LDK dhe VV pajtohen për koalicionin, pas certifikimit të rezultatit

Politika

LDK dhe VV pajtohen për koalicionin, pas certifikimit të rezultatit

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 9 tetor 2019 Në ora: 07:53
LDK, Vetëvendosje, foto ilustrim nga "Bota sot"

Votat e zgjedhjeve të 6 tetorit tanimë janë numëruar të gjitha. Vetëvendosje prinë duke i shkuar prapa LDK-ja me shumë pak dallim ndërmjet.

E treta është PDK-ja dhe e katërta vijon të jetë AAK-ja me PSD-në e Shpend Ahmetit. Koalicioni Nisma, AKR dhe PD duket se nuk janë fort të pëlqyer nga masa. Kjo për shkak se ato sipas të gjitha gjasave, nuk e kaluan pragun zgjedhor.

Koalicioni më i përfolur këto ditë është ai ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes. Në fakt, ky koalicion tashmë po kërkohet edhe nga shumë qytetarë.

Se si do të vijoj situata akoma nuk dihet, por “Bota sot” ka tentuar të marrë opinionin e të dy palëve për të shikuar nëse është rrugës një marrëveshje e shumëpritur.

Ndryshe, momentalisht Lëvizja Vetëvendosje është duke prirë në rezultatet e publikuara nga KQZ me 25,49% e pasuar nga LDK me 24,82% të votave.

Millaku: Unë gjithmonë kam kërkuar koalicion me LDK

Image
Drita Millaku

Drita Millaku, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, për “Bota sot” ka thënë se e para që duhet kuptuar është se qytetarët e deshën Albin Kurtin për kryeministër, ndaj dhe e votuan.

“E para që duhet kuptuar është se të gjithë populli e dëshirojnë Albin Kurtin për kryeministër”tha Millaku.

Më tej, Millaku, tha se edhe kjo vetë e ka kërkuar një koalicion të mundshëm në mes të partisë së Vetëvendosjes dhe LDK-së për ta krijuar qeverinë e ardhshme.

“Ndërsa unë gjithmonë kam kërkuar koalicion me LDK dhe shpresoj shumë që ky koalicion të ndodhë. Shpresoj që LDK-ja e ka kuptuar se populli ka votuar për ndryshim, dhe që nuk duhet zgjatur shumë”, tha ajo.

Gaxherri: Koalicioni LDK-VV është mundësia pothuajse e vetme për të qeverisur vendin

Image
Besa Gaxherri

Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth rezultatit të zgjedhjeve dhe arritjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas saj, pas certifikimit të zgjedhjeve duhet të fillojnë negociatat për koalicion.

“Ende jemi pa e përmbyll procesin zgjedhor. Pas certifikimit të zgjedhjeve duhet të fillojnë negociatat. Koalicioni LDK-VV është mundësia pothuajse e vetme për të qeverisur vendin. Asnjë koalicion në asnjë vend demokratik nuk është i lehtë por nëse ekziston vullneti për marrëveshje, për harmonizim të programeve, për bashkëqeverisje të mirë ka mundësi edhe pse Kosova i ka specifikat e veta në shtetësinë dhe sovranitetin e saj në raport me faktorin ndërkombëtar”, ka deklaruar Gaxherri.

Nagavci: Certifikimi i rezultateve zgjedhore duhet të na gjejë LV! dhe LDK-në me marrëveshje

Image
Arbërie Nagavci

Nga ana tjetër, për këtë çështje u deklarua publikisht dhe ish-deputetja tjetër e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, e cila tha se më 6 tetor qytetarët e thanë fjalën e tyre. Votuan pro ndryshimit, votuan për transformim të qeverisjes.

“Qytetarët i dhanë besimin Albin Kurtit të jetë Kryeministër dhe të udhëheq qeverinë në këtë kohë të proceseve të rëndësishme për gjithë vendin. Strukturat vendimmarrëse të LDK-së duhet që të respektojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe të bëhen pjesë e Qeverisë Kurti”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, institucionet duhet të konstituohen sa më parë, s’ka asnjë arsye të vonohemi.

“Certifikimi i rezultateve zgjedhore duhet të na gjejë LV! dhe LDK-në me marrëveshje dhe koordinim për qeverisje, PDK-në në opozitë. Ka ardhë dita të punohet për qytetarin”, tha ajo.

Gecaj:LV! nuk guxojnë të veprojnë në mënyrë triumfaliste dhe të parashtrojnë kushte

Image
Bajram Gecaj

Bajram Gecaj, zyrtar në LDK, tha se LDK-ja dhe Vetëvendosje tanimë janë dy fituesit e padiskutueshëm të zgjedhjeve të 6 tetorit, duke dërguar më në fund "komandantët" në një pushim të gjatë, e për disa nga ta të pakthyeshëm.

Ai, tha se dallimi në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së është simbolik.

“Dallimi në mes të LVV dhe LDK është vërtetë simbolik, prandaj LVV edhe duhet të sillet në atë mënyrë. Pra nuk guxojnë të veprojnë në mënyrë triumfaliste dhe të parashtrojnë kushte të cilat nuk mund të pranohen nga ana tjetër. Mund të ketë vetëm një koalicion në mes të barabartëve, e jo koalicion në mes të partisë së parë dhe asaj të dytës. Pra, nëse do të ketë koalicion, ai do të duhet të jetë koalicioni i dy partive fitimtare. Nëse jo, LVV mund të provoj me PDK apo edhe me AAK dhe Listën Serbe”, tha Gecaj.

Haziri: Mentaliteti qeverisës i VV-së është i papërshtatshëm

Image
Nexhat Haziri

Nexhat Haziri, analist dhe njohës i çështjeve politike, për “Bota sot”, ka thënë se koalicionin në mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes e sheh si mundësi të vetme që t’i përgjigjet sfidave që ka vendi.

“E shoh si të vetmen mundësi një koalicion të tillë që do të mund ti përgjigjej sfidave që ka vendi. Të dy partitë politike do të duhet të ulen sapo të bëhet gjithçka e qartë nga rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit, dhe në këto bisedime mendoj se do të duhet të fokusohen mbi programin e përbashkët qytetar se sa për ndarje mandatesh”, tha ai.

Megjithatë, Haziri nuk e përjashtoi mundësinë që mos të ketë sukses bisedimet në mes të këtyre dy partive dhe të dështojë koalicioni.

Ai, tha se LDK-ja duket të ketë kujdes se mentaliteti i Vetëvendosjes është i papërshtatshëm.

“Por a ekziston edhe droja se mund të mos ketë suksese gjatë këtyre bisedimeve dhe mos të arrihet ndonjë koalicion, prapë them se po. Dhe kjo mund të ndodhë për shkak se të dy partitë politike dallojnë esencialisht sa i përket ideologjisë politike, dhe kjo do të jetë një ndër sfidat që ata mbase duhet mbledhur forcë për ti tejkaluar. Tutje LDK-ja, nuk mund të pranoj gjithçka që i vije si propozim nga VV-ja, të cilës duhet t'ia bëjë me dije se në koalicion nuk është për t'u nënshtruar por për partneritet qeverisës. E them këtë për arsye se mentaliteti qeverisës i VV-së është i papërshtatshëm, pasi dominimi dhe nënshtrimi i partnerit, ata e shohin si diçka që e forcon rrolin e tyre jo vetëm në qeveri por edhe në përgjithësi në skenën politike, dhe këtu LDK-ja duhet të ketë shumë kujdes”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat