Gjekmarkaj: Vjosa Osmani luajti si populiste, Albin Kurti neomarksist e nacionalist, e pret ballafaqimi

Politika

Gjekmarkaj: Vjosa Osmani luajti si populiste, Albin Kurti neomarksist e nacionalist, e pret ballafaqimi

Më: 9 tetor 2019 Në ora: 08:13
Albin Kurt dhe Vjosa Osmani

Analisti Agron Gjekmarkaj thotë se leksioni më i madh që vjen nga Kosova është që pushteti nuk është kurrë i përjetshëm. Në “Real Story” në News24, Gjekmarkaj foli për zgjedhjet dhe rezultatet e votimit në Kosovë duke analizuar dy figurat kryesore që dolën fituese, Vjosa Osmani nga LDK dhe Albin Kurti nga VV.

Ai tha se Osmani ka luajtur si populiste në fushatë dhe se populli priret të shkojë nga të ngjashmit por ky sipas tij është një regres intelektual. Sa i përket Albin Kurtit, Gjekmarkaj e përshkroi si një neomarksist e nacionalist që ka predikuar bashkimin dhe se tani do të ballafaqohet me SHBA, BE por edhe veten për idetë e veta.

“Qeveritë bien dhe një ditë opozitat fitojnë. Kështu që këtë duhet ta lexojë edhe qeveria në Shqipëri, e cila ka 6 vite që qeveri dhe sidomos mandati i dytë i mbarsur me kriza dhe skandale dhe ka një refuzim konstant për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme megjithëse opozitën e vet e ka jashtë sistemit në kohën kur kemi rastin e Haradinajt i cili u dorëhoq, e çoi vendin në zgjedhje dhe kemi rastin e Albin Kurtit, i cili thotë se mund të shkojmë përsëri në zgjedhje. Pra, duket sikur kemi një Shqipëri europiane në Kosovë dhe një Shqipëri pashallëku në Shqipëri. Kaq afër, ato e kanë shtetin shumë të ri, ne e kemi shumë më të vjetër por jemi shumë më të vjetër dhe arkaikë në mentalitetin tonë politik. Duke u kthyer tek ajo që ndodh në Kosovë, unë vetë jam reaksionar nga natyra dhe nostalgjik i asaj partie që ka qenë LDK-ja e Ibrahim Rugovës, Sabri Hamitit, Idriz Ajetit dhe Fehmi Aganit. Kishte elitën e kombit. Kjo parti e çoi vendin drejt pavarësisë, krijoi shtetin paralel, pati sukseset e veta dhe në një farë mënyre ata ishin prijës dhe jo administratorë.

Image
Agron Gjekmarkaj

 

Mirëpo sot megjithëse Vjosa Osmani është një figurë simpatike, e shkolluar megjithatë unë e kam ndjekur fushatën e saj ka luajtur shumë si populiste dhe vë re që populli nuk tenton të shkojë tek elitat por sheh të ngjashmit e vet dhe voton ata. Nga një pikëpamje kjo për mua është regres intelektual i shoqërive. E dyta, Albin Kurti ka qenë një neomarksist, ka qenë një nacionalist i cili ka predikuar bashkimin dhe ka shfaqur disa herë nuanca dhe shkelje syri ndaj islamit radikal në Kosovë. Tani është kandidati për kryeministër i Kosovës. Tani do ballafaqohet me SHBA-të që janë partneri kryesor i kombit shqiptar në Ballkan, do të ballafaqohet me BE-në dhe mbi të gjitha do ballafaqohet me idetë e veta. Pra nga njëra anë ka të gjithë historinë e vet politike që e ndjek nga pas dhe tani ka momentin kur nga njeri rebel antisistem është kryeministër si do t’i bashkojë këto. Kam frikë se dhe ai do pësojë metamorfozën e Ciprasit, i cili u shndërrua në njeri tipik i sistemit, u shndërrua në një politikan korrekt në gjuhë dhe veprime dhe do shuhet shpejt edhe fabula. Është gjë e keqe mungesa e koherencës nëse shpartallohet rrugës. Unë mendoj që burrat e shtetit dhe liderët duhet të ruajnë koherencën. Nëse ata kanë një sjellje për të marrë votat dhe një sjellje kur vijnë në pushtet, kjo pastaj është imoralitet politik”, tha Gjemarkaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat