Bandat e mafias politike i tremben qeverisë së Albin Kurtit

Politika

Bandat e mafias politike i tremben qeverisë së Albin Kurtit

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 13 tetor 2019 Në ora: 08:11
Albin Kurti

Jo rrallë herë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, nëpër media e nëpër shumë manifestime, në disa raste edhe në fjalimet e tij në parlament, ka përmendur edhe konfiskimin e pasurisë së jashtëligjshme.

Madje, edhe në premtimet e tij në fushatën elektorale në zgjedhjet e 6 tetorit, foli për këtë çështje.

Mbas zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje doli e para dhe sipas të gjitha gjasave, pritet edhe një koalicion i mundshëm qeveritar me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Çështja është se, sa mundet qeveria në krye me Albin Kurtin, ta realizojë premtimin e dhënë, gjegjësisht të konfiskoj pasurinë e jashtëligjshme të kujtdo, e veçanërisht të politikanëve.

Miftaraj: Kosova ka nevojë për një prokurori të pavarur

Image
Ehat Miftaraj

Ehat Miftaraj, nga Institucioni për Drejtësi, për “Bota sot”, ka thënë se ish qeveria e mëparshme ka miratuar Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara lidhur me konfiskimin e Pasurisë së fituar përmes veprimtarive kriminale.

Madje, ligji është dërguar dhe Kuvend i cili ka avancuar qasjen e Prokurorit të Shtetit në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar përmes mënyrave të jashtëligjshme.

“Qeveria Haradinaj ka miratuar Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara lidhur me konfiskimin e Pasurisë së fituar përmes veprimtarive kriminale dhe është dërguar në Kuvend Kodi i Procedurës Penale i cili ka avancuar qasjen e Prokurorit të Shtetit në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar përmes veprave penale”, tha ai.

Më tej, Miftaraj, tha se qeveria e ardhshme duhet ti kushtoj rëndësi këtij Kodi në mënyrë që i njëjti të përmirësohet edhe me tutje duke iu përshtatur rrethanave në Kosovë.

“Këto dy ligje ofrojnë mundësi të panumërta për të identifikuar pasurinë e fituar në mënyrë të kundërligjshme, nëse të të njëjtat do të zbatoheshin në praktikë. Në këtë drejtim, Kosova nuk ka nevojë për ligje të reja lidhur me konfiskimin e pasurisë, Kosova ka nevojë për një prokurori të pavarur, paanshme dhe profesionale dhe që ka vullnet dhe guxim për të zbatuar ligjin edhe ndaj profilit të lartë”, tha Miftaraj.

Si pastrohen paratë në Kosovë?

Njësia e Inteligjencës Financiare (NJIF) ka publikuar vite më parë raportin mbi tipologjitë e pastrimit të parave të personave të ekspozuar politikisht në vend. Përmes shembjeve dhe rasteve shumë konkrete Inteligjenca Financiare pasqyron pastrimin e milionave eurove përmes bizneseve të ndryshme, kredive, investimeve në patundshmëri, por edhe transfereve të mjeteve nga shtete të ndryshme të botës.

Në raportin mbi tipologjitë e shpëlarjes së parave të publikuar të enjten nga Njësia e Inteligjencës Financiare (NJIF) thuhet se një subjekt raportues ka paraqitur në NJIF një raport të transaksioneve të dyshimta, duke përfshirë informacione financiare rreth një personi të ekspozuar politikisht (PEP), i paraqitur në raport si personi B.

Në raport më tutje thuhet se në qendër të informacionit të raportuar është një kredi bankare në emër të një personit të identifikuar si A, që është pronar i dy bizneseve që zhvillojnë aktivitetin e tyre në vend.

Po ashtu edhe personi B është bashkëpronar në njërën prej tyre.

“Kredia është përdorur për kryerjen e pagesave që lidhen me punën që kryhet nga personi A në një pronë në zotërim të personit B. Në funksion të analizës së mëtejshme të informacionit NJIF kërkoi të dhëna shtesë nga subjektet raportuese, nga të cilat rezultoi se personi A kishte marrë tetë kredi në total, të cilat ishin paguar ende pa përfunduar pagesa e kredisë së mëparshme. Vlera e kredive të përdorura nga personi A ishte mbi 200.000 euro, ndërsa totali i kredive ishte rreth 3.000.000 euro dhe qartazi tejkalonin aftësitë financiare të personit B”, thuhej në raport.

Krasniqi: Unë personalisht besoj që Albin Kurti si kryeministër do të punoj shumë

Image
Faik Krasniqi

Nga ana tjetër, publicisti dhe analisti Faik Krasniqi, nëpërmjet një deklarate për “Bota sot”, ka thënë se çdo premtim i dhënë gjatë fushatës zgjedhore duhet të përmbushet.

Sipas tij, ç’kapja e shtetit bëhet vetëm nëse politikanët që kanë përfituar jashtëligjshëm dalin para drejtësisë.

“Përveç ç'kapjes së shtetit, prioritet i kësaj Qeverie duhet të jetë edhe ekonomia, arsimi dhe shëndetësia. Ekonomia është gjëja që rregullon çdo gjë. Përndryshe problemet e këtij vendi s'do të marrin fund kurrë”, tha ai.

Sipas tij, populli i besoj votën LVV, por edhe LDK-së si partia e dytë dhe ai beson që z. Kurti nuk do të zhgënjej.

“Nuk e vë dorën në zjarr për askënd, por unë personalisht besoj që Albin Kurti si kryeministër do të punoj shumë. Ai nuk guxon të dështojë, sepse ky popull ka shumë pritshmëri nga ai. Është shpresa e fundit në këtë vend”, tha Krasniqi.

Haziri: Kurti duhet ta ndryshoj dhe ta plotësoj ligjin aktual mbi konfiskimin e pasurisë së paligjshme

Image
Nexhat Haziri

Nga ana tjetër, Nexhat Haziri, publicist e konfirmoj se konfiskimi i pasurisë të jashtëligjshme, ka qenë një nga levat që më së shumti e ka përmendur LVV –ja gjatë fushatës zgjedhore, dhe si parti fituese tashmë qytetarët do duhet t’ia rikujtojnë, pasi është një fenomenet kryesore me të cilën duhet përballur qeveria e re.

“Fenomeni i pasurisë së paligjshme, që në masë të madhe kanë pronar nëse mund të shprehem kështu, politikan të lartë të vendit, ish-komandant që këtë pasuri e kanë arritur përmes krimit të organizuar, zhvatjes së buxhetit, krijimit të monopoleve në tregti dhe biznes, pasi si fenomen i tillë rrezikon funksionimin demokratik të vendit, paraqet rrezik po ashtu për sigurinë dhe stabilitetin politik”, tha ai.

Më tej, Haziri tha se me të drejtë qytetarët e vendit presin nga qeveria Kurti, që fillimisht ta ndryshoj dhe ta plotësoj ligjin aktual mbi konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

“Në bazë të këtij ligji të hetohet dhe të bëhet konfiskimi i pasurisë së paligjshme të zyrtarëve të lartë shtetëror, oligarkëve që kanë qenë të lidhur me politikanë të profilit të lartë që iu kanë krijuar favore e më pas kanë bërë ndarjen “kulaçit”, dhe zyrtarëve të tjerë siç janë prokuror e gjyqtar. Ky do të ishte një hap shumë i rëndësishëm mbase edhe vendimtar që të fillohet çkapja e shtetit nga bandat e mafias politike”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat