Albin Kurti ishte ndër luftëtarët më të shquar të UÇK-së, në betejën e Prishtinës

Politika

Albin Kurti ishte ndër luftëtarët më të shquar të UÇK-së, në betejën e Prishtinës

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 29 shtator 2019 Në ora: 15:44
Albin Kurti

Albin Kurti nuk guxoi e nuk pranoi të luftonte për UÇK-në. Kështu tha Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës [PDK].

“Albin Kurti nuk ka pasë guximin që të jetë ushtar i UCK-së. Të mundohet ta patentojë veten që e respekton atë flamur më shumë se PDK që është pasuese e UCK-së – këtë mund ta besoj dikush, por unë besoj se kjo rrjedh nga kompleksi i inferioritetit”,

Gjatë kohës së luftës, Memli ishte 19 vjeçar. Pra, ishte i rritur dhe mund të uniformohej e të kapte një pushkë që t’i dilte zot vatanit. Por, nuk e bëri. Ai u dalldis me muzikën rap dhe pas lufte, me zellin e një oportunisti, iu bashkua PDK-së.

Albini ishte pjesë e zyres së Adem Demaçit në atë vakt. I kishte nja njëzet e pesë vjet, e vërtetë. Por, u burgos e u dërgua në Serbi. U torturua e u dënua me 15 vjet heqje lirie. Albini fare lehtë mund ta kishte fatin e Ukshin Hotit, zot ruana, mund ta vrisnin e ta zhduknin edhe atë. Për fat të mirë, ai u rikthye në mesin tonë, dhe na i çeli sytë që ta shihnim më qartë sojin e Memlit.

Se në çfarë shkalle ka mbërritur hipokrizia tregon pikërisht kjo deklaratë. Po, kush dreqin është Memli Krasniqi që t’i flas Albinit për patriotizëm, bre? Askushi.

Albini mund t’i ketë njëqind të këqija, njëqind mangësi, por guximi nuk është një prej tyre. Guximi është arma e tij më e fortë. Albini nuk iu rras te hundët njerëzve që i kishin bërë zarare vendit të tyre. Nuk u bë zullumqar. Përkundrazi, i luftoi zararet e zullumet që na i bënë beterët si shefat e Memlit.

Po, Albini për fat të keq, ende e mbivlerëson luftën e këtyre beterëve. Ende e përbuz shoqërinë tonë për rezistencën pasive qytetare. Ende e përbuz Ibrahim Rugovën dhe filozofinë e tij politike, maturinë e të cilit e sheh si dobësi. Ama, Albini e ka hak t’i njihet guximi. Albini e ka hak t’i vlerësojmë agresivitetin, parë pozitivisht, e i cili i bëri të dridhen nga tuta pushtetarët e sotëm.

Për fat të mirë, sot na duhet të zgjedhim mes tij dhe Vjosa Osmanit – një gruaje tjetër të guximshme e të dijshme. Dhe për fat të mirë, beterët si Memli Krasniqi dhe shefat e tij, që s’lanë të zezë pa i bërë këtij vendi, po shporren drejt opozitës. E nga opozita, drejt humnerës, si të arrestuar me pizhame për të bëmat e tyre.

Çka bëri partia e Memlit për veteranët? Më zi se Serbia. Iu zhvlerësoi totalisht sakrificën e bërë, iu zhvlerësoi mundin e heroizmin. Krijuan veteranë të rrejshëm, krijuan dëshmorë të rrejshëm, invalidë të rrejshëm dhe e bënë të rrejshme krejt luftën. Në fillim e privatizuan, duke nënkuptuar se lufta iu takonte veç atyre, se liria iu takonte veç atyre, e më pas edhe se pasuritë tona iu takonin veç atyre, dhe kështu i degraduan e i fëlliqën. Gati 80 veteranë e vranë veten pas lufte. Të gjithë veteranë të vërtetë. Të gjithë shkaku i rrethanave socio-ekonomike. Ata mbetën nën mëshirën e fatit, sepse nuk u krijuan politika të favorshme për ta. Përkundrazi, u vodh në mënyrë bizare sakrifica e tyre.

Dhe, këto lojëra të ndyra, këto mashtrime të ndyra, të pafytyrët po vazhdojnë t’i bëjnë edhe 20 vjet pas lufte. Po boll më brehh..boll më!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat