e vizave, Kosova ka shumë më tepër. Ajo nuk e ka luksin që të imponohet as me standardet e zbatuara, pavarësisht se në këtë drejtim ka probleme, sidomos në çështjet e korrupsionit dhe luftës kundër krimit të organizuar. Besoj se në këtë proces, ashtu si në shumë çështje të tjera, do të ketë ndikim të padiskutueshëm rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit”, ka thënë profesor Bytyçi.

Sipas tij, shqiptarët në Kosovë duhet të binden se nuk mund të vazhdojnë më me partitë politike që e kanë izoluar vendin, as me ata që punojnë për ta liruar veten nga krimet e për ta izoluar Kosovën nga Evropa.

“Tregtarët e kufijve duan të lirojnë veten prej krimeve që kanë bërë. Ndërsa kësisoj izolojnë popullin e tyre. Po kështu ata që mbrojnë krimin dhe korrupsionin. Prandaj duhet frymë e re, duhen njerëz të dijes, duhen mendjet e ndritura që ta drejtojnë pas 6 tetorit Kosovën. Të jeni të bindur se me mendjen e Rugovës erdhi pavarësia e Kosovës dhe një mendje si e atij realizon të gjitha proceset e tjera, të cilat janë shumë më të lehta sesa pavarësia”, ka thënë profesor Bytyçi.

Blakaj: Pa luftimin serioz të dukurive të tilla negative nuk do të ketë liberalizim

Image
Sami Blakaj

Kurse, njohësi i Politikave të BE-së, Sami Blakaj, ka thënë se ngecja e institucioneve përgjegjëse të Kosovës, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka bërë që qytetarët e Kosovës edhe këtë vit të mos e gëzojnë lirinë e lëvizjes.

Sipas tij, korrupsioni në dikasteret institucionale, abuzimet me paratë publike, nepotizmi dhe politizimi i skajshëm i sistemit të drejtësisë, janë arsyet kryesore që kanë ndikuar në hezitimin e një pjese të shteteve anëtare të BE-së, për t`i thënë “po” liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Pa luftimin serioz të dukurive të tilla negative dhe pa dhënien e rezultateve konkrete në sundimin e ligjit, jo vetëm që nuk do të ketë lëvizje të lirë sivjet, por një gjë e tillë do të rrezikohet edhe vitin që vjen”, ka thënë njohësi i Politikave të BE-së, Sami Blakaj

Lepaja: Qytetarët e Kosovës janë peng i bisedimeve me Serbinë

Image
Fadil Lepaja

E analisti politik Fadil Lepaja, ka thënë se për qytetarët e Kosovës tashmë asgjë nuk paraqet shok.

Sipas tij, Kosova as këtë vit nuk do të futet në agjendë për liberalizim të vizave nga BE-ja.

“Mbase për qytetarët e Kosovës do të jetë edhe një “shok” i ri mos agjenda nga BE-ja për liberalizimin e vizave. E në lidhje me atë, se sa do të presin e durojnë qytetarët këtë lloj politike e cila përveç që e ka stagnua Kosovës, po e kthen edhe prapa në hapa drejt Bashkimit Evropian. Madje, qytetarët e Kosovës tashmë e kanë kuptuar që pengesa kryesore, është te klasa politike e korruptuar dhe që bashkëjeton me krimin. Në këtë drejtim, në kuadër të procesit të integrimeve euro-atlantike, mos bërja e hapit përpara kur është koha, e ka kuptimin e një hapi prapa. Qytetarët e Kosovës janë peng i bisedimeve me Serbinë dhe një marrëveshjeje përfundimtare me të. Kam përshtypjen se BE po e përdorë si presion indirekt, kartën e liberalizimit të vizave, për të nxitur ndryshime në politikën e vendit. Asnjë argument tjetër nuk mund të ketë për izolimin e padrejtë të shtetasve të Kosovës”, ka thënë analisti politik Fadil Lepaja.

Analisti politik Skender Mulliqi, ka thënë se Kosova qe shumë kohë ka fituar liberalizimin e vizave sipas atyre që ishin në krye të shtetit.

Image
Skender Mulliqi

Këto sipas tij, ishin vetëm farsa politike për ta zhvendosur vëmendjen nga problemet e grumbulluara të të gjitha natyrave dhe për ta mbajtur  gjallë shpresën te njerëzit, së shpejt do të dalim nga izolimi.

“BE-ja ka prioritete krejt tjera shumë më të mëdha së punën e Kosovës. Ata e kanë pa së udhëheqësit tanë nuk po e luftojnë krimin dhe korrupsionin e niveleve te larta si dy kushtet kryesore të cilët ende nuk i kemi përmbushur që të ndodhë liberalizimi i vizave. Kjo klasë politike me ndonjë përjashtim ka dështuar dhe zor të priten ndryshime pozitive edhe për vitin që po vjen”, ka thënë Mulliqi.

Ai konsideron, se qytetarët tashmë janë lodhur dhe ngopur më premtime boshe së do të behët mirë.

“Asnjë avancim pozitiv të proceseve nuk e kemi që shumë vite, aq më keq kemi kthim mbrapa. Kjo po bën që të largohet rinia nga vendlindja e tyre. Papunësia është e lartë, edhe ata që po punojnë në sektorin shoqëror e atë privat kanë paga të ulëta , për koston e lartë të jetës që po e bëjmë. Pa faj për një gjendje të tillë jo të mirë sidomos në planin politik nuk është as bashkësia ndërkombëtare dhe populli i Kosovës. Nëse Pavarësia e Kosovës është projekt ndërkombëtar atëherë toleranca karshi të keqes do të duhej të jetë zero, kurse populli të zgjohet nga gjumi dhe nga mendimet utopike se vetvetiu do të bëhet mirë", ka thënë Mulliqi.

Kujtojmë se, me anë të një shkrimi në rrjetin social Tëitter, Komiteti Europian për liri Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme ka bërë të ditur se në një votim të hapur është marrur vesh që të fillojnë bisedimet me Këshillin Europian për heqjen e vizave për Kosovën. Mandati do të konfirmohet në një seancë plenare të Parlamentit Europian.

66 anëtarë kanë votuar për propozimin e fillimit të bisedimeve me Këshillin Europian. 49 vota kanë qenë për, 4 abstenime dhe 13 vota kundër.

Komiteti LIBE është komitet i posaqëm në Parlamentin Europian për mbrojtje të të drejtave civile dhe të drejtave njerëzore, duke përfshirë ato të minoriteteve. Mandatin e drejtimit të këtij instrumenti të PE’së e ka spanjolli Juan Fernando Lopez Aguilar.

Nëse propozimi kalon edhe në Parlamentin Europian, atëherë hapet rruga për bisedime me Këshillin Europian. Pas përfundimit të bisedimeve me Këshillin Europian pritet që të dilet me një vendim përfundimtar për liberalizim të vizave. Nuk dihet sa do zgjasë ky proces. Seanca plenare në Parlamentin Europian mbahet muajin që vjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat