Pazaret e Edi Ramës me Vuçiqin kundër Kosovës

Politika

Pazaret e Edi Ramës me Vuçiqin kundër Kosovës

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 14 tetor 2019 Në ora: 19:31
Edi Rama, Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev

Ballkani Perëndimor, ka qenë dhe vazhdon të mbetët ende vend jo stabil, dhe si i tillë ka shkaktuar gjithnjë shqetësim tek SHBA dhe BE. Prandaj, për hir të interesave të saja natyrisht se Ballkani ka nevojë për të pasur një rrugëtim drejt BE, si njësi unilateral në harmoni me vlerat perëndimore. Por, kjo ndodh kur të zgjidhen çështjet e hapura të mbetura peng. Kjo nënkupton se Serbia duhet së pari të njoh Kosovën, për të fituar të drejtën të konsiderohet e denjë për nisma rajonale.

Së fundi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev filluan të enjten që po lëmë pas  procesin për formimin e “minishengenit ballkanik”. Të tre gjatë një takim të mbajtur në Novi Sad, nënshkruan deklaratën e përbashkët të 4 Lirive Themelore të Bashkimit Evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e cila bazohet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve. Një nismë e tillë kryesisht pa Kosovën nuk ka qëllim të  inkuadrimit të Ballkanit Perëndimor në një linjë të normalizimit të marrëdhënieve.

Kjo më tepër i shkon për shtati Serbisë, e cila pasqyron vetën si fakt paqeje që synon të ketë marrëdhënie të mira me shqiptarët, prandaj edhe e futi Shqipërinë në këtë aventurë. Para se të ndalemi tek Shqipëria duhet theksuar se synimi i kësaj nisme, sipas Vuçiq është që deri në fund të vitit 2021, të krijohen kushtet që qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të kalojnë kufijtë e tri vendeve me letërnjoftime. “Dokumenti që do të shihni bazohet në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe shërbimeve, pasi qytetarët tanë meritojnë një jetë më të mirë dhe më pak papunësi.

Qëllimi ynë është që të krijojmë mundësinë që deri në fund të 2021 të kalohet kufiri vetëm me kartë identiteti. Kamionët në Ballkanin Perëndimor humbasin 26 milionë orë pritje”, ka deklaruar Vuçiq. Një hipokrizi të tillë të Vuçiqit e kupton secili qytetarë e diplomat, pasi është vet Serbia ajo që nuk i njeh dokumentet e Kosovës. Krejt këtë aventurë  Serbia dhe Vuçiq nuk do të mund të krijonin sikur Shqipëria mos të mbështeste një nismë të tillë. Natyrisht se një nismë e tillë do të ishte me vend sikur Kosova të ishte pjesë e saj, dhe sikur Serbia të kishte njohur Kosovën, por e papranueshme që Shqipëria të mbështes një nismë të tillë përderisa Serbia ende ka ambicie për të ndarë Kosovën. Për më tepër Shqipëria, kryesisht kryeministri Rama që vazhdimisht proklamon idenë që Shqipëria të futet në BE, në anën tjetër bën veprime krejtësisht  në kundërshtim më rrugën qe duhet të ketë Tirana zyrtare. Për më tepër një nismë e tilla  me pjesëmarrjen e Shqipërisë pa Kosovën për këtë të fundit është thikë pas shpine, prandaj edhe reagimet janë të mëdha nga qytetarët dhe politikanët e vendit. Reagim të ashpër për një nismë të tillë erdhi nga Vjosa Osmani, kandidatja për kryeministre e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila e ka quajtur një fatkeqësi idenë e krijimit të “Shengenit Ballkanik”.

Ajo ka kritikuar edhe kryeministrin Rama duke thënë se Shqipëria nuk duhet t’i bashkohej kurrë kësaj nisme pa Kosovën. “Përtej kësaj, ne po shohim që jo vetëm që Serbia po e pengon Kosovën, por edhe Shqipëria e injoron atë në këtë rast. Është absolutisht e gabuar që Shqipëria të pranojë të arrijë një marrëveshje në të cilën Kosova nuk është pjesëmarrëse, madje si shtet i pavarur”, ka thënë Vjosa. Një reagim erdhi edhe nga Albin Kurti i cili ndër të tjera tha se “Unë dua që Shqipëria ta shohë Serbinë me sytë e Kosovës. Kjo është tejet e rëndësishme”. Një nismë e tillë që synon të krijuar ‘Jugosllavinë e re’, ku Serbia do të ketë rolin kryesor, e Shqipëria e Maqedonia e Veriut do të jenë plotësuese të këtij plani nuk është në favor të shqiptarëve , prandaj nuk guxon fare të mbështet e lërë më të jenë bashkëpjesëmarrës. Prandaj, një nismë të tillë nuk e mbështesin shqiptarët, përveç ca bashkëpunëtorëve të Vuçiqit, që fatkeqësisht sot janë në krye të shteti shqiptar. Një nismë e tillë pa Kosovën do të vdes, andaj Edi Rama vetëm sa u korit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat