INTERPOL, dështimi i radhës i MPJ-së

Politika

INTERPOL, dështimi i radhës i MPJ-së

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 27 shtator 2019 Në ora: 11:23
Foto Ilustrim

Në janar të këtij viti, Kosova ka parashtruar sërish kërkesën për t’u anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare Policore (INTERPOL), e cila kërkesë është pranuar nga kjo organizatë, por ende mbetet e paqartë nëse kjo kërkesë do të hyjnë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate.

Kërkesën për tu anëtarsuar në INTERPOL e ka kundërshtuar shteti i Serbisëduke mos pranuar të jetë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. 

Asambleja e Përgjithshme e Interpolit do të mbahet nga 15 deri në 18 tetor në kryeqytetin e Kilit, Santiago.  Komiteti Ekzekutiv i Interpolit ka 13 anëtarë – Algjeria, Rusia, Argjentina, Emiratet e Bashkuara Arabe, Franca, Brazili, Moldavia, Angola, Nigeria, Holanda dhe Presidenca e Koresë së Jugut – ndërsa vendet e Amerikës dhe Azisë janë boshe.

Nga këto vende, shtatë nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës.

Voca: Më mirë do të ishte të mos provojmë fare një anëtarësim tani në Interpol sepse dështimi është i sigurt

Lidhur me këtë ngjarje njohësi i çështjeve për integrime evropiane Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot”, tha që Kosova nuk ka bërë lobime në lidhje me anëtarësimin në INTEPROL, dhe se MPJ në krye me Behgjet Pacollin, ka dëshmuar që nuk ka mundur të anulojë asnjë lobim të njohjeve të Kosovës  dhe se dështim më i madh se ky nuk mund të ketë MPJ-ja.

Image
Mirsad Voca

“Kosova nuk ka se si të jetë e përgatitur për një anëtarësim në INTERPOL duke e pasur parasysh se MPJ jo vetëm nuk bënë lobime por me në krye Behgjet Pacolli, ka dëshmuar qartë dështime të njëpasnjëshme meqë nuk ka mundur madje të gjej asnjë mekanizëm për t’iu kundërvënë lobimit agresiv serb për anulim të njohjeve të Republikës së Kosovës pranë vendeve që tashmë e kanë njohur si të tillë. Nuk besoj se mund të ketë dështim më të madh të MPJ-së”, tha Voca.

Më tej, Voca, shprehët që nuk do të ketë anëtarësim në INTERPOL, pasi që nuk jemi të përgatitur si shtete dhe për këtë arsye më mirë do të ishte të mos provonim aspak të anëtarësohemi.

“Më mirë do të ishte të mos provojmë fare një anëtarësim tani në Interpol sepse dështimi është i sigurt dhe për këtë arsye nuk do të duhej të provohet për të dytën herë tani sidomos për shkak të diplomacisë dështake dhe të papërgatitur që kemi aktualisht”, u shpreh Voca.

Në fund, Voca, tha, që as institucionet as MPJ nuk kanë bërë punën e tyre siç duhet pasi që kanë qenë papërgatitur, të papërgjegjshëm dhe joserioz në zhvillimin e jashtëm të Kosovës.

“As Ministria e Punëve të Jashtme as institucionet tjera nuk kanë bërë ndonjë punë të domethënëse si në politikën e jashtme as në shtetndërtimin e vendit. Kjo sepse në krye të këtyre institucioneve kemi përfaqësues të papërgjegjshëm, jo kredibil, të papërgatitur, të cilët nuk kanë treguar aspak seriozitet në ndërtimin, zhvillimin dhe në afirmimin e jashtëm të Republikës së Kosovës”, përfundoi Voca.

Burjani: Kosova ka pas kohë të përgatitet, por këtë nuk e bëri MPJ përveç fjalorit retorik as plan e as ide nuk ka pasur

Juristi dhe analisti politik, Blerim Burjani, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që MPJ-ja, nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim, ka qëndruar e heshtur dhe nuk ka pasur organizim diplomatik lidhur me këtë çështje.

“MPJ-ja, asgjë nuk bërë, ka qëndruar e heshtur, nuk ka pas lobizim as takime me shtetet anëtare të kësaj organizate, nuk pas shtrirje të organizimi diplomatik më të gjerë me shtetet e largëta që nuk e din as ku është Kosova”, u shpreh Burjani.

Image
Blerim Burjani

Tutje, Burjani, tha që përderisa nuk ka një qeveri të re atëherë nuk do të ndodhë ndonjë ndryshim në aspektin pozitiv pasi që nuk ka përgjegjësi ligjore e as morale për ta ndihmuar shtetin.

“Ambasada e Kosovës Jashtë ka mbetur në gjumë, ka pas disa opinione që të tërhiqen kësaj nga aplikimi, nuk ka ndodhë përderisa në Kosovë nuk ka qeveri të re përveç që marrin paga e nuk shkojnë në punë me, këto gjëra janë të papranueshme, këtu nuk ka as përgjegjësi ligjore e as morale që të ndihmojnë shtetin të gjithë janë përfshirë në fushata të vrazhdëta, fyese ndërmjet vete”, tha Burjani.

Burjani, u shpreh, që kohë për t`u përgatitur ka pasur Kosova mirëpo MPJ nuk është përgatitur dhe se përveç fjalëve retorike nuk ka thënë asgjë, është për tu ardhur keq për këtë papërgjegjësi.

“Kosova ka pas kohë të përgatitet por këtë nuk e bëri MPJ përveç fjalorit retorik as plan e as ide nuk ka pas, së paku në publik asgjë nuk është thënë. Pra, nuk janë përgatitur tash pritet të shihet çka më tutje. A do të mbeten në gare apo do të tërhiqen nga agjenda, për të ardhë keq për këtë pa përgjegjësi totale që mbretëron”, përfundoi Burjani.

Haziri: Asambleja e Përgjithshme e Interpolit do të shënoj vetëm edhe dështimin e radhës së Kosovës

Analisti politik, Nexhat Haziri, për “Bota sot”, tha që Asambleja e Përgjithshme e INTERPOLIT që do të mbahet do të jetë vetëm një dështim i radhës për Kosovës, ky dështim do vije si pasojë e diplomacisë së dobët nga ana e Z. Pacolli.

“Asambleja e Përgjithshme e Interpolit do të mbahet nga 15 deri në 18 tetor në kryeqytetin Santiago të Kilit, do të shënoj vetëm edhe dështimin e radhës së Kosovës për t`u bërë anëtare e kësaj organizate. Ky dështim vije për shkak të një diplomacie të dobët dhe një njeriu që më së paku është diplomat si z. Pacolli”, tha, Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Haziri, më tej, tha që përveç diplomacisë ka edhe faktorë të tjerë që kanë ndikuar në qeverisje të dobët, vlen të përmendet koalicioni PAN, që qeverisi për një periudhë 2 vjeçare dhe përpos dështimit nuk patë asgjë tjetër pozitive.

“Por ka edhe faktorë të tjerë siç ishte qeverisja e dobët e pa koncept sidomos në rrafshin e diplomacisë, së jashtme nga koalicioni PAN, përgjatë kësaj periudhe 2 vjeçare, që përpos dështimit të anëtarësimit në organizata relevante ndërkombëtare siç është Interpoli, mos sigurimi i njohjeve të reja, përkundër që patëm një numër tërheqjesh të njohjeve për shtetin e Kosovës”, u shpreh Haziri.

Tutje, Haziri, tha nuk duhet të presim anëtarësim në INTERPOL, pasi që MPJ nuk ka qenë fare e interesuar për misione diplomatike për Kosovën, sipas Hazirit, ajo ka qenë më shumë e interesuar për interesa vetjake.

“Pra edhe me 15 tetor kur do të filloj mbajtja e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit, është jo reale të pritet anëtarësimi i Kosovës, pasi qeveria në ikje dhe Ministria e punëve të Jashtme më shumë ka qenë e interesuar për të realizuar interesat e ngushta të tyre, qoftë edhe me rehatimin e militantëve në misione diplomatike, sesa për avancimin e pozitës së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar dhe kjo ka për pasojë vendnumërimin e Kosovës sa i përket anëtarësimeve dhe integrimeve euro-atlantike”, përfundoi  Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat