Reflektimi i madh i Albin Kurtit, pranon kontributin e pazëvendësueshëm të Ibrahim Rugovës

Politika

Reflektimi i madh i Albin Kurtit, pranon kontributin e pazëvendësueshëm të Ibrahim Rugovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 28 shtator 2019 Në ora: 08:13
Ibrahim Rugova dhe Albin Kurti

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti, në një tubim në Istog ka thënë se historia do të tregojë për secilin e për gjithçka. Ai në këtë tubim, për herë të parë në karrierën e tij politike, i ka thurur lavde edhe Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova.

“Historia do të shkruajë për figurat e ekzistencës paqësore, historia do të shkruajë edhe për Ibrahim Rugovën që u lind dhe u rrit afër rreth bjeshkëve të Istogut po që i takoi gjithë popullit”, ka thënë Kurti mes tjerash duke e përmendur edhe luftën e UÇK-së.

Ndonëse thonë se deklarata e Kurtit mund të jetë bërë për qëllime elektorale, analistët e konsiderojnë si një gjë pozitive pasi sipas tyre, i pari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka filluar të reflektoj mbi vlerat që i kishte presidenti Ibrahim Rugova.

Sipas tyre, duke e përmendur Rugovën, lideri Albin Kurti po synon që elektoratin e LDK-së ta bëjë për veti.

Zogaj: Nëse Kurti mendon se mund të tërheq nga vetja elektoratin e LDK-së, gabohet, sepse është duke para ëndrra me sy çelë

Image
Skender Zogaj

Analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se Albin Kurti, është fëmija i llastuar që rrjedhën e rrezikshme të ngjarjeve me të cilat është përballur populli shqiptar i Kosovës, ka përfituar nga rastet e veçanta për të shfaqur veprimin ndryshe pa e vrarë fare mendjes për efektin e veprimeve të tij.

Sipas tij, në këtë pikëpamje nuk e ka kursyer as veten as të tjerët dhe nga kjo ka përfituar afirmimin si opozitar i devotshëm.

“Me këtë lloj angazhimi ka arritur deri te formimi i Lëvizjes Vetëvendosja, e cila me zjarr e dhunë të paparë ka hy në skenën politike duke grumbulluar rreth vetes të papajtueshmit me rezultatet e dobëta të shtetit të ri të Kosovës. Krejt këtë rrugë Albin Kurti e ka bërë me metoda të ekstremit të brigadave të kuqe, mirëpo, papandehur ka reflektuar dhe me gjasë e ka pa se, ka kaluar koha e Çe Gevarës, dhe se më mirë është më u shërbye me filozofinë paqësore të Ibrahim Rugovës.  Mirëpo, vonë i ka dal gjumi, sepse duke e përmendur gjatë një fushate zgjedhore, edhe më naivi e kupton se, kjo nuk është e rastit, por është përpjekje përfituese, si e shumë herëve të tjera të deritashme”, ka thënë analisti politik Zogaj.

Ai ka pohuar, se nëse Kurti e ka këtë qëllim ka gabuar sepse, elektorati i LDK-së ka një traditë të gjatë e stabile.

“Kurti duhet ta dijë, që LDK-ja, nuk hutohet shumë nga fjalamanitë, aq më pak që të pranoj ta këmbej politikën paqësore dhe idealet e pastra demokratike me majtizmin diktatorial të Edi Ramës, që Albin Kurti e ka model, ndërsa LDK-istët e kanë urrejtje. Nëse Kurti mendon se mund të tërheq nga vetja elektoratin e LDK-së e ka shumë gabim, sepse është duke para ëndrra me sy çelë”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Mulliqi: Kurti edhe pse kishte rastin, Presidentin Rugova nuk e përmendi kurrë

Image
Skender Mulliqi

Kurse, analisti politik Skender Mulliqi, ka thënë se lideri i LVV, Albin Kurti kurrë deri më sot nuk e ka përmendur presidentin Rugova.

“Kurti edhe pse e ka pasur rastin Presidentin Rugova, ai nuk e përmendi kurrë e aq më pak kur dihet për kontributin e madh që e ka dhënë në senzibilizmin e çështjes së Kosovës, krijimin e institucioneve shtetërore paralele në kushte të okupimit, dhe së fundi si ideator i Pavarësisë të Kosovës që ishte lideri i LDK-së. Kurti ka filluar ti emitoj liderët e partive tjera politike, të cilët po përkulën të varri i presidentit, por që nuk e kanë dashur për së gjalli, dhe nuk e duan as për së vdekuri. Por, vetëm sa për të përfituar nga emri i tij, në fushata zgjedhore, dhe ku atyre ju duhet, e asgje më shumë”, ka thënë analisti politik Mulliqi.

Sipas tij, Presidenti Rugova ka qenë me orientim djathtist properëndimor bashkë me filozofinë e tij, kurse Albin Kurti është i krahut të majtë politikë, ku për udhëheqës shpirtëror i ka Adem Demaqin dhe Rexhep Çosjen , ku veç pak ditë para fushatës zyrtare u takua më të, sigurisht për të marrë mendime dhe sugjerime për hapat e ardhshëm politik.

“Fryma rugoviane është kthyer në LDK, që i ka munguar viteve të fundit dhe sipas asaj që po shohim nga tubimet elektorale dhe nga ajo që dihet, LDK do të dalë subjekti fitues pas kësaj garë zgjedhore, kurse Albinit për postin e kryeministrit duket së do t`i mbetet të pres, madje edhe për faktin se ka filluar ta përdor figurën dhe emrin e Rugovës”, është shprehur analisti politik Skender Mulliqi .

Mehmeti: Është pozitive që Albini me të filluar ka arritur të kuptoj kontributin e pazëvendësueshëm të Dr.Rugovës

Image
Faton Mehmeti

Nga ana tjetër, analisti politik Faton Mehmeti, ka pohuar se Albin Kurti e ka kuptuar se në pushtet mund të vij vetëm nëse vihet në rrugën e Presidentit Rugova, që nënkupton mos injorimin e saj.

“Është krejtësisht e kuptueshme që Kurti të përmend Rugovën për të marrur votat e rugovisteve. Për me tepër kjo taktikë e tij, ka të bëj me afrimin e tij me LDK-në që të formojnë koalicion pas-zgjedhjeve. Ky edhe është qëllim kryesor i Albinit, të cilin ai po mundohet të arrij. Është diçka pozitive që Albini me të filluar, ka arritur të kuptoj kontributin e pazëvendësueshëm të Dr.Rugovës, dhe kjo i hap atij shtigjet për t'i parë gjërat më realisht. Me një Albin dhe Vjosë në rrugën e Presidentit Rugova, besoj se një koalicion pas-zgjedhjeve do të jetë krejtësisht i natyrshëm, dhe i duhur për vendin”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Rexhaj: Albin Kurti është fëmijë politik i Qosjës e Demaqit, dy kundërshtarëve të çartur të Presidentit Rugova

Image
Sali Rexhaj

Ndërsa, analisti politik Sali Rexhaj ka pohuar se Albin Kurti mund të përfitoj elektoratin e Presidentit Rugova.

Sipas tij, ky problem është pak më i thellë dhe mirë që po trajtohet, sepse në VV nuk ka asnjë përkrahës të Dr.Ibrahim Rugovës.

“Thënë shkurt shumica janë përkrahës të PDK-së e SHIK-ut të cilët të dëshpëruar nga Thaçi ikën tek Kurti. Kryesisht bëhet fjalë për ‘enverist’ të cilët në vitet 90-ta u munduan që ta marrin LDK-në nga brenda, siç e morën Partinë Parlamentare Kosumi & Co. Është fakt se Hydajet Hyseni e disa tjerë ishin edhe në LDK-ë gjatë viteve 90-ta, por këta i solli në LDK-ë Fehmi Agani, për t`i mbajtur nën kontroll. Kurti po mundohet të përfitojë me ndonjë deklaratë pozitive karshi Rugovës, po kjo nuk është e mjaftueshme. Të gjithë e dimë se Albin Kurti është fëmijë politik i Qosjës e Demaqit, dy kundërshtarëve të çartur të Presidentit Rugova. Këta të dy e urrenin aq shumë Rugovën, saqë urdhrat për ta vrarë vinin nga ta. E urrenin edhe të vdekur, sepse të gjitha ambiciet e tyre politike ua fundosi i madhi Ibrahim Rugova”, ka thënë analisti politik Sali Rexhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat