“Partitë e vrasjeve tinëzare po përdorin kulaçin dhe kërbaçin, për ta bindur LDK-në, për bashkë-qeverisje pas zgjedhore”

Politika

“Partitë e vrasjeve tinëzare po përdorin kulaçin dhe kërbaçin, për ta bindur LDK-në, për bashkë-qeverisje pas zgjedhore”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 2 tetor 2019 Në ora: 10:11
Kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani dhe Isa Mustafa

Në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, përfaqësuesit e partive politike po kërkojnë votën e qytetarëve ‘qosh më qosh’ të vendit. Po vizitojnë qytetarët, po ju premtojnë jetë më të mirë në qeverisjen e ardhshme, e në këmbim për kërkojnë votën. Kjo, zakonisht ndodhë në çdo fushatë zgjedhore .

Por për të fituar më tepër besimin e qytetarëve, partitë politike po angazhojnë edhe disa persona që përcjellin mesazhe të rreme për kundërshtarët.

Kështu, pak ditë më parë u publikua një marrëveshje e nënshkruar nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ai i PDK-së, Kadri Veseli, kinse për një marrëveshje paszgjedhore. Por kjo ‘marrëveshje’ doli të jetë vetëm një propagandë.

Metoda të tilla përdorën nga parti të caktuara për të hutuar opinionin e për t’ia humbur reputacionin ndonjë partie politike.

Gecaj nuk përjashton mashtrimet

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj lidhur me këto tentime për mashtrime thotë se rivalët e LDK-së nuk do të lënë guri pa lëvizur për të fituar zgjedhjet me mashtrime dhe veprime të paligjshme.

“Besoj që rivalët tonë nuk do të lënë guri pa lëvizur për t’i fituar zgjedhjet, përfshirë mashtrimet dhe veprimet tjera të paligjshme”, thekson Gecaj për “Bota sot”.

Zeqiraj: Të gjitha nismat e Veselit për ta bërë Kosovën shtet ligjor janë mashtrime groteske

Njohësit e çështjeve politike thonë se ata që sapo kanë lënë një pushtet skandaloz, mundohet ta rimarrin atë sërish, duke përdorur madje edhe mashtrimet.

Image
Idriz Zeqiraj

Kështu, publicisti Idriz Zeqiraj thotë se procesi parazgjedhor, fushata, po kulmon, me premtime pa doganë fare. Më të zëshme janë partitë më numerike në anëtarësi. Për të qenë më joshëse për elektoratin, partitë betohen, rrejshëm, për qeverisje të ndershme, të suksesshme, në zhvillimin dhe prosperimin e Kosovës tonë. Vështirë të besohen, meqë Kosova ka ngelur, prej dy dekadash, në tranzicion, pa shpresë tejkalimi, në një të ardhme të afërtë.

“Ëmbëlsia premtuese parazgjedhore, synon dendësimin e mjegullnajës manipuluese, deri në mashtrimin e madh. Për çudë, sapo kanë lënë një pushtet skandaloz e tërësisht dështak, synojnë, sërishmi ta rimarrin, për të gjumuar e vegjetuar në mandatin tjetër, duke zhvatur edhe ato pak pasuri të brezave shqiptarë, ende të pa privatizuara”, thekson Zeqiraj.

Ai thotë më tutje se më të zëshme në ftesat për marrëveshje e bashkë-qeverisëse pas zgjedhore, janë partitë e koalicionuara në PAN.

“Tashmë, të dëshmuara si parti të krimit të organizuar, deri në vrasje tinëzare të kundërshtarëve politikë; të korrupsionit, alias, hajnisë zyrtare; haraçit galopant, deri në përgjakje, po përdorin kulaçin dhe kërbaçin, për ta bindur LDK-në, për bashkë-qeverisje pas zgjedhore. Arsyeja pse LDK-ja është e pranueshme, për të gjitha partitë, shpjegohet se ajo është parti e fjalës, e besës dhe e shpresës, siç e përkufizonte urtaku kombëtar Rugovë. Besueshmërinë, fjalë-mbajtjen e saj, LDK-ja e ka paguar shtrenjtë. Sepse është rikoalicionuar me parti besëthyera, matrapaze e kriminale, siç janë partitë PDK-ja, AAK-ja, të cilat, më parë së parti, janë banda ordiniere politike”, thekson ai.

Zeqiraj thotë se gjithçka që thotë e premton kreu i PDK-së, Kadri Veseli, nuk duhet marrë seriozisht.

“Të gjitha nismat e tij, për ta bërë Kosovën shtet ligjor, për ta luftuar korrupsionin e nepotizmin, janë mashtrime groteske. Përdorim për denoncim e demantim të premtimeve boshe, për luftimin e korrupsionit, faktet rrënqethëse: Ligji i sekuestrimit i Kadri Shikut, ekziston. Megjithatë, nga 189 milion euro të hajnisë zyrtare, janë sekuestruar vetëm 4 milion!!! Me këtë "arritje", sot, krenohet PDK-ja, duke proklamuar slloganin marroç "Dekada e Re!" Kjo dëshmon se PDK-ja, me PAN-in e tij kriminal, që ka kapur shtetin, e ka ngulfatur shoqërinë tonë, deri në përmasën e asfiksimit, bllokimit, me rrezikim të dështimit të shtetit të brishtë, më saktë, të prishtë”, vlerëson Zeqiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, një marrëveshje fer, e ndershme, pas zgjedhore, në mes Vetëvendosjes e LDK-së, nën kryesimin e së dytës, do të kishte rëndësi parësore, sepse, LDK-ja, si parti akademike, do të ndikonte në emancipimin e anëtarësisë të Vetëvendosjes, pjesa absolute e së cilës, janë rinorë, e ardhmja e Kosovës.

Krasniqi: Manipulime bëjnë ato parti që janë mësuar të bëjnë

Image
Faik Krasniqi

Faik Krasniqi, njohës i ngjarjeve politike në vend, thotë se partive politike nuk u zihet besë për bashkëqeverisje, e sidomos partive që e kanë gënjyer elektoratin e tyre që nuk do të bëjnë koalicion me X partinë, dhe në fund me atë parti kanë bërë koalicion.

“Jo një herë, por ka ndodhur disa herë. Po ta shikojmë fjalorin e tyre e shohim që marrëveshjet ose zotimet që pas zgjedhjeve do të bëjnë koalicion, janë joserioze dhe të rrejshme. Pas zgjedhjeve do të bëjnë koalicione sipas interesit të tyre, dhe jo sipas dëshirës dhe interesit të elektoratit. Këtë do e bëjnë ato parti që e kanë bërë një gjë të tillë më parë. Manipulime bëjnë ato parti që janë mësuar të bëjnë”, thekson Krasniqi për “Bota sot”.

Ende herët

Image
Blerim Burjani

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se marrëveshjet ndërmjet partive janë private, jo obligative për palët dhe nuk kanë adresë se ku mund të apelohen, thjeshtë janë marrëveshje të mirëbesimit të partive.

“Askush nuk garanton në ndonjë zbatueshmëri të këtyre marrëveshjeve për bashkëqeverisje, në këtë kohë s’ka marrëveshje parazgjedhore për bashkëqeverisje, por ka vetëm marrëveshje për koalicione zgjedhore sa për të kaluar pragun zgjedhor, sidomos partitë e vogla kanë bërë marrëveshje parazgjedhore, por nuk ka marrëveshje për bashkëqeverisje, për këtë çështje partitë dëshirojnë së pari të din rezultatin zgjedhore, pastaj të shohin se çfarë të ndërmarrin dhe me kë të bëjnë marrëveshje për bashkëqeverisje. Pra njëherë ende është herët të folet për marrëveshje pas zgjedhore”, thotë Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat