Lepaja: Serbia nuk ka kufij me Shqipërinë, s’ka “minishengen ballkanik” pa aprovimin e Kosovës

Politika

Lepaja: Serbia nuk ka kufij me Shqipërinë, s’ka “minishengen ballkanik” pa aprovimin e Kosovës

Nga: G.B Më: 11 tetor 2019 Në ora: 14:59
Fadil Lepaja

Kryeministrat Rama, Vuçiq dhe Zaev kanë nënshkruar dje një deklaratën e përbashkët të 4 Lirive Themelore të Bashkimit Evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e cila bazohet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Me këtë, ata nisën procesin e “minishengenit ballkanik”, gjë që ngjalli reagime në Kosovë e Shqipëri.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se çfarëdo marrëveshje është problematike pa u specifikuar çështja e Kosovës, pasi Shqipëria dhe Maqedonia e kanë njohur Kosovën si shtet, ndërsa Serbia e konsideron Kosovën territor të saj.

“Çfarëdo marrëveshje e Shqipërisë, e kësaj forme me Serbinë, pa u specifikuar qartë çështja e Kosovës është problematike, sepse në Kushtetutën e Serbisë është definuar territori i saj, në kuadër të së cilës ndodhet edhe Kosova. Ndërkohë Shqipëria edhe Maqedonia e kanë pranuar Republikën e Kosovës dhe nënshkrimi i marrëveshjes për Union pa sqarim të pozitës së Kosovës, bie në konflikt edhe me normat ndërkombëtare”, ka thënë Lepaja.

Ai thotë se Kosova nuk mund të pranojë një marrëveshje mes këtyre shteteve pa nënshkrimin e saj dhe pjesëmarrjen në këtë marrëveshje, pasi Shqipëria dhe Serbia nuk kanë kufi të përbashkët dhe Serbia kufirin Kosovë-Shqipëri e konsideron të sajin.

“Kosova nuk mund të pranojë një marrëveshje mes këtyre shteteve, pa nënshkrimin e saj, dhe pa pjesëmarrjen e saj si subjekt i kësaj marrëveshjeje. Kosova nuk mund të pranojë këtë marrëveshje aq më tepër se Shqipëria edhe Serbia nuk kanë kufi të përbashkët, ndërkohë që Serbia kufirin Kosovë-Shqipëri e konsideron të vetin. Nuk mund të ketë asnjë Union, që përfshinë territorin e Kosovës, pa aprovimin e saj”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat