Kujdes! PDK në opozitë mund të bëhet e rrezikshme ...

Politika

Kujdes! PDK në opozitë mund të bëhet e rrezikshme ...

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 9 tetor 2019 Në ora: 17:36
PDK

PDK-ja në opozitë? Siç duket po, më në fund. Së paku kështu lënë të kuptojë rezultati zgjedhor i tetorit, ku sipas asaj çfarë ndodhi, pamë se si gozhdohet PDK-ja, parti kjo që, me atë se çfarë ka ndodh në të kaluarën, del të jetë përgjegjësja kryesore për mangësitë që nuk kanë të numëruar në vend.

PDK-ja, një dekadë e gjysmë pothuajse ishte në pushtet. Dhe çfarë prisni ju? Reformim të saj? PDK-ja të reformohet? Jo, unë dyshoj se do të ndodh kjo.

Ta zëmë, prijësi i saj i dikurshëm Hashim Thaçi, uroj që shkuan zgjedhjet të qeta dhe pa incident po s’e tha asnjë fjalë për fituesit. Së paku, t’i uroj ata. As për LDK-në e jo e jo për Vetëvendosjen.

I dyti, gjegjësisht Kadri Veseli, e pranoi humbjen por dyshoj se do ta pranoj përgjegjësinë për atë se çfarë është bërë.

Nuk shfaqi asnjë fije pendese për ato që ndodhën. Kah fundi, bëri sikur po shkarkon personat me akuza por shumë vonë. Tepër vonë.

Në fund t’fundit, demokracia ç’kuptim ka? Të ketë mundësinë njeriu të pendohet. Por jo, këta, bashkarisht, nuk e bënë.

Eh por e bënë apo s’e bënë tashmë s’ka rëndësi. Rëndësi ka që votuesi i goditi, ashpër madje.

Po kthehem pak tek PDK-ja në opozitë.

Ne e kemi përjetuar PDK-në në opozitë, sidomos neve që tashmë kemi kaluar të tridhjetat. Ishin vite të errëta, ndryshe, ishin vite ku nuk na mbyste vetëm terri si mungesë e energjisë elektrike, si mungesë e rrymës, por na mbyste edhe terri si një energji negative.

 PDK-ja në opozitë është e frikshme, duam a s’duam ta pranojmë. Jo për shkak të aktivitetit të dendur opozitar, jo për shkak se Hashim Thaçi e Kadri Veseli dalin në foltore të Kuvendit dhe bëjnë kritika të tmerrshme në drejtim të pushtetit, por për shkak të heshtjes së tyre publike. Thaçi e Veseli kurrë gojën s’do ta çelin për asnjë çështje madhore, e megjithatë, do të veprojnë ashtu siç dinë më së miri, në prapavijë.

Por, ne po e shohim se edhe PDK-ja po i trembet opozitës. A e dini pse? Nuk është aq e vështirë ta kuptojmë përgjigjen e kësaj pyetjeje. Janë gjithë ata njerëz të cilët sillen rreth saj, gjithë ata militantë e simpatizantë të punësuar, apetitet e të cilëve veç sa janë rritur në dekadën e fundit. Dhe, këta mijëra njerëz bashkë me familjet e tyre, do të mbesin të pakënaqur. Dhe, e gjithë kjo pakënaqësi do ta çojë këtë parti drejt një vetërrënimi të tmerrshëm, e i cili pritet të jetë i dhimbshëm për Kosovën.

Nuk do të jetë i dhimbshëm pse dikujt i vjen gjynah për PDK-në si parti, por sepse do të përçudnohet edhe më zi sfera publike, do të rriten shpifjet e do të shtohet agresiviteti. PDK-ja nuk do të reformohet në opozitë, nuk do të jetë pishtare e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ajo do të jetë fund e krye, destruktive.

Dhe po,  ne po rikthehemi në ditët me terr të viteve 2000, sepse duam a s’duam ta pranojmë, PDK-ja kontrollon një pjesë të madhe të jetës institucionale të vendit. Janë gjithë ato borde, është policia, është inspektorati, është AKI-ja e shumëçka tjetër që janë nën kontrollin e plotë të kësaj partie.

PDK-ja përnjëmend e ka kapur shtetin, por kjo kapje nuk ka filluar në vitin 2008, kur e fituan pushtetin me votë. PDK-ja e mori pushtetin shumë më herët, shumë shumë më herët, duke i futur hundët në çdo ndërmarrje, dhe duke qenë kruciale në çdo zhvillim të vendit.

Kështu që, mos ta krijojë ndokush iluzionin që PDK-ja do të reformohet në opozitë dhe se do të jetë konstruktive. Jo, aspak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat