Përmbysja e madhe e PSD-së

Politika

Përmbysja e madhe e PSD-së

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 14 tetor 2019 Në ora: 14:15
Shpend Ahmeti

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të gjashtë tetorit përmbysën në shumë komuna rezultatet nga zgjedhjet e mëparshme.

Kjo për shkak se në skenën politike viteve të fundit, pati lëvizje të shumta.

Lëvizja Vetëvendosje vitin e kaluar pësoi përçarje të “rëndë” politike, pasi që shumë zyrtarë të lartë të saj, duke përshirë ish kryetarin Visar Ymerin u larguan nga kjo parti. Gjithashtu, VV-ja morri edhe një goditje tjetër, kur dy kryetarët e dy komunave, ai i Prishtinës Shpend Ahmeti dhe ai i Kamenicës, Qendron Kastrati iu bashkuan të larguarve.

12 deputetët dhe 2 kryetarët nuk themeluan parti të re siç ishte raportuar nga mediat, por iu bashkuan Partisë Socialdemokrate. PSD-ja hyri në koalicion Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetori. Por, kjo parti deri më tani nuk ka asnjë kandidat për deputet, duke përshirë këtu Ahmetin dhe Kastratin nuk kanë arritur që të bëhen pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Patericë e PAN-it

Por, PSD-ja nuk është e vetmja parti e cila në bastionet e tyre nuk ka arritur të dal e para.

Analisti politik, Nexhat Haziri, në një bashkëbisedim për “Bota sot” , ka thënë se PSD-ja u ndëshkua nga qytetarët për dy faktor.

Image
Nexhat Haziri

“Është një rezultat i dobët i PSD-së, e cila mori ndëshkimin nga qytetarët për dy faktor, të cilët ishin determinues për këtë fiasko që pësoi PSD-ja në zgjedhjet e 6 tetorit. I pari ishte se pas kësaj partie fshiheshin oligarkët dhe në opinion me të drejtë u perceptual si një subjekt që do t’i mbronte interesat ekonomike dhe biznesore të kësaj korporate”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Kurse, faktori i dytë, sipas Hazirit është se në një mënyrë 13 deputetët e PSD-së u bënë patericë e koalicionit PAN.

“Ndërsa faktori i dytë sipas meje, ishte se PSD-ja, gjegjësisht 12 deputetët e saj në legjislaturën e kaluar mbështetën qeverinë Haradinaj, dhe njëfarë mënyrë u bënë patericë e koalicionit PAN, duke mos arritur për ta krijuar identitetin e vet politik si një forcë social demokrate ashtu edhe sic pretendonin”, ka theksuar Haziri për “Bota sot”.

Për më tepër, ai është shprehur se një faktor tjetër është edhe koalicioni me AAK-në.

ka edhe faktor të tjerë siç ishte koalicioni me AAK-në, duke e ditur se në pjesën e Dukagjinit, AAK-ja është e pakompromis dhe nuk do të lejonte që asnjë votë të kalonte tek partneri i koalicionit”, ka shtuar ai.

Megjithatë, ai ka thënë se nuk ka pse të shkohet në zgjedhje në Prishtinë e Dardanë, pasi zgjedhjet e nivelit qendror nuk përcaktojnë edhe përfaqësimin në pushtetin lokal.

“Se a duhet të ketë zgjedhje të reja në Prishtinë dhe Kamenicë për shkak të rezultati të dobët të PSD-së e cila edhe udhëheq me këto dy komuna, kjo është në vullnetin e dy kryetarëve, Shpenda Ahmetit në Prishtinë dhe Qëndron Kastrati në Kamenicë, nëse këta të dy ofrojnë dorëheqjet e tyre. Ndryshe nuk ka pse të shkohet në zgjedhje në këto dy komuna, pasi zgjedhjet e nivelit qendror nuk përcaktojnë edhe përfaqësimin në pushtetin lokal”, ka potencuar Haziri për “Bota sot”.

Zgjedhjet brenda afatit ligjor nëse s`ka peticion

Image
Blerim Burjani

Edhe ish anëtari i Komisionit Zgjedhor të Kosovës, Blerim Burjani, ka thënë se nuk do të ketë zgjedhje.

“JO zgjedhjet janë me afat ligjor dhe kushtetues 4 vjeçar, pra s`ka zgjedhje, vetëm nëse jep dorëheqje kryetari”, ka shpjeguar ai për “Bota sot”.

Më tej, Burjani ka shtuar se mundësi tjetër për të shkuar në zgjedhje është shkarkimi i kryetarit nga peticionet e nënshkruara nga qytetarët.

“Pra deri 2021 mbeten këta kryetarë nëse nuk ka mbledhje të peticionit nga komunat për shkarkim që parashihet me ligjin për vet qeverisje lokale”, ka theksuar Burjani për “Bota sot” .

Bastionet u thyen në disa komuna

Image
Faik Krasniqi

Ndërkaq, analisti politik, Faik Krasniqi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendose ka thyer shumë bastione në komuna të ndryshme të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Bastionet e partive politike u thyen në shumë komuna të Kosovës, dhe jo vetëm në Prishtinë dhe Kamenicë. Këto bastione u thyen nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka shtuar se do të ishte e padrejtë nëse kërkohet dorëheqja e kryetarëve të vetëm dy a po tri komunave.

“Do të ishte e padrejtë që të kërkohet dorëheqja vetëm e dy-tre kryetarëve të komunave që humben, nëse nuk kërkohet nga të gjithë kryetarëve në këto komuna!”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat