Emërimi i noterëve të rinj, flet juristi: Është në kundërshtim me ligjin kur pritet të formohet Qeveria  

Politika

Emërimi i noterëve të rinj, flet juristi: Është në kundërshtim me ligjin kur pritet të formohet Qeveria  

Nga: G.B Më: 14 tetor 2019 Në ora: 23:26
Qeveria e Kosovës, foto arkiv

BE-ja ka bërë thirrje sot që autoritetet në largim të përmbahen nga emërimi i noterëve të rinj dhe që këtë proces t’ia lënë qeverisë së re.

E gjithë kjo erdhi si rezultat i raportimeve se më shumë se 50 kandidatë që kanë kaluar të gjitha fazat testuese për noterë, janë të afërm apo familjarë të zyrtarëve të PDK-së dhe të anëtarëve të komisionit.

Por thirrjen e BE-së nuk e përfilli ministri në largim, Abelard Tahiri, i cili deklaroi se emërimi i noterëve të rinj është proces legjitim dhe duhet të ndodhë.

E pas deklaratës së tij reagoi edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, i cili kërkoi që të merren parasysh kërkesat e BE-së.

“BE-ja nxori deklaratë paralajmëruese për emërimin e nxituar të noterëve të rinj sot, duke ndjekur nga deklarata e ministrit të Drejtësisë së Kosovës që tha se procesi do të shkojë përpara gjithsesi. Rekomandoj fuqishëm që të merren seriozisht shqetësimet e shprehura: Njerëzit këtu nuk mund të shërbehen nëse aktet noteriale nuk njihen jashtë vendit”, ka shkruar Heldt në Twitter.

Image
Blerim Burjani

Lidhur me këtë, juristi Blerim Burjani ka thënë për gazetën “Bota sot” se është e kuptueshme që PDK dëshiron t’i bëjë noterë familjarët e tyre dhe asgjë nuk iu duket e rëndësishme.

“Po kjo është e kuptueshme, nuk ka mandat të merret me probleme ekzekutive, njerëz të PDK-së janë të shumtë dhe familjarë të tyre që priten të jenë noterë të rinj, po këtyre nuk iu duket asgjë e rëndësishme përveç anëtarëve dhe simpatizuesve të tyre”, është shprehur ai.

Burjani thotë se emërimi i noterëve të rinj është në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk ka legjitimacion derisa pritet të formohet qeveria e re.

“Kjo është në kundërshtim edhe me aktet tjera në fuqi, pra Kushtetutën. Kosova për momentin nuk ka qeveri por është në themelim të institucioneve të reja, pra s’ka legjitimacion me u marr me tema e as me probleme, s’kanë më fuqi vendimmarrëse por ende mundohen në këto momente jo të legjitimacionit demokratik me nxjerr vendime”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat