Shahu për emërimin e Grenell: Madhështore që Amerika të përfshihet në dialog

Politika

Shahu për emërimin e Grenell: Madhështore që Amerika të përfshihet në dialog

Nga: G.B Më: 5 tetor 2019 Në ora: 15:54
Rexhep Shahu

Richard Grenell, i cili është ambasador amerikan në Gjermani, është emëruar si i dërguar i SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Gerenell do të vazhdojë të mbetet edhe ambasador në Gjermani dje do t'i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t'iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, emërimin e Richard Grenell si përfaqësues të SHBA-së në dialog e ka quajtur top lajm për Kosovën, pasi tani Amerika është pjesë e dialogut dhe kjo është madhështore.

“Caktimi i Richard Grenell, këtij njeriu shumë të rëndësishëm të diplomacisë amerikane si përfaqësues i fuqisë me të madhe Amerikës në bisedimet shqiptaro-serbe ndoshta është top lajmi më i madh për Kosovën. Amerika ka qenë ndjekëse por tani ajo është pjesë dhe kjo është gjë madhështore.Shteti më mik i shqiptarëve Amerika, tani është në tryezë ku flitet për fatet shqiptare dhe shqiptarët nuk kanë fuqi t’i zemërohen Amerikës çfarëdo të zhvillohen ngjarjet pasi Kosova kjo që është, e lirë, e pavarur, e njohur nga shtete të mëdha, është falë Amerikës e cila bëri luftë të armatosur për Kosovën e lirë e pa serbë”, ka vlerësuar Shahu.

Ai shpreson që Grenell do të bëjë diplomacinë e Hollbrukut, duke shtuar se është bërë mjaft me zvarritje dhe diktim të agjendës.

“Shpresoj që ambasadori amerikan në Gjermani që është ambasador amerikan në fuqinë më të madhe të Evropës, dhe që e përkrah Kosovën, do të bëjë diplomacinë e Hollbrukut. Besoj se zvarritja është tepruar dhe Amerika, sjellësja e lirisë së shqiptarëve do të thotë tani Mjaft më, kur është mjaft është mjaft me zvarritje, mjaft me diktim të agjendës nga xhelati serb dhe me fajësim të viktimës, me fajësim të shqiptarëve”, ka theksuar ai.

Shahu beson se do tu thuhet mjaft pazareve të trojeve shqiptare.

“Por besoj do tu thuhet mjaft edhe pazareve të trojeve shqiptare pasi liria e Kosovës nuk është rezultat pazaresh për tokat e Kosovës, por është rezultat i gjakut të shqiptarëve dhe ndihmës së Amerikës e NATO-s. Lajm i madh, lëvizje konkrete shtetërore amerikane”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat